Partizani i Beogradit u lutet tifozëve të tij që të mos përmendin fjalën “shqiptar” gjatë ndeshjes kundër Skënderbeut. Asnjë kor, asnjë këngë që përmban këtë fjalë, pasi UEFA do ta cilësojë menjëherë si fyerje dhe përfundimi do të jetë i thjeshtë: përjashtimi pa asnjë lloj kushti nga Europa.
Drejtori i përgjithshëm i Partizanit të Beogradit, Milosh Vazura, bëri të ditur se si është situata para ndeshjes. “Fansat këndojnë këngë për Kosovën, por në asnjë moment nuk duhet dëgjuar fjala “shqiptar”. UEFA e ka cilësuar këtë si një frazë ofensive nëse thuhet nga tifozët tanë dhe mund të na ndëshkojë për të. Ne i bëjmë apel tifozëve të mbështetin Partizanin dhe të mos bëjnë gjëra që mund të përdoren kundër nesh, pasi nuk mendoj se do të na ndëshkojnë më me gjoba, apo me ndeshje me tribuna të zbrazura. Ata do të na përjashtojnë nga Europa”, tha Vazura që tregoi masat e ndërmarra nga klubi.
“Do të jenë në punë 95 kamera sigurie të cilat do të mbikëqyrin çdo cep të stadiumit dhe kanë aftësinë të bëjnë zoom deri në 36 herë. Kjo do të thotë që fytyra e çdo tifozi do të identifikohet deri në madhësinë që duhet për kartë identiteti. Kushdo që shkakton një incident apo thotë një fjalë të ndaluar, do të shoqërohet nga policia. Kemi punësuar rreth 700 punëtorë sigurie apo policë, ka edhe civilë në mes të turmës”, tregoi drejtuesi i Partizanit.