Atentati në Lushnje/ Hoxha erdhi para një jave për dasmë, kushërira: Të të qaj ty apo motrën. Vëllai i Latifit: O do më vrasin, o…

13 Tetor 2017, 15:32Kronika TEMA

Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi i kanë parë atentatorët, por nuk i mbijetuan dot sulmit me breshëri kallashnikovi. Dy të rinjtë ishin ulur në një tavolinë para lokalit bar-kafe, afër vendit të quajtur “Ura e Përroit” së bashku me 26-vjeçarin Marjus Xhepexhiu dhe Saimo Xhelilin, kur kanë parë automjetin tip “Benz” (po vinte shëtitorja e qytetit të Lushnjës), në të cilin ndodheshin kundërshtarët e tyre. Në çast, 23-vjeçari Zamir Latifi ka thirrur: “Çuna na vranë!”.

Kjo një thirrje e dëshpëruar, pasi masakra ka ndodhur shumë shpejt. Ndonëse të rinjtë janë ngritur menjëherë nga karriget dhe kanë tentuar të ikin duke dalë në rrugën kryesore, autorët i kanë vënë direkt në shënjestër. Zamir Latifi është bërë shoshë, pasi ka marrë në trup 35 plumba. Ndërsa shoku i tij 22-vjeçar, Jurgen Hoxha ka marrë 7 plumba në trup. Dy të rinjtë kanë dhënë shpirt në rrugë. Ndërsa, ka mbetur i plagosur me 2 plumba (një në krah e një në këmbë), Xhepexhiu, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën. Sulmit i ka mbijetuar i riu Sajmo Xhelili, i cili pohohet të ketë qenë në shënjestër të atentatit (më 25 shtator të vitit 2016, atij i është bërë një tjetër atentat) dhe kalimtari i rastit Bujar Turku, 66 vjeç.

Ky i fundit ka marrë një plumb në këmbë. Fati ka qenë me Xhulio Shkurtin, nipin e Aldo Bares (dhe ky shënjestër e atentatit të dy ditëve më parë), i cili vetëm 10 minuta para ngjarjes ishte larguar nga lokali ku po pinte kafe me miqtë e tij. Gjithçka ka ndodhur shumë shpejt, në sy të qytetarëve, të cilët kanë ikur nga sytë këmbët. I gjithë qyteti është përfshirë nga paniku. Një ditë pas ngjarjes me 2 të vrarë e 2 të plagosur, mësohet se autorë të dyshuar të masakrës janë Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili. Burime të besueshme u shprehën se Laert Haxhiu ka dalë jashtë “Benz”-it dhe ka qëlluar me breshëri kallashnikovi. Ndërkohë që Bilbili gjuante nga brenda makinës. Ngjarja e ndodhur pasditen e së mërkurës ka tronditur jo vetëm banorët e Lushnjës, por gjithë opinionin publik. Familjarët e viktimave janë shokuar, ndërsa kanë hapur dyert e mortit. Pasditen e djeshme i është dhënë lamtumira e fundit Jurgen Hoxhës, i cili një javë më parë kishte ardhur nga Holanda.

Reagimi i familjareve te viktimave

Kishte ardhur nga Holanda, pasi do të martonte vajzën e dajës, por ka gjetur vdekjen në “shtëpinë” e tij. Vetëm 22 vjeç, Jurgen Hoxha është larguar nga kjo jetë. Familjarët e të afërmit e të riut nuk gjejnë dot ngushëllim. Në një status në “Facebook”, kushërira e parë e Hoxhës shkruan se nuk e beson dot atë që ndodhi. “O Shpirti motrës po ç’të them unë ty, ma helmove zemrën. Po si do ta shuaj un mallin për ty! Nuk të kisha djalë halle, por vëlla të madh. Ti do bëhesh dhëndër o i bukuri im. Ne do vinim krushk në dasmën e motrës sonë, javën që vjen. Kë të qaj un o vëlla për ty, apo për motrën që ka dasmën pas një javë. Po si do të të tresë dheu ty o vëlla. Më dhemb shpirti o Geni.

Nuk mund ta besoj këtë që ndodhi… Motra jote nuk do të të harroj kurrë”, shkruan S.J. Mesazh rrënqethës ka shkruar dhe vëllai i Zamir Latifit, i cili në “Facebook” mban emrin Mario Corana. “Shpirti im si kemi qeshur para tri ditësh dhe më the që kështu dua të të shoh gjithmonë të qeshur, por sot mi mbylle sytë me lot dhe kjo zemra ime nuk duron dot. Ti ishe dhe je jeta ime shpirti i vëllait. Të dua më shumë se gjithçka. Këtë këngë e dëgjonim bashkë dhe do vazhdojmë ta dëgjojmë bashkë vëllai im”, shkruan Mario. Pas këtij mesazhi prekës, miqtë i kanë shkruar atij në rrjetin social. Por, Mario duke iu përgjigjur atyre, shkruan në një koment: “O do më vrasin dhe mua, o do t’i vras unë ata që më vranë shpirtin tim, zemrën time”.(GSH)

3 komente në “Atentati në Lushnje/ Hoxha erdhi para një jave për dasmë, kushërira: Të të qaj ty apo motrën. Vëllai i Latifit: O do më vrasin, o…”

  1. mirel says:

    Iku dhe ky per qifulla.
    Pse o lumadh ne facebook do hakmerresh?
    Apo te ta hwleqin dhe ty ndonje shpejt e shpejt

  2. dyli says:

    kshu shkojne kto pune

  3. Bledi says:

    Po ky gazetari nuk shkoi ne vendngjarje te merrte ndonje koment po ja ka fut duke pi kafe duke bere copie nga facebook.hajde pune hajde gazetare kafenesh, me falni desha te thosha terreni.Ngushellime familjes gjynaf i madh te shuhet jeta tek te 20tat.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje