Qeveritë “hije”, që mund të lënë me hije shumicën

23 Gusht 2017, 19:31Editorial TEMA

Nga Mero Baze

Gjëja më joserioze e pas 25 qershorit, është rituali i përfoljes së qeverisë së re dhe argëtimi me reagimin e atyre që kanë interes për të. Është ndoshta një nga shëmtitë e mëdha, e cila argëton padyshim dhe Edi Ramën.

Formimi i një qeverie nga fituesi, dhe sidomos nga një fitues i plotë si Edi Rama, është një përgjegjësi e madhe, pasi nuk të lë vend për alibi. Për herë të parë Edi Ramën e ka “dënuar” Zoti, të mos ketë asnjë alibi për dështimet e mundshme, për defektet e mundshme dhe mbi të gjitha, për zgjedhjet e gabuara apo të imponuara nga koalicioni. Ai ashtu siç është i bekuar ta zgjedhë vetë qeverinë, është i dënuar dhe të mbajë përgjegjësinë për të.

Por për shkak të një defekti të rëndë kushtetues, peshqesh nga dyshja Berisha-Rama, kur ne duhet të mbyllim zgjedhjet në qershor dhe të formojmë qeveri në shtator, kemi një periudhë tre mujore boshllëku, që kur ka rotacion kthehet në masakër ndaj shtetit, dhe kur ka rikonfirmim, kthehet në një periudhe spekulimi dhe diversioni të pakuptimtë.

Kjo që po ndodh tani me qeverinë e pritshme të shtatorit, është një abuzim i Edi Ramës.

Nuk dua të fajësoj asnjë gazetë, TV, apo portal, që përflet emra. Askush nuk ja ndal dot fantazinë askujt, dhe askush nuk ndalon dot asnjë deputet apo politikan të bëjë lobim qesharak nëpër portale e redaksi, për të nxjerrë emrin e vet.

Problemi është tek kryeministri.

Englendisja e tij me këtë histeri emrash, me mitomanë që publikojnë qeveri, me të tjerë që heqin dhe vënë ministra, me të tjerë që shpikin kritere dhe testojnë aftësinë për lobim, është një dëm i madh që i bëhet pikësëpari shumicës së re.

E drejta e Edi Ramës për të formuar qeverinë e tij shkon paralel me detyrimin e tij për të ruajtur integritetin e shumicës.

Prej 25 qershorit, ai i ka qëndruar larg debateve për përbërjen e qeverisë, bile dhe kritereve për formimin e saj, pasi ju përkushtua një procesi formal dëgjesash. Deri diku ishte një dalje e mirë për të mos diskutuar një temë delikate si qeveria.

Por pas kësaj, ka pasur një stinë të begatë spekulimesh, të cilat kryeministri ose duhet t’i ndalte me një qëndrim publik, ose duhet t’i konfirmonte, ose përgënjeshtronte, duke e bërë të qartë që qeveria e vetme është ajo që do të prezantojë ai në një datë të caktuar.

Kjo, jo aq për të qetësuar ata që duan të jenë në kabinet, apo të tjerë që nuk kanë shpresa të jenë, por për të ruajtur mbi të gjitha integritetin e shumicës.

Për të gjithë ata që mendojnë se ky është një mandat i lehtë, pasi ka një shumicë të qartë, duhet të kuptojnë mirë se ky është një mandat ku nuk ka rëndësi kush është ministër, por kush është deputet i shumicës socialiste. E ardhmja e këtij mandati varet nga integriteti i shumicës parlamentare, fuqisë së saj, dhe aftësisë së Edi Ramës për t’i mbajtur ata të bashkuar dhe të motivuar. Demotivimi i grupit parlamentar socialist, mund të jetë një nga humbjet më të mëdha që Rama mund të pësojë, nga dëshira e tij për t’u englendisur me emra kotë ministrash dhe me gallate reagimesh pas tyre.

Edi Rama e ka gjithë përgjegjësinë dhe gjithë të drejtën të deklarojë kur të dojë qeverinë, pa e kthyer atë në një teatër. Ai po ashtu ka të drejtë të zgjedhë rrugën e tij të konsultimit publik apo privat me faktorët politik brenda PS-së. E vetmja gjë e gabuar është kjo që po bën, që lejon shtypin të shpikë qeveri dhe vetë argëtohet duke qetësuar të mërziturit e duke dëshpëruar të gëzuarit kot. Është një humbje energjish pa kuptim, për shkak të dëshirës për të bërë gallatë me një çështje shumë serioze, me një shumicë e cila u fitua me shumë mundim dhe jo vetëm nga Edi Rama. Një shumicë ku nuk ka rëndësi kush do jetë ministër, por kush do jetë në parlament për të ruajtur shumicën, që të mos përfundojë përsëri tek tepsia.

13 komente në “Qeveritë “hije”, që mund të lënë me hije shumicën”

  1. Tarrasi says:

    Se kë ve apo heq Rama, mund ti duhet atyre qe jane rreth tij, qe nga politikanet deri tek gazetaret, perfshire edhe Bazen.
    Sa per alibine e Rames, Mero te rrish i qete se Rames as nuk i rruhet fare.
    Populli ka kohe qe nuk i rruhet hiç per Qeverine Rama, pasi e ka te qarte Qeveria qe do te jete nje katastrofë.

    1. Drilon Korce says:

      Popullit aq shume nuk i rruhet saqe vetem para 1 muaji i dha shumicen e vetme…hajde mendje hajde!

    2. like says:

      Zoti Tarras, çdo gje eshte relative. per mendimin tim çdo qeverri Rama mund te kete qene apo jete ne te ardhmen katastrofe, por sidoqofte nje katastrofe shume here me e vogel se çdo qeverri Berisha qe ka pasur. Shpresoj te mos kesp nje memorie selektive po te besh nje analize te tille.

  2. mero bame says:

    po ti po qan hallin Edi Rames…apo shumices hahaha

  3. Mentari says:

    Tani po e kuton se ai Rama eshte Ko…q..e kandari qe I mungon Minimumi i Inteligjrences pa lere eksperiencen e praktikes Efektive Ekzekutive qe nuk e njeh fare apo nuk e ka Haberin hic fare.Bashkine e Tiranes e drejtoj si Cobani Derrat me nje anarki e kaos qe zot na ruaj dhe deshmimtare i saj eshte zgjerimi i saj nen anarkine e Rames.Cfar prisni nga nje i paafte? asnje gje ,do te kalojne edhe 4 vjet te tjera dhe ai per dit do ti tregoj shqiptarve Barsaletat ose bejtet e tija sic i tregonte Fan Noli me 1924 dhe dihej qeveria e Fan Nolit se si deshtoj per reformat e Bujqesise shqiptare qe ai premtonte duke I pompozuar me te madhe parpaqe se te merrte karriken e kryeministrit ,edhe Rama eshte nje Klonim I Fan Nolit ne qeverisje dhe me vetem nje diferencim ; Ai sot eshte me mashtrues se sa ishte Noli ne ato kohera. dhe nuk ka rendesi koha se ku fillon pune qeveria kur dihet se kryetari i saj eshte Idiot.Pac Fatin e Idiotit qe sot ate po e provon edhe Amerika e Shenjte.

  4. like says:

    Mos duhet valle te censurohen gazetat se çfare shkruajne?

    uroj KM te zgjedhi ministra punetore, por edhe te qarkulloje pa hezitim çdo minister kur nuk hecen puna. Shume e shajne Trump per qarkullimet que ben, por harrojne se ai eshte nje njeri I sukseshem ne biznes privat dhe nuk ben leshime siç ndodh ne zyrat publike

  5. astrit says:

    Gjinkallat e 25 qershorit po i kalojne ethet e gushtit me klithma.

  6. Qytetar says:

    Ik o Tarras mos na caj t…….kazan.

  7. shqiptari says:

    Pervec faktit se kemi te bejme me nje nonses sepse mazhoranca lind ne qershor e qeveria formohet ne shtator, kesaj here zoti Mere, megjithe respektin qe kam per penen tende, nuk ke godit gje ne shenje! Nje shkrim sa per te kaluar radhen, per laraska.

  8. Fieri says:

    Per mendimin tim ,si nje qytetar i thjeshte , nuk e kuptoj se c’do te jete kjo , Ministria e Gruas dhe Rinise. Shqip me duket nje qeveri kot se koti. Bashkimi i ministrise se Arsimit e Kultures eshte me se i drejte ,pasi te dyja plotesojne njera tjetren. Ketu mund ye futet dhe sporti. Drejtorite dhe zv/ ministrat te merren direkt nje me arsimin ,kulturen e sportit,duke patur kopetenca si te ministrit. Ministri eshte kordinatori i tre nen institucioneve. Por buxheti planifikohet e ndiqet nga drejtorite ekonomike. PO keshtu ministria e Ekonomise energjitikes……..

  9. PaParti says:

    Ishalla nuk ma gjen emerin,per zv !

  10. MeleqAgaci says:

    E rendesishme suksesore eshte qe “organi inteligjent” i kesaj qeveria eshte Qifja i Elbasanit. Te tjeret shkojne e vijne sipas periodave te Engjell Agacit. Me keto dy gjymtyre solide, Qife-Engjell, qeveria Rama 002 do kthehet ne model boteror qeverisje per popullin shqiptar por dhe me gjere, Zero korrupsion, Ekonomi IR100%GDP, Turizem Elitar, Bujqesi Intesive Subsistente, Industri Quaternare, Transport Suborbital, etj etj (se merzitet Rama qe po i nxjerrim sekret surprizat). Jeff Bezos, Bill Gates, Mark Zuckerberg dhe George Soros jane te paret qe kane aplikuar per pasaporte shqiptare prane Presidentit zulmemadh Ilir Goldmeta. Fitore te reja na presin. Lavdi rilindarit Edvin – liderit galaktik antikuar qe po sakrifikon jeten e vet, pa shperblim, per te ardhmen e Shqiperise

  11. Olsi says:

    Rilin dasit do fillojne te hane njeri tjetrin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje