Raundi i parë i Kupës me përballje historike, Besa-Tirana dhe Dinamo-Flamurtari

12 Shtator 2017, 12:49Sport TEMA

Mesjava do të sjellë raundin e parë të kupës së Shqipërisë, ku nuk mungojnë duelet interesante.

Sigurisht që skuadrat pretendente do të luajnë me ekipe që militojnë në kategorinë inferiore, por kjo nuk do të thotë se kualifikimi do të jetë një punë e lehtë.

Kastrioti – Vllaznia, Dinamo – Flamurtari, Besa – Tirana dhe derbi Apolonia – Lushnja janë sfidat më interesante të kësaj faze.

Në Krujë skuadra vendase e ndërtuar me pretendime të mëdha për të synuar rikthimin në elitë, do të presë Vllazninë.

Përpos faktit që përballë do të jenë dy formacione me cilësi, ajo që bie në sy është dueli i shkodranëve të stolit, Samuel Nikaj me Armando Cungun.

Për më tepër që të dyja ekipet kanë ambicie për të shkuar sa më larg në Kupë.

Në kryeqytet Dinamo do të presë Flamurtarin, një sfidë që dikur bënte historinë në futbollin shqiptar.

Sigurisht që blutë lundrojnë prej vitesh në ujëra të turbullta por këtë edicion Igli Allmuca ka ndërtuar një skuadër të re në moshë dhe me ambicie të mëdha.

Për Flamurtarin kupa është një objektiv pasi këtë vit skuadra e drejtuar nga Shpëtim Duro synon rikthimin në europë dhe kompeticioni i dytë për nga rëndësia në vend është një mudnësi e mirë.

Nga Tirana në Kavajë, aty ku luhet një tjetër sfidë historike midis Besës dhe Tiranës.

Rikthimi i presidentit Bizhdili në krye të verdhezinjve ka ringjallur entuziazmin e tifozerisë vendase, ndërsa bardheblutë që për herë të parë në historinë e tyre nuk do të jenë në elitën e futbollit shqiptar kanë shpallur si objektiv përvec rikthimit edhe triumfin në Kupë.

Pavarësisht se nuk po kalojnë një moment të mirë, derbi mbetet derbi dhe një i tillë do të zhvillohet në Loni Papuciu midis Apolonisë dhe Lushnjes.

Ndërkohë e lehtë duket rruga për skuadrat e tjera të elitës.

Partizanit shorti i vendosi përballë Naftëtarin, Kukësit Egnatian, Teutën përballë Tërbunit dhe Lacin ndaj Sopotit.

E vetmja ndeshje e përfunduar është ajo midis Mamurrasit dhe Skënderbeut e fituar nga korcarët me shifrat 0-8./SS/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje