Gjatë së dielës në reaminacionin e QSUT-së, ka vdekur i dënuari 74-vjeçar Brahim Facaj, i cili vuante dënimin për veprën penale “Vrasja”.
Nga veprimet e kryera rezulton se, vdekja ka ardhur nga shkaqe natyrale.
Emri i tij tronditi mbarë opinionin publik në vitin 2006, kur u zbulua se ai së bashku me bashkëshorten Nurijen ishin autorë të vrasjes së vajzës së tyre, Afërditës, vetëm 20 vjeç.
Ata e kishin vrarë vajzën në vitin 1996 pas kthimit të saj nga Italia dhe e kanë varrosur vetëm disa metra nga shtëpia e tyre, shkruan Panorama. Ata kanë bërë të pamundurën që ky krim të mos zbulohej.
Pas hetimeve të vazhdueshme të policisë rasti është zbuluar dhjetë vjet pas vrasjes, respektivisht në vitin 2006. Gjykata e Shkodrës ka dhënë vendimin për Brahim e Nurije Facajn nga fshati Drisht i komunës Postrribë në Shkodër, të akuzuar për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim dhe fshehje të krimit.
Për babanë e viktimës, Brahim Facaj, gjykata ka vendosur 25 vjet burg, ndërsa për bashkëshorten e tij, njëkohësisht njerka e viktimës ka vendosur 15 vjet burgim.