Legjenda e futbollit vlonjat dhe shqiptar, Sokol Kushta, e cilëson të ulët dhe të poshtër dënimin e dhënë nga Komisioni i Disiplinës së FSHF-së. Kushta nuk ngurron ta cilësojë këtë një sulm personal dhe një luftë mendjemadhësie të presidentit të FSHF-së apo personave pranë tij që kanë vendosur të dënojnë futbollin e të gjithë qytetit.
Në postimin e tij në Facebook, legjenda vlonjate shpjegon se dënimi në fjalë është absurd edhe për faktin se në çdo stadium ka fyerje, por askush nuk është dënuar kaq rëndë sa Flamurtari.
Postimi i Kushtës
Duke ndjekur ecurinë e ngjarjeve te Flamurtari, nuk më pëlqen që goditjet që i jep Federata, dhe pinoket afër presidentit, janë kaq të ulëta dhe të poshtra, sa që ndjellin vetëm urrejtje…
Nuk e di… është me urdhër nga presidenti apo jo… prapë është gabim. Një ndeshje e bukur… me të gjitha që i ka futbolli, sjell një dënim për ata pak tifoza që duan Vlorën. Nuk e di ç’ka presidenti me administratorin e Flamurtarit… dhe s’më intereson… që në këtë rast administratori s’ka faj…
Por komisionet që duhet të ishin të pavarura, janë gabim me këto vendime të njëanshme. Dëgjova në Shkodër sharje… dhe në Laç dhe Durrës, Gjirokastër, Korçë dhe kaq ndeshje s’është dënuar asnjë ekip. Dhe në të gjitha stadiumet ku lozet futboll dëgjohen të tilla reagime…
Por ky dënimi në Vlorë kaloi në një përplasje personale Duka-Idrizi, me tifozët e Vlorës dhe qytetin të vuajë pasojat e kësaj lufte mendjemadhësie nga presidenti i FSHF dhe komisioni i Etikës gjoja i pavarur. Prandaj lëreni Flamurtarin të lozi futboll dhe sportdashësit të mbushin ato pak shkallë të ftohta të stadiumeve tona…