Drejtori i TV Klan Kosovës, Baton Haxhiu, ka prezantuar rezultatet e një exit-polli.
Sipas tij, në 7 qendra të Kosovës do të ketë balotazh, përderisa Peja ende nuk dihet nëse do të përballet me balotazh.
Qendrat e votimit janë mbyllur në orën 19:00.
Më poshtë mund të shihni rezultatet:
Prishtinë: Balotazh ndërmjet VV-së dhe LDK-së
Ferizaj: Balotazh ndërmjet LDK-së dhe PDK-së
Gjakovë: Balotazh ndërmjet Alternativës dhe AAK-së
Mitrovicë: Balotazh ndërmjet PDK-së dhe AKR-së
Gjilan: Balotazh ndërmjet LDK-së dhe VV-së
Prizren: Balotazh ndërmjet PDK-së dhe VV-së
Pejë: Nuk dihet a do të ketë balotazh, LDK-ja është e para, pasohet nga AAK-ja.
Keshtu, bazuar në rezultatet e publikuara nga Klan Kosova, del se Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes do të shkojë në balotazh me Arban Abrashin e LDK-së. Edhe për asamble komunale, Vetëvendosja ka dalë e para me 39 për qind, kurse LDK-ja me 29 për qind.
Në Pejë, kandidati i LDK-së, Gazmend Muhaxheri, është afër të kalojë pa balotazh derisa i dyti në garë është Fatmir Gashi i AAK-së.
Edhe në Gjilan pritet të ketë balotazh sipas exit-pollit. Atje, Lutfi Haziri do të përballet me Sami Kurteshin e Vetëvendosjes.
Në Prizren shkojnë në balotazh, PDK-ja me Shaqir Totajn ndaj Mytehar Haskukës së Vetëvendosjes.
Në Mitrovicë, PDK-ja ka dalë e para me Valdete Idrizin dhe shkon në balotazh me Agim Bahtirin e AKR-së.
Në Ferizaj pritet të përballet përsëri LDK-ja e PDK-ja derisa Vetëvendosja ka mbetur e treta.
Edhe kandidatja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, do të jetë në garë të balotazhit në Gjakovë, madje duke prirë para kandidatit të AAK-së, Ardian Gjini.