Maqedoni/ Nesër fillon fushata për zgjedhjet lokale

24 Shtator 2017, 18:09Rajoni TEMA

Partitë politike, koalicionet dhe kandidatët e pavarur të cilët do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen më 15 tetor në Maqedoni, nesër fillojnë zyrtarisht fushatën e tyre parazgjedhore e cila do të zgjasë për 20 ditë, më saktësisht deri në mesnatën e 13 tetorit, transmeton Anadolu Agency.

Me një short të hedhur në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), u përcaktua rendi në listën e vetme të kandidatëve, më konkretisht në fletëvotimet për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Lista me kandidatë për kryetarë të komunave dhe për këshilltarë kanë parashtruar 19 parti dhe koalicione, ndërsa 64 janë nga grupe votuesish.

E para në fletëvotim do të jetë PSDM (Partia Social Demokrate e Maqedonisë), e dyta Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe RDK (Rilindja Demokratike Kombëtare), me numrin tre është BDI (Bashkimi Demokratik për Integrim), me numrin katër Koalicioni për Manastirin – BDI, BESA dhe Aleanca për Shqiptarët, e pesta koalicioni “Së Bashku për Gazi Babën” e kryesuar nga BESA, e gjashta LPM (Lëvizja Popullore e Maqedonisë), e shtata VMRO-DPMNE, e teta Lëvizja Popullore e Turqve, e nënta Aleanca për Shqiptarët, e dhjeta është TMRO, e 11-ta Partia Demokratike e Turqve, GROM në vendin e 12-të, Koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE është e 13-ta, BESA e 14-ta, PDSH (Partia Demokratike Shqiptare) e 15-ta, E Majta e 16-ta, PPD (Partia për Prosperitet Demokratik) e 17-ta, Lidhja e Romëve e 18-ta, ndërkaq LSDM e (Lidhja Social Demokratike e Maqedonisë) 19-ta.

Listat e kandidatëve për anëtarë të këshillave dhe listat e kandidatëve për kryetarë të komunave, të cilat do të parashtrohen nga parashtrues i njëjtë do të kenë numër të njëjtë rendor në të gjitha komunat.

Në komunën në të cilën nuk ka përfaqësues të vet numri adekuat i parashtruesit do të lihet dhe në vend të tij do të shkruhet numri rendor i bartësit të ardhshëm pa lënie të vendit të zbrazët.

Zgjedhjet e gjashta lokale në Maqedoni janë caktuar për më 15 tetor, ndërkaq do të mbahen në 3.480 vendvotime në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit.

Fushata zgjedhore do të fillojë më 25 shtator në mesnatë dhe do të përfundojë më 13 tetor. Rrethi i dytë i zgjedhjeve është caktuar dy javë më vonë, më 29 tetor. Fushata zgjedhore për rrethin e dytë përfundon më 27 tetor në ora 24:00.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje