Napoli – Inter, sfidë për të ruajtur pathyeshmërinë në kampionat

21 Tetor 2017, 12:21Sport TEMA

Takimi më i fortë i javës së nëntë të Serisë A, do të luhet në Stadiumin ‘San Paolo’, mes Napolit dhe Interit, në orën 20:45 dhe para së gjithash do të shërbejë për të kuptuar edhe reagimin e këtyre dy ekipeve, nën presionin që përcjell natyrshëm veshja me petkun e favoritit. Është ende shumë herët për të folur për titullin, megjithatë “të kaltrit” që tani kanë thyer rekordin e klubit, teksa kanë 100% të pikëve në tabelën e renditjes, pas 8 javëve kampionat.

Dëmtimi i Milik për momentin nuk po ndihet dhe dy humbjet me Shakhtar-in dhe City-n në Champions përbëjnë edhe disfatat e vetme në këtë fillim sezoni për ekipin e Sarrit. Në të dy rastet, Napoli u mund jashtë fushe, ndërsa këtë radhë gjërat janë ndryshe, pasi në ‘San Paolo “të kaltërit” kanë fituar të nëntë ndeshjet e fundit kompetitive.

Në anën tjetër “zikaltrit”, të udhëhequr nga Icardi, paraqiten në Campania pas fitores dramatike në derbin me Milanin. Gjithsesi ndryshimi i Interit u kuptua qartë pak a shumë që në fazën përgatitore, në përballjet me skuadrat e Lionit, Bajernit apo dhe Chelsit, ndërsa aktualisht skuadra e Spallettit numëron 12 fitore në 13 ndeshjet e fundit, ku përjashtim bën vetëm barazimi në ‘Dall’Ara’ me Bolonjën.

Interi nuk ka në dispozicion mesfushorin Brozoviç, ndërsa te Napoli është në dyshim Lorenzo Insigne në sulm, gjithsesi pavarësisht lodhjes së mesjavës, ekipi i Maurizio Sarri-t synon 3 pikët për t’u shkëputur akoma më shumë në tabelën e renditjes, për më tepër “azzurri”-t, përveç 6 pikëve në takimet e edicionit të kaluar, kanë fituar në ‘San Paolo’ gjithashtu edhe pesë përballjet e fundit ndërmjet tyre në Serinë A. Në total, të dyja skuadrat janë takuar 142 herë, nga të cilat 63 ia ka fituar Interi, 45 Napoli dhe 34 kanë përfunduar në barazim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje