Javën e ardhshme në Këshillin Kombëtar të Territorit do të miratohet masterplani i zhvillimit të Alpeve, me synimin për t’i shndërruar shumë shpejt në destinacionin më të fortë dhe më unikal turistik që Shqipëria mund të ofrojë.
Projektin, i cili është në fazën e përgatitjes, e prezantoi vetë ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë ceremonisë së konkursit “Ide të biznesit në Alpet Shqiptare”.
“Në Këshillin Kombëtar të Territorit, javën e ardhshme në Shkodër do të diskutojmë dhe miratojmë masterplanin e zhvillimit të zonës së Alpeve duke u bazuar qind për qind në idenë që Alpet do të duhet të zhvillohen në legjendën dhe bukurinë e tyre të madhe natyrore, në paprekshmërinë e vlerave dhe bukurive të mahnitshme që kanë,” u shpreh Klosi.
Ministri Klosi nënvizoi se projekti do të bazohet mbi idetë e vetë banorëve të zonës dhe premtoi se do të mirëmbahen dhe hapen shtigje të reja në Alpe.
“Do të duhet të zhvillohet në idetë tuaja familjare për të patur mundësi që të jetë një biznes për ju, por të jetë dhe një mënyrë mirëmbajtjeje për të gjitha zonat që do të mbështeten në bizneset tuaja,” nënvizoi ai.
Më herët në konkursin “Ide të biznesit në Alpet Shqiptare” u prezantuan 23 ide biznesi të zhvilluara nga pjesëmarrësit të cilat lidheshin më çështjet e zhvillimit të turizmit si përmirësimi i kushteve dhe shërbimit në bujtina, diversifikimi i ofertës turistike, shfrytëzimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore etj.