Rendi dhe siguria e “Rama 2”: “Vetting” efektivëve të policisë, luftë kundër drogës dhe të ardhurave të perfituara në rrugë kriminale

11 Shtator 2017, 21:23Kronika TEMA

Sfida më e madhe e qeverisë “Rama 2”, është forcimi i institucioneve përgjegjëse për rendin dhe sigurinë dhe arritja e standardit të vendeve të BE-së. Programi, i cili parashikon hapa konkrete në fushën e institucioneve ligjzbatuese, do të nis me një proces “vetting-u”, për të gjithë efektivët e Policisë së Shtetit, duke u mbështetur në një kuadër ligjor të monitoruar drejtpërdrejtë dhe ngushtësisht nga partnerët ndërkombëtarë.

Një nga prioritetet e qeverisë, është dhe lufta pa kompromis ndaj grupeve të organizuara kriminale, duke “goditur” çdo aset të tyre ekonomik, që është vënë në mënyrë të paligjshme. Në fokus, është lufta kundër drogës, për të kthyer në një realitet të konsoliduar atë çfarë u arrit në mandatin e kaluar, heqja e vendit tonë nga harta e vendeve kultivuese të kanabisit.

Organet ligjzbatuese, do të nisin një hetim mbi çdo pasuri, të luajtëshme dhe të paluajtëshme, që është krijuar nga të ardhura të pajustifikuara dhe do të sekuestrojnë të gjithë të ardhurat me origjinë kriminale, asete kriminale, apo pasurisë të vënë nga korrupsioni zyrtar.

Në kuadër të reformës të rendit dhe sigurisë, efektivët e Policisë së Shtetit, do kalojnë në një riorganizim të prezencës së tyre në territor, duke siguruar kështu një kontroll më profesional të tij, i cili do t’i shërbejë para së gjithash komunitetit dhe parandalimit të kriminalitetit dhe shkeljeve të ligjit. Situata e kriminalitetit në një territor të caktuar, do të jetë matësi dhe vlerësimi i punës për çdo punonjës policie, përgjegjës për atë territor. Në bazë të këtij organizimi, do të merren masa të ashpra për të goditur rastet e pranisë dhe aksesit ndaj drogave pranë institucioneve arsimore dhe në të gjitha mjediset e frekuentuara nga nxënës dhe studentë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje