Dy persona që ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar u arrestuan në Durrës, për t’u ekstraduar drejt Italisë.
Policia sqaron se Arben Plaku 51 vjeç, i etiketuar nga mediat italiane si një nga “kryemafiozi” i mafies shqiptare dhe motra e tij Resmije Rrahmani (Plaku) 57 vjeçe, janë vënë në pranga.
Arrestimi i tyre u bë gjatë një aksioni të specialistëve për Hetimin e Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Efektivet e Komisariatit të Policisë Shijak. Materialet për rastin i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.
“Gjykata e Xhenovas në Itali, për shtetasin Arben Plaku, me vendim Nr. 22182/00 R.GIP, e Nr.16817/01, ka lëshuar urdhër arresti për veprat penale ‘Pjesëmarrje në organizata kriminale’, ‘Shfrytëzim prostitucioni’, ‘Vjedhje me dhunë’ dhe ‘Kontrabandë të personave’.
Edhe për shtetasen Resmije Rrahmani, e njëjta gjykatë me vendim Nr. 282/2013 SIEP e ka dënuar me 3 vite e 3 ditë burgim për veprën penale ‘Shfrytëzim prostitucioni në bashkëpunim’.
Arben Plaku dhe e motra janë shpallur në kërkim nga Interpol Roma më 17 Mars 2015”, deklaron zyrtarisht policia.