“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan që përmbajtja e marrëveshjes 302 milionë dollarëshe në fushën e mbrojtjes të mbetjes sekrete” – teksa e cilësoi si “strategjike” në drejtim të marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, ministri i Financave, Petrit Malaj tregoi mbi aspektin finsnaciar të huas.
“Marrëveshje financiare që vjen në kuadër të mbështetjes së FA, por edhe marrëveshje strategjike sa i përket marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-së. Është kredi në vlerën e 302 mln dollarë. Është kërkuar nga SHBA që detajet e marrëveshjes të mbahen konfidenciale. Janë kushte konkurruese krahasuar edhe me termat që ne marrim për kredi të ndryshme në sektorë të ndryshëm”, tha Malaj.
Nga konferenca e fundit për media para pushimeve të verës, Malaj njoftoi krijimin e një operatori publik për bashkitë i cili do të menaxhohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. “Për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve, qeveria ka vendosur të krijojë pranë FSHZH-së një operator publik që do të marrë përsipër kryerjen e disa prej funksioneve të bashkive. Krijimi i kësaj strukture mund të ngrejë pikëpyetje për ndërthurjen e kompetencave ndërmjet pushtetit qendror dhe atij vendor, pasi një pjesë e shërbimeve që pritet të ofrohen nga operatori janë përgjegjësi të drejtpërdrejta të bashkive”, tha Malaj.
Gjashtë muaj nga hyrja në fuqi, nisma e shumë-debatuar e Paqes Fiskale me Biznesin nuk po prodhon efektet e pritura. “Në total subjekte që kanë aplikuar për Paqen Fiskale janë 62, nga të cilët të kualifikuar për të përfituar nga Paqja Fiskale janë vetëm 19 dhe nga këta 19, 15 kanë kërkuar që të përfitojnë nga Paqja Fiskale, pra që të paguajnë një tatim fitimi të reduktuar në masën 5% në rast se fitimi i dakordësuar me Tatimet është mbi 18% i fitimit të vitit të mëparshëm”, shtoi Malaj.
Pavarësisht pasigurive që burojnë nga tensionet në Lindjen e Mesme, Malaj tha se inflacioni në gjashtëmujorin e parë të vitit ishte 2.7 për qind, ndërsa nuk përjashton mundësinë për rikthimin e Bordit të Transparencës për karburantet. “Në qoftë se do të kemi një rritje të çmimeve për një periudhë relativisht të gjatë, pa diskutim që do të hyjë përsëri në fuqi edhe bordi i transparencës”, tha Malaj.
Gjatë konferencës për shtyp, ministri i Financave Petrit Malaj u ndal edhe te rimbursimi i tatimit përmes platformës DIVA, nga i cili kanë përfituar deri tani gati 40 mijë qytetarë.
Lini një Përgjigje