DOSJA: Luan Lusha la të lirë vrasësin e gjyqtares, pavarësisht rekursit të Prokurorisë

1 Shtator 2017, 17:51Politika TEMA

Nëse Gjykata e Kavajës me gjyqtarin e çështjes Luan Lusha, dhe më pas ajo e Apelit të Durrësit, do t’i kishin qëndruar kërkesës së Prokurorisë, atehërë Fadil Kasemi, autori i vrasjes së ish-bashkëshortes së tij, gjyqtares Fildez Hafizi, do të ishte ende pas hekurave për tentativën e parë që kishte bërë për ta vrarë atë.

Të paktën kjo është ideja që të krijohet kur lexon rekursin që Prokuroria e Apelit të Durrësit ka bërë në Gjykatën e Lartë për ndryshimin e dy vendimeve të Gjykatës së Kavajës dhe të Apelit të Durrësit dhe rritjen e masës së dënimit ndaj Fadilit nga tre në pesë vjet burgim.

Në pjesën argumentuse të rekursit, prokurori, Ferdinand Elezi, e cilëson Fadil Kasemin dhe krimin që ai kishte konsumuar në vitin 2015 si me rrezikshmëri të lartë dhe që meritonin masa dënimi më të larta dhe jo me 3 vjet burg, siç kishin vendosur dy shkallët e para të gjyqësorit.

Madje, në fund të argumentit të rekursit, prokurori nënvizon se Gjykata në dhënien e  vendimit duhet të vlerësojë rrezikshmërinë e veprës penale si dhe rrezikshmërinë e autorit, si dhe të vlerësojë rrezikun që i pandehuri pas kryerjes së dënimit mund të kryeje veprat penale për të cilat po gjykohet, ose akoma më të rënda.

Por, mesa duket ky parashikim i prokurorit nuk është parë i tillë nga gjykatat e dy shkallëve të para, ndërsa Gjykata e Lartë nuk e pati mundësinë ta shqyrtojë këtë rekurs në kohë për t’i shpëtuar jetën gjyqtares Hafizi.

Pjesë të zbardhura nga rekursi i Prokurorisë:

“1.Masa e dënimit, dhënë nga gjykata për të gjykuarin, ka qenë në kundërshtim me kërkesat e parashikuara nga nenet 47 të Kodit Penal, në mënyrë të veçantë me rrezikshmërinë e lartë të krimeve të kryera si dhe të vetë të gjykuarit. Masa e dënimit, dhënë nga ana e gjykatës, është rezultat i qëndrimit subjektiv të gjykatës. Ajo vjen në kontraditë gjithashtu edhe me qëllimin e vetë dënimit penal, atë të parandalimit të përgjithshëm dhe në mënyrë të veçantë të parandalimit të posaçëm. Në masën e dënimit, gjykata duhej të vlerësonte sidomos rrezikshmërinë e lartë të krimeve të kryera nga i pandehuri, të vetë të pandehurit, elementët e anës objektive, të cilat kanë qenë në kufirin e kryerjes së krimit të vrasjes në tentativë të dëmtuarës.

E dëmtuara ka qenë duke bërë plazh në bregun e detit dhe nuk e ka parë të gjykuarin, i cili po shkonte në drejtim të saj me vrap. Në krah ka patur një çantë marsupio, të cilën ka tentuar ta hapë. E dëmtuara edhe për shkak të sjelljeve të mëparshmë të të pandehurit, i cili ka tentuar të hapë çantën dhe të nxirrte diçka prej saj, ka vlerësuar me të drejtë aty për aty dhe e ka kapur nga duart të pandehurin për të mos nxjerrë armën e zjarrit. Ajo i ka thënë të pandehurit që të mos e vriste dhe të linte fëmijët jetimë. I pandehuri e ka goditur me grushta në fytyrë dhe ata janë përleshur me njëri – tjetrin, ku dhe të pranishëm kanë qenë fëmijët e tyre. Djali i tyre, Erlindi ka ndërhyrë si dhe persona të tjerë, pushues të rastit. Në përleshje e sipër, e dëmtuara ka mundur t’i marrë çantën të pandehurit, brenda së cilës ndodhej arma e zjarrit pistoletë, ëhstë larguar me vrap dhe është futur në hotel “Horizont”, ku është ndihmuar më pas nga persona të personelit dhe të rastit.

2.Gjykata ka detyrimin ligjor, që në dhënien e masës së dënimit, të bazohet në parashikimet e dispozitës së pjesës së posaçme të ligjit penal material.  Ajo duhet të vlerësojë rrezikshmërinë e veprës penale, rrezikshmërinë e të gjykuarit, shkallën e fajësisë, rrezikut që nga i pandehuri pas vuajtjes së dënimit, të kryejë këto vepra penale apo më të rënda ndaj të dëmtuarës dhe në tërësi të gjitha rrethanat që kanë konkuruar, në rastin e këtij të gjykuari ato rënduese. Vlerësimi i bërë nga gjykatat në masën e dënimit është i gabuar, nga ana jonë vlerësohet se masa e dënimit duhet të jetë më e lartë për të dy veprat penale të kryera nga ana e të gjykuarit.

Nuk jemi njohur me vendimin e arsyetuar të Gjykatës së Apelit, shkaqe të tjera që lidhen me arsyetimi ne këtij vendimi do të paraqesim në gjykimin në Gjykatën e Lartë.

Për këto arsye, në mbështetje të neneve 432 dhe 441/1 pika “b” të Kodit të Procedurës Penale:

Kërkojmë:

Ndryshimin e vendimit numër 620 (10-2016-1773) datë 14.09.2016 të Gjykatës së Apelit Durrës dhe vendimit numër 76 (12-2016-664) datë 28.04.2016 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, rritjen e masës së dënimit me burgim për të gjykuarin Fadil Kasemi.

-Lënien në fuqi të vendimeve për pjesët e tjera të disponimit.

Durrës, më 10.10.2016

Prokurori i Apelit

Ferdinand Elezi”

5 komente në “DOSJA: Luan Lusha la të lirë vrasësin e gjyqtares, pavarësisht rekursit të Prokurorisë”

  1. Kalaja says:

    Atehere nxirrni emrin e Gjyqtareve te Apelit se pergjegjesia e tyre eshte me e madhe. BOLL me Lushen se me akuzen per armembajtje pa leje ligji kete hapesire denimi e lejonte!

    1. Daja says:

      Si ore armembajtje pa leje? Po ai e kercenoi dhe donte te vriste me ate arme packa se nuk e nxorri dot. Ai mund te denohej dhe per vrasje te mbetur ne tentative qe ne ate kohe.

    2. Artan says:

      Valbon Cekrezi eshte gjyqtari

  2. Qytetari says:

    Jane te gjithe njelloj te shkalles pare,te apelit e ….per para mund te vrasin dhe njeri tjetrin.

  3. Elton says:

    Ske me ordiner dhe te korruptuar se ky Luan Lusha…edhe domate merr si rryshfet..se si po i mbijeton edhe reformes qe po behet..mjafton ti shikosh pronat dhe lokalet ne bregdet e kavaje ska nevoj ta kontrollosh me..per te mos thene qe eshte edhe nje imoral i ndyre…do ta zere haku i njerzve qe ka mare ne qafe ky plere dhe ordiner e delenxhi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje