Dhunimi i një të dënuari pak ditë më parë ka sjellë një furtunë në burgun e Peqinit, pasi 12 punonjës janë vendosur në hetim, drejtori i burgut është proceduar, shefi i policisë është shkarkuar, ndërsa 3 punonjësit që ushtruan dhunë janë shkarkuar.
Ministria e Drejtësisë ka zbardhur ngjarjen në burgun e Peqinit, ku u dhunua një i dënuar në datë 30 shtator.
Sipas institucionit të Drejtësisë punonjësit e policisë së Forcave Operacionale A. Ismaili, D.Piku dhe A.Alliu kanë hyrë në qelinë e të dënuarit me inicialet V.G pavarësisht se nuk kanë pasur urdhër për kryerjen e kontrollit. Të tre punonjësit e policisë janë shkarkuar nga detyra pas dhunës që kanë ushtruar ndaj të dënuarit.
Ministria e Drejtësisë deklaron se është shkarkuar nga detyra edhe K/Komisari A.Hitaj, me detyrë Shef policie, me motivacionin si i papërshtatshëm për të punuar në policinë e burgjeve, për shkak të dënimit të tij me vendim gjykate në vitin 2015 për veprën penale shpërdorim detyre.
Ndërsa kanë nisur masat disiplinore për shkak të shkeljeve të procedurave operacionale dhe administrative si dhe për mosraportim të ngjarjes, në ngarkim të 12 punonjësve në total, 4 punonjës të IEVP Peqin, ndër të cilët 3 punonjës policie dhe 1 staf civil si dhe për 8 punonjës policie të Forcave operacionale të Drejtorisë së Policisë së burgjeve.
Fillimi i procedimit disiplinor ka filluar edhe ndaj Drejtorit të IEVP-së Peqin, për të cilën do të merren masat sipas parashikimeve ligjore lidhur me ngjarjen.
Ministria e Drejtësisë: Distancohemi, reformë në burgje
Ministria e Drejtësisë shprehet se distancohet nga ngjarje të tilla, ndërsa në burgje ka filluar reforma, e cila synon largimin e cdo punonjësi me precedent.
“Sigurojmë opinionin publik se nuk do të tolerohet asnjë rast dhune apo keqtrajtimi ndaj personave që ndodhen në burgje apo paraburgime duke vendosur përpara përgjegjësisë penale apo administrative cdo punonjës në sistemin e burgjeve.
Reforma në burgje ka filluar, dhe nuk do të lejojmë asnjë punonjës në stafin policor të burgjeve, të cilët janë me precedentë penale si dhe shkelin të drejtat e njeriut të jetë pjesë e sistemit të burgjeve.
Ministria e Drejtësisë shpreh angazhimin e saj maksimal duke inkurajuar të gjithë organizatat jofitimprurëse të bashkëpunojnë në këtë nismë të ndërmarrë nga qeveria shqiptare me qëllim reformimin e sistemit penitenciar, për rritjen e profesionalizmit dhe integritetit të punonjësve që shërbejnë në sistemin e burgjeve dhe për ndëshkimin e cdo rasti abuzimi dhe dhune” mbyllet deklarata.
Denoncimi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në bazë të një sinjalizimi se, në IEVP Peqin është ushtruar dhunë ndaj një të dënuari, në dt. 04.10.2017 kreu një verifikim nga ku rezultoi se, në dt. 30.09.2017, rreth orës 22.30, në Sektorin e Sigurisë së Lartë të IEVP Peqin, Grupi i gatshëm i Policisë së Burgjeve ka ushtruar kontroll për sende të ndaluara. Gjatë këtij kontrolli, uniformat e policisë së burgjeve janë futur në qelinë nr. 12, të këtij sektori, ku kanë pyetur të dënuarit e pranishëm nëse kishin sende të ndaluara. I dënuari V. G., është përgjigjur se nuk kishin sende të ndaluara.
Pas kësaj përgjigjeje, i dënuari V.G pretendon se punonjësit e Grupit të gatshëm e kanë goditur atë me shkopinj gome në pjesë të ndryshme të trupit si në shpinë, bark dhe shputat e këmbëve.
Eksperti mjeko-ligjor në përbërje të grupit të KShH, pas ekzaminimit fizik të të dënuarit konstatoi katër ekimoza në shpinë dhe një në këmbën e djathtë sipër gjurit me gjatësi nga 5-15 cm, si dhe një hematomë në bark, majtas, me gjatësi rreth 10 cm, me ngjyrë mavi dhe të kuqërremtë të theksuar. Dëmtimet e mësipërme ishin lehtësisht të dukshme dhe të freskëta.
Zhdukni nga zyrat dhe rrasni në qeli shushunjat e LSI.
Mendoje,se, policise i lind e drejta te beje kontrolle ne qeli per gjera te ndaluara,dhe ketu nuk ka asnje gabim.Policia ka bere detyren,dhe nuk ma mere mendja qe ta kene bere pa urdher.E dyta,policia nuk mund t’a godasin kot te denuarin ne qeli.I denuari do jete sjell ndoshta keq,por megjithate nuk duhet ushtruar dhune.