Kryeministri “kryeopozitar” dhe opozita e eklipsuar

25 Gusht 2017, 19:43Editorial TEMA

Nga Mero Baze

U bë e disata herë që opozita tenton të bëjë politikë me qëndrimet radikale të kryeministrit Edi Rama ndaj administratës së tij. Ka ndodhur kjo në rastin kur Rama mblodhi drejtorët e spitaleve, ata të hipotekave dhe ALUIZN-it dhe së fundi, diplomatët shqiptarë.

Stili me të cilin Edi Rama bën politikë është stili i tij. Shpesh është i pakapërdishëm për publikun e zakonshëm, disa herë tepër populist dhe i adhuruar prej tij, por i pakëpërdishëm nga politika dhe shtypi.

Ajo çfarë është qesharake në këtë histori, është se opozita ankohet se Edi Rama është aq radikal në të vërtetat që thotë, sa nuk e meriton pushtetin që ka marrë, se na “paska gënjyer”. Pra, sipas tyre, meqë Edi Rama po sulmon diplomatët drejtëpërdrejt, mjekët, spitalet, a ku di unë kë do sulmojë tjetër, ai nuk e paska merituar pushtetin.

Dhe si për ta vulosur budallallëkun, ata bëjnë dhe replika me Edi Ramën, në një stil popullor, për ta goditur atë. Hidhuni një sy titujve të reagimit të opozitës ndaj sulmeve të Ramës ndaj drejtorëve të spitaleve, ALUIZN-it, hipotekave, ambasadorëve etj, dhe do të shikoni sa i qartë dhe populist është Rama, dhe sa rrëmujë dhe qesharakë janë idetë e prodhuara nga opozita.

Mjafton të krahasosh kritikat e tyre ndaj Ramës me kritikat e Ramës ndaj administratës së tij, dhe bëhesh menjëherë me Ramën.

Por kjo ka pak rëndësi. Ajo që është më e dhimbshme, është se në thelb, opozita po ankohet se Rama po u vjedh opozitën, pra detyrën për të bërë opozitë. Ata janë aq të mërzitur nga kjo, sa janë gati të mbrojnë çdo viktimë të sulmeve të Edi Ramës, për të treguar që nuk mund të veprohet kështu.

Dhe kjo ka krijuar një situatë qesharake. Ne kemi tani një kryeministër që sillet edhe si kryetar opozite, dhe një kryetar opozite me një tufë njerëzish pa gjak rrotull tij, që sillen sikur kanë hallin e njerëzve të pushtetit.

Edi Rama ka gjetur stilin e tij populist për të prodhuar politikë për llogari të vetën, dhe natyrisht që i ka marrë shumë terren opozitës. Por fakti që opozita nuk e konkurron dot as si opozitar, duke qenë kryeministër, është i dhimbshëm.

Mirë që nuk e konkurroi dot si kandidat për kryeministër, dhe të gjithë së bashku morën më pak se ai, por tani nuk e konkurrojnë dot as si opozitar.

Dhe kjo i bën edhe më qesharakë. Opozita nuk është një dhuratë që jepet nga Berisha dhe mbahet si stoli. Ajo është një institucion që bën të besueshëm kritikën dhe kundërshtimin ndaj asaj që ndodh. Deri më sot, dy deputetët e rinj të opozitës kanë dhënë ide se si të bashkëpunojnë me qeverinë për hallet e tyre. Një naivitet në dukje, por që tregon thelbin dështak dhe mungesën e nervit të opozitës së Bashës. Populizmi i Edi Ramës po e rrënon opozitën më shumë se sa mënyra si ai ka qeverisur. Dhe kjo, falë një opozite, e cila nuk ka as klas, as mendim, as staturë opozite, dhe mbi të gjitha, as njerëz, bile qoftë dhe një të vetëm, që njerëzit e besojnë se mund të bëjë diçka. Përveçse të ankohen se Rama po ua vjedh punën.

8 komente në “Kryeministri “kryeopozitar” dhe opozita e eklipsuar”

  1. Nordi says:

    Z. Mero pse Rama nuk i bijë ministrave të vet për keq qeverisjen dhe korrupsionin lehtësisht të provueshme? Ai merret me periferinë për të hequr vëmendjen nga problemi real që është mënyra e shëmtuar e qeverisjes. Ministrat e Ramës janë po aq të korruptuar sa dhe ministrat e partive të tjera.
    Kujdes Rama është kthyer në mjeshtër të manipulimit dhe po u manipulim edhe ju, medjat.

    1. Fshatari says:

      Nordi je i mencur sa ky Sudi im

      1. AZ... says:

        Ju shoku fshatar skeni nevoje per pergjigje sepse vete emri qe keni vene “FSHATAR” ka Brenda pyetje dhe pergjigje

  2. andromeda says:

    Aksionet e Ramës, janë aksione që lihen në mes të rrugës dhe deri sot nuk janë çuar deri në fund. Reforma në dejtësi ecën me ritmin e breshkës. Reforma në administratë do zëvendësojë disa të vjetër me simpatizantët dhe do të bëhet më keq nga ç’është. Aparati shtetëror mbetet i fryrë siç ka qenë dhe me paratë e taksapaguesve do mbahen njerëz që dredhin zinxhirn ose e bëjnë 8 orëshin para lojrave t kompjuterit. Në fund Ramës i mbeten fjalët që i merr era dhe populli do të vuaj rritjen e përditëshme të taksave. Kjo është filosofia qeverisëse e njeriut të cilit i besuan 74 % e shqiptarëve.

  3. Tarrasi says:

    Ato qe ben Rama, nuk mund te quhen opozite.
    Ato jane sjallje te nje anarkisti qe nuk diti kur te behet shtetar, dhe qe me shume ngjajne me karagjozlleqe.
    Me shume se Opoziten ato demtojne vete Shtetin Shqiptar.

  4. Luani says:

    Je shume i sakte,shqiptaret nuk kane opozite te besushme,se keta qe sot perfaqsojne opoziten nuk kane shume kohe qe jane larguar me vote nga pushteti dhe kane abuzuar me pushetin ne menyren me te keqe te mundeshme

  5. vera e nxehte says:

    Mero, je fantastik me ate qe thua. Sepse opozitat deri me sot jane mesuar qe pozitat te hane vjedhin, vrasin “se kete kane detyre kur marrin pushtetin” , ndersa opozitat ti shajne , kritikoje e po mundi te çnderoje pozitat. Keshtu e kane menduar lirine dhe demokracine, pluralizmin ne Shqiperi te paret tane demokrate te atyre viteve te “stuhishme” demokratike. Tani Rama i ka çoroditur se ai po kritikon vete edhe ministra ne formen e tij edhe gjithe administraten apo drejtesine e kudo. Dhe ata s’kane çfare te kritikojn tjeter, pra te bejen opozit, dhe sulmojne Ramen pse ai kerkon qe ti rregulloje keto pune. Pra, e çarmatosi opoziten. Dhe e vetme pozite , ngelet Edi Rama ! Me çfare do luftoje ajo kur vete Rama kerkon ta luftoje vete te keqen?! Por mbi te gjitha , kjo opozite jona, nuk ka njerezit e formuar per ta bere kete pune. Se opozita ka vend plot per te bere punen e saj. Ajo duhet te bashkepunoje me poziten, se ajo eshte detyra e saj si pjes e te teres, pastaj atje ku e shikon te aresyeshme, ta “luftoje” ate. Pa bashkepunim me poziten, nuk e ben dot detyren e opoazites. Po kur nuk ke opozite reale , te ndergjegjshme per misionin e saj, detyrimish del fallco si po del opozita e sotme ne Shqiperi. Merret vetem me thashetheme.

  6. kleptofagos says:

    Demagoget jane te tille sepse genjejne dhe mashtrojne njerezit, per te fshehur gabimet e tyre. Nese Rama, nuk i nis kritikat nga vetja dhe tek ekipi qeveritar qe ai ka perzgjedhur per 4 vitet e shkuara, nuk ka asnje shprese per te ndryshuar apo aq me teper per te permiresuar situaten. Justifikime per shkak te LSI-se, apo PD-se, etj. jane tashme te papranueshme per nje kryeminister te “stazhionuar”. “Mbledhjet me kolektivin”, “Degjesat me popullin”, komentet ne Twitter dhe postimet online, jane vecse propagande demagogjike e kryeministrit ne detyre..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje