Shqipëria, rekord botëror: Në 2015-n, konsumi i kokainës arriti në 3.7% të popullsisë. Në një vit numri i përdoruesve u rrit me 48%

24 Tetor 2017, 09:19Kronika TEMA

Zyra për Drogën dhe Krimet e Kombeve të Bashkuara (UNODC), bëri të ditur së fundmi se Shqipëria është vendi që ka prevalencën vjetore më të lartë të përdorimit të kokainës në botë, me 2.5% të popullsisë nga mosha 15-64 vjeç.

Pas Shqipërisë, përdorimin më të larë të kokainës e kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një prevalencë prej 2.3%. Më pas renditen shtetet e Mbretërisë së Bashkuar (Skocia 2.34%, Anglia dhe Uellsi 2.25%. Spanja është e treta në Europë, me prevalencë 2.2%. Nga shtetet e tjera në botë ka një përdorim të lartë të kokainës në Australi (2.1%), Uruguai (1.8%), Kili (1.73%). Interesant është që Kolumbia, një nga prodhuesit më të mëdhenj, ka një prevalencë të ulët prej 0.7%.

UNODC i referohej të dhënave zyrtare që i ishin raportuar nga Instituti i Shëndetit Publik për vitin 2014 (shiko hartën më poshtë).

Instituti i Shëndetit Publik ka përditësuar tashmë të dhënat për vitin 2015, ku rezulton se tendenca e përdorimit të kokainës ka një rritje të ndjeshme në vetëm 1 vit, duke u shkëputur dukshëm nga shtetet pas nesh në renditje.

Prevalenca gjatë jetës e kokainës për Shqipërinë, nga të dhënat e mbledhura në “Studimin Europian mbi Përdorimin e Alkoolit dhe Drogave”, ishte 3.7% për popullsinë e grup-moshës 15-64 vjeç, sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Shëndetit Publik, të bëra të ditura për Monitor. Në vetëm një vit, prevalenca e përdorimit është rritur me 1.2 pikë përqindje, ndërsa në krahasim me vitin 2011 është rritur me 2.1 pikë përqindjeje.

Në vlerë absolute, bazuar në përqindjen e përdoruesve dhe të dhënat e popullsisë, numri i përdoruesve gjatë jetës të kokainës u rrit në 2015-n me 48%, krahasuar me të dhënat e një viti më parë, për grupmoshën nga 15-64 vjeç.

Të dhënat e vitit 2015, të vëna në dispozicion për “Monitor” në gusht të këtij viti, nga Instituti i Shëndetit Publik tregojnë se ka një rritje të prevalencës gjatë jetës për pothuajse të gjitha drogat ilegale.

Rritje të prevalencës gjatë jetës kanë njohur edhe drogat e tjera të forta, si heroina, ku gjatë 2015-s prevalenca ishte 1.7%, nga 0.7% në 2011-n.

Në total, sipas të dhënave të vëna në dispozicion nga Instituti i Shëndetit Publik prevalenca gjatë jetës e të gjitha drogave ilegale  ishte 15.3%, nga 13.3% në 2011-n.

Pse po rritet përdorimi

Rritja e përdorimit të drogave më të forta lidhet me shtimin vitet e fundit të konsumit të kanabisit, që është faza primare drejt kalimit drejt narkotikëve të tjerë, si kokaina, ose heroina, me çmimet e ulëta, por edhe me lehtësinë e gjetjes së këtyre produkteve.

 Të rinjtë pjesa më e rrezikuar

Sipas të dhënave nga sondazhi i fundit i Institutit të Shëndetit Publik 11.7% e grup moshës 15 deri në 34 vjeç kanë provuar të paktën një herë në jetë kanabis dhe 4.7% kokainën.

Të dhënat janë edhe më shqetësuese për të rinjtë, që kanë raportuar përdorim të kanabisit dhe kokainës të paktën një herë në muaj. Shëndeti Publik ka raportuar se prevalenca e përdorueseve të cilët kishin provuar kanabis në muajin e fundit është 4.1%, ndërsa e kokainës 1.4%.

Statistikat tregojnë se përqindja e madhe e personave që janë në trajtim me metadon (substancë që përdorët për trajtimin e varësisë nga heroina), drogën e parë të eksperimentit kanë pasur hashashin dhe më pas kanë kaluar në përdorimin e drogave të tjera më të rënda si kokaina dhe heroina.

Ervin Toçi, ekspert në Institutin e Shëndetit Publik dhe koordinator për Shqipërinë në Qendrën Europiane për Monitorim e Drogave dhe Varësisë nga Droga (EMCDDA) thotë se grupi më i brishtë për përdorimin e drogave të jashtëligjshme është grupmosha 15-34 vjeç.

Sqarim: Me prevalencë gjatë jetës kuptohet pjesa e popullsisë që në një pikë gjatë jetës së tyre (deri në momentin e deklarimit) kanë provuar (përjetuar) diçka. Të dhënat për prevalencën e përdorimit të drogave për të gjithë popullsinë janë mbledhur me anë të anketave, ku grupet kanë mbledhur të dhëna nga terreni. Ndërsa prevalenca e përdorimit te të rinjtë është mbledhur me anë të anketave në shkolla.(Monitor)

5 komente në “Shqipëria, rekord botëror: Në 2015-n, konsumi i kokainës arriti në 3.7% të popullsisë. Në një vit numri i përdoruesve u rrit me 48%”

  1. violeta says:

    Jane ne vehte keta te huaj qe i besojne te dhenave te Institutit te Shendetit publik te Shqiperise ku jane te punesuar vetem agronome e veterinere qe gjithe diten e kalojne ne kafe duke pire raki dhe shikojne ku te vjelin ndonje gjobe.

  2. berberi says:

    e ka thon sala vet
    “jemi kampjon bote
    kampjon te vertet.

  3. lora says:

    Si çdo çudi ne vendin tim, jam dhe çudia e shifrave qe japin dhe sidomos kur i japin te huajt apo organizata “prestigjoze”. Nga nxirren shifrat qe shqiptaret konsumojne kaq e aq kokaine? Cilat jane statistikat dhe ku e kane burimin kur nuk dihet sakte se sa shqiptare banojne ne Shqiperi, pa le me se sa pine çaj mali apo çaj dafine? Degjoj shpesh qe thone , departamenti amerikan i shtetit, thoe se kaq njerez apo kaq perqind e popullsise ben kete apo ben ate! Po edhe sikur te administrohej nga FBI apo CIA vendi, ata s’kane asnje leter te besueshme matematika per te nxjerre statistika te sakta. Kush i numuron apo raporton? Apo me keq dhe sondazhet; pyeten ne telefon 1000 vete per te marre nje mendim politik: po sikur ata 1000 vete te jene vetem simpatizante te ps apo vetem te pd, a do te ishte rezultati sondazhit bindes? Mire ne politike qe i pertypin e dredhin fjalet si duan, por arithmetika nuk te pranon keshtu. Shifra shkruaj sa te duash, por ti mbledhesh e zbresesh si te do qejfi nuk behet. Megjithate u mesuam qe te genjejme te gjithe, te flasim te gjithe, te degjojme te gjithe dhe te besojme si na e ka qejfi e jo si eshte e verteta. Sa larte arritem! Kemi arritur aq larte, sa çdo dite thyejme koken.

  4. Papa says:

    Hahaha thashe dhe une se ca. Dmth nje njeri si Ervin Toci I ka thene OKB nr kemi kaq te drogue? Hahahha

  5. Xumi says:

    Ik kontrolloni shifrat se s’ka shanse qe te kete ne Shqiperi me shuem perdorues drogrash se Spanja, ku Barcelona eshte kryeqyteti i drograve, ose Greqise apo fiseve te Amerikes Latine ku bima e kokes perdores si karamele nga gjithe popullata. Keto shifra jane brockulla. Ose keta tanet qe kane raportuar keto shifra jane idiot ose te anketuarit ( nese me verte ka patur anketa) jane hapur kot b.thesh se se kane marr vesh per cfare behet fjale.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje