LUP-JAVA, Kategoria Superiore java 7-të

24 Tetor 2017, 13:39Sport TEMA

Nga Ervin Baku

Asnjë surprizë…! Java uli siparin në Durrës. Aty ku Skënderbeu kryesues u zgjua vetëm në pjesën e dytë. Fillimi tregoi se Teuta do të figuronte surpriza e javës,mirëpo në të dytën, pas avantazhit provizor, pësoi një “thes” me gola (i katërti me një penallti të paqenë, korçarët nuk kanë fare nevojë për të tilla) duke mbetur prej javësh në zonën poshtë.

Te Skënderbeu është krijuar bindja se ata janë të pamposhtur. Sot, kanë të drejtë. Fitore me goleadë në Durrës, hap kampioni. Ernest Gjoka dhe Hasan Lika startojnë me humbje në krye të pankinave të Vllaznisë dhe Luftëtarit.

I pari u mund nga Partizani racional, teksa goli i minutës së tretë mbeti i paprekur deri në fund. Një ndeshje ku portierët nuk patën fare punë. E turpshme situata me tifozët. Forcat e rendit duket se kalojnë rregulloren duke përzënë nga vendqëndrimi mbështetësit e kuq. Gjithësesi, Partizani për rekord, tri fitore radhazi. “Hijet”, pas. Ato (hijet) spostohen në takimin e Gjirokastrës.

Takim që prodhoi një keqkuptim të madh. Gol fantazmë nga Bakaj, i cili nuk respektoi fair-play-n. Andi Koçi, gjyqtari prej të cilit pritet shumë, nuk gjeti “nenin” e asaj vërshëllime nga shkallët e tribunave duke bërë lëmsh sfidën që më pas Kukësi e fitoi pastër. Skuadra verilindore, në rritje, treguesit teknikë, së fundi shoqëruar dhe me lojë impresionuese. Për Luftëtarin, sirena nga Kategoria e Parë…aty ku Lushnja duket se mban “vrapin”.

Është Laçi ekipi që, me një ansambël për t’u admiruar, i jep një dush super të ftohtë në “Roza Haxhiu”. Në të gjithë komponentët, lojë,gola dhe shtyrje për largimin e Banos… Gjithësesi është ende herët, skuadra ka shumë arsye për të besuar e luftuar në frontin e të “fortave”. Në këtë “sofër”, natyrshëm edhe Flamurtari e Kamza.

Dy skuadrat matën”brirët” në Vlorë, ndërsa një gol i Bicajt në fund bëri diferencën. Edhe këtë radhë pati kontestime për dy penallti, veçse ajo e minutës së fundit që nuk ju akordua Kamzës (ku gjyqtari me siguri përdori logjikën e ligjit të kompensimit, pasi nuk i kishte akorduar një penallti vlonjatëve në pjesën e parë), vështirë të kapërdihet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje