“New York Times” trondit Milanin: Presidenti kinez i ekipit italian është i mbytur në borxhe, s’ka perandori minierash

17 Nëntor 2017, 20:00Sport TEMA

Li Yonghong krijoi shumë iluzione për tifozët e Milanit, kur bleu ekipin italian.

Ai bëri një merkato të fuqishme, duke shpenzuar mbi 200 milionë euro, dhe siguroi se do ta rikthejë Milanin shumë shpejt në majën e futbollit italian dhe atij europian.

Por, gazeta prestigjioze amerikane New York Times, ka hedhur dyshime të forta për pasurinë e tij.

Gazeta amerikane shkruan se Li nuk është përmendur asnjëherë në listën e personave më të pasur në Kinë dhe perandoria e minierave që ai thotë se zotëron, nuk njihet as në vetë qarqet e minierave në Kinë.

Sa u takon minierave të fosforit, në dokumentacionet e autoriteteve kineze, ato nuk figurojnë në emër të pronarit të Milanit.

Madje, zyrat e kompanisë së tij në Guangzhou, ku thotë se ka qendrën, ishin të boshatisura prej kohësh në momentin që u vizituan nga gazetarët e New York Times.

Ata gjetën vetëm shënimin: “Mbyllur për mospagim qiraje”.

Gazeta amerikane shkruan se vetëm brenda një viti, miniera në fjalë është shitur dhe blerë plot katër here, madje në dy raste me kosto zero.

Dhe në asnjë rast, nuk figuron kompania e presidentit të Milanit.

Gazetarët amerikanë kontaktuan me përfaqësues të Li, por ata nuk kishin asnjë koment për këto pretendime.

Ata u mjaftuan duke thënë se “perandoria e minierave të Li Yonghong është verifikuar nga avokatët dhe bankat italiane”.

Li bleu plotësisht Milanin në muajin prill për shumën e 860 milionë dollarëve nga Silvio Berlusconi, por shkrimi i gazetës së njohur amerikane mund të jetë një sinjal alarmi për tifozët e Milanit, ekip që edhe në fushën e lojës nuk është duke kaluar një moment të mirë.(TemA)

1 komente në ““New York Times” trondit Milanin: Presidenti kinez i ekipit italian është i mbytur në borxhe, s’ka perandori minierash”

  1. Interist says:

    hihihihi milaniste behuni gati per Serine B ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje