Ilir Yzeiri
(Një shënim i vonuar për librin “Vjeshta është mizore” të lirikut shqiptar, Sherif Bali)
Sherif Bali, ashtu si Lazgush Poradeci, është shndërruar në një hije, në një fantazmë që, nganjëherë të duket sikur ka jetuar në Rilindje, nganjëherë të duket se ka jetuar shumë më tutje në kohë. Në qoftë se e ke të vështirë ta kujtosh se kur ka lindur, ku jeton, në cilën kohë ka shkruar, nuk e ke aspak të vështirë që të thuash se Sherif Bali është poet që të duket sikur ka jetuar në disa kohë, por nëse do ta kujtosh, ai, ashtu si hije, të shfaqet vetëm në vjeshtë. Ka më shumë se katër dhjetëvjeçarë që shkruan, por vetëm pas viteve ’90 arriti të botojë poezitë e tij në libra apo në vëllime poetike të pacensuruara. Më së shumti, vjershat e tij qarkullonin mes miqsh dhe të gjithë mahniteshin me këtë poet, të cilit, ashtu si Eseninit, i shkon përcaktimi “organ që ka lindur për të shkruar vjersha”. Sherif Bali është i gjithi një pikëllim, një vuajtje, trishtim, por një trishtim i ëmbël, një pikëllim gazmor, është edhe një këngëtar i pashoq që rindërton botën që mban ekuilibrin e njeriut me natyrën dhe i jep atij ndjesinë se mrekullia e jetës nuk është ajo që shohin sytë, por ajo që sheh shpirti. Sherif Bali, gjithë duke qenë poet, trishtimin apo vuajtjet e jetës i ka kthyer në buzëqeshje. Kur lexon poezitë e tij, është njësoj sikur ke atë përballë, gjithmonë me dëshirën që edhe dramat më të mëdha t’i rrëfejë siç rrëfejnë fëmijët me naivitet lojën e tyre, t’i bëjë të tjerët të buzëqeshin.
“Vjeshta është mizore” është ndoshta antologjia lirike më e bukur e poezisë shqiptare të dhjetëvjeçarëve të fundit. Bashkë me poezitë e Frederik Reshpjes e Ilirjan Zhupës, kjo antologji formon një trekëndësh magjik dhe rrëfen se natyra, ambienti fshatar, mjedisi idilik, rruga e fshatit, hëna, shega, pjepri, stinët, por dhe loja me emërtimet racionale e të ftohta dhe vjeshta sidomos, mbajnë brenda aq ndjeshmëri dhe aq melankoli e mall sa nganjëherë të masakrojnë me bukurinë e tyre dhe bëhen, ashtu siç thotë Sherifi, mizore.
Kam një histori të veçantë me këtë libër. Sherifin e kam njohur herët, qysh atëherë kur unë sapo kisha filluar punë në Universitetin e Elbasanit dhe familja ime ishte transferuar në Lushnje. Kur shkoja te prindërit, rrija me Halil Jaçellarin, Bujar Xhaferrin e miq të tjerë aty. Në atë kohë e kam njohur dhe Sherifin që vinte gjithmonë natën, në mbrëmje, sepse mbaronte punën vonë, shumë vonë. Pastaj, aty nga viti 2009 e pata takuar rastësisht në hollin e Universitetit “A. Xhuvani” dhe ishte po ai Sherif, i buzëqeshur, me të folmen sureale dhe gjithë dritë. Aty më dhuroi librin “Vjeshta është mizore”. Kishte botuar dhe libra të tjerë, por, ashtu me të qeshur si gjithmonë, më tha se unë botoj po … dhe fjala iu pengua e ai e kaloi me shaka e me të qeshur siç i ka kaluar të gjitha dramat e jetës së tij. Unë e kuptova. Dhe e dija se për Sherifin të gjithë thoshin se është poet i madh, por askush nuk e përmendte. Vendosa të shkruaj dhe u betova se do të shkruaja për këtë vëllim që e lexova me një frymë… por edhe unë u bllokova. Nuk e kuptoja pse. Më në fund, vjet vendosa që të shkruaja për këtë vëllim dhe për Sherifin. Librin e tij me poezi e futa në çantën e punës dhe vendosa që do të gjeja kohë që të merresha edhe me të. Edhe kur u takova me Ilirian Zhupën edhe kur shkrova për vëllimin e tij me poezi vjet, i pata thënë Ilirianit se pas librit tënd do të shkruaj për Sherifin. Dhe nisa të shkruaj. Mirëpo kaloi dhe vjeshta e vjetshme dhe nisa të bllokohesha përsëri. Më ishte fiksuar ideja se për Sherifin duhet të shkruaja vetëm në vjeshtë. Mirëpo pikërisht në fund të vjeshtës së tretë dhe në fillim të dimrit, vjet, më vdiq miku im më i ngushtë, Andrea Stefani, dhe shkrimi për vëllimin e Sherifit përsëri u ndërpre. Dhe ashtu, çdo ditë dilja nga shtëpia me labtopin dhe me librin “Vjeshta është mizore” në çantë, duke besuar se, në një farë mënyre, kështu nuk e kisha harruar Sherifin dhe librin e tij. Dhe ja, erdhi vjeshta e sivjetme dhe unë thuajse çdo ditë kujtohesha për Sherifin që e mbaja në shpinë dhe që duhej ta shkarkoja në ndonjë cep të vjeshtës. Kur befas, një ditë ai më shfaqet dhe hyn në sallën e Bibliotekës Kombëtare. Ishte fundi i tetorit. U ngrita, u takuam, i thashë historinë me librin e tij, i tregova se si më largohej ai dhe libri i tij sa herë që unë doja t’i prekja e t’i shfletoja dhe u betova se këtë vjeshtë nuk do të më shpëtonte më. “Unë jam muaji i katërt i vjeshtës, më tha Sherifi gjithmonë duke qeshur, ndaj është vështirë të më kapësh, sepse nuk shfaqem, endem si hije.” Duke e ditur këtë u ula më në fund dhe sot do t’ju tregoj për Sherifin dhe vjeshtën e tij që ai thotë se është mizore. Po pse mizore?
Libri hapet me disa grimca autobiografike, por të dhëna me drojtje me një lloj vetironie dhe buzagazi që të bën jo vetëm të shijosh humorin e Sherifit, por dhe të kuptosh kotësinë e jetës dhe absurdin e asaj kohe që Sherifin e kishte persekutuar dhe e kishte klasifikuar në bir kulaku. Rrallë kam parë njeri dhe poet gjithashtu, që të qeshë dhe të shohë pas tragjedisë absurdin dhe irracionalitetin qesharak. Te Sherifi tragjikja dhe komikja janë një, janë vjeshtë e thellë, ngjyra që të hapin shpirtin. Po të lexosh poezitë e Sherifit, do të kuptosh se ke përpara një djalë të përjashtuar nga shoqëria, për shkak të biografisë, është bir kulaku dhe nuk mund të vazhdojë studimet, nuk mund të jetë pjesë e elitës. Është i detyruar të punojë si punëtor, ta bëjë shkollën e mesme natën, të endet arave si bujk dhe të mos jetojë në qytet. Mirëpo ai e sfidon këtë dënim me dhuntinë që i ka falur Zoti. Ai është poet dhe, megjithëse i zhveshur lakuriq nga të drejtat që i takojnë si njeri normal, ai mbështjell trupin dhe zemrën me bukuritë e vjeshtës, me hënën, me shegën, me fushën dhe, duke refuzuar jetën monotone të njerëzve të zakonshëm, ai ndërton një jetë paralele, por me të tjerë personazhe. Ai jeton si poet. Shpëtimi mesa duket ka qenë ndjeshmëria e tij e lartë dhe leximi. Të gjitha këto ai i tregon në poezinë e tij. Siç u thashë, libri hapet me disa grimca autobiografike. “A është vjeshta mizore?” titullohet parathënia autobiografike me grimca nga jeta sureale e Sherifit. Dhe fill pas saj, në dhjetë rreshta na tregon se cili është: “Fshatari nga Balaj”. Është nga Balaj i Lushnjes. Po kush jam unë që të shkruaj biografinë time? – pyet ai. Një fshatar nga “Rjazani” që nuk shkova dot në Moskë. Dhe ti vë buzën në gaz sepse këto reshta janë të Eseninit të madh, lirikut rus, me të cilin Sherifi ngjason edhe në portret. Dhe me humor vazhdon: “po edhe unë mezi shkova në vitin 2002 në Lushnje.”
“Vjeshta është mizore” titullohet grimca tjetër që shpjegon përmbajtjen apo shenjueshmërinë e kësaj sintagme. Pse mizore? Ai e ndien këtë dhe vetë pyet e vetë përgjigjet. Vjeshta mizore? Sherif, paske lojtur. Vijnë enumeracionet që të zgjerojnë kraharorin e të fusin në melankoli. Dhe këtu Sherifi, me lehtësinë e një semiologu të kultivuar dhe si mjeshtër i elipsës, zbërthen thelbin e poezisë së disa prej poetëve më të mëdhenj që ai i ka lexuar dhe që tek ata ka gjetur vjeshtën. «Vjeshta pjek mollët (pjek Safon), çan shegën (çan Lorkën), qëron portokallin, (bën thela-thela Preverin), hap barkun e Hemnguejit (nxjerr “Plaku dhe deti”), tymos kosheren, i heq një veshkë resë së Dritëroit, i shpon një vesh Sadies (vë një rimë të të shoqit). Ajo që gjeniu Pushkin e përmend në poemën e famshme homonime.» Pas kësaj ai citon katër vargje të kësaj poeme që ngjajnë si një epitaf për vjeshtën që, sipas Sherifit, është mizore. Ja vargjet e Pushkinit të cituara nga Sherifi:
Dhe rrjedhin një nga një varg ditët vjeshtës vonë…
Lexuesi im sa më pëlqen ajo.
Me bukurinë e saj të qetë gjithmonë
Si foshnja që askush familjes nuk e do.
Pastaj një strofë tjetër e ka veçuar si një grimcë tjetër autobiografike me nëntitullin “E më poshtë”:
Si t’ua them këtë? Ajo seç më pëlqeu
Siç ndodh që na pëlqen një vajzë e veremosur.
Fatzezë është ajo se vdekja pranë i vjen
Pa bujë e zemërim drejt varrit shkon brengosur.
Kjo është poezia e Pushkinit. Por befasia e Sherifit nuk mbaron këtu. Ai vendos si nëntitull të autobiografisë së tij që po e tregon në hyrje të librit shënimin:
(Përktheu shqip: Ismail Kadare).
Pra, nëse ti do të lexosh nëntitujt e asaj që në një libër normal do të ishte hyrje apo autobiografi, ti do të ndeshësh formulime që tregojnë jo jetën reale të Sherifit, por jetën e tij virtuale, jetën e tij në ëndërr dhe në një botë ku ai ka si bashkëqytetarë Safon, Preverin, Pushkinin, Eseninin, Kadarenë dhe të gjithë bashkë duket sikur enden në një vjeshtë që është e mbushur me mollë të kuqe, me shegë që çahen në dysh dhe gjithë kjo vjeshtë, po të mbyllësh sytë, në atë botë të ngurtë ku çonte jetën Sherifi, ishte si një fëmijë që në familje nuk e duan apo më keq, si një vajzë e veremosur. Mirëpo ky është vetëm njëri prej vegimeve që vjen nga vështrimi i Sherifit, sepse vegimi tjetër është lëngu i jetës. Sherif Bali është poeti që i këndon më bukur se cilido tjetër dashurisë dhe gëzimit të jetës. Për të jeta nuk është ajo që ndërtojnë njerëzit, regjimet, qeveritë. Ajo është ana qesharake e jetës dhe me atë Sherifi tallet, bën humor edhe duke vënë veten e tij në lojë. Jeta reale për të është ajo që e afron njeriun me natyrën, është ajo që ka sjellë nga ngjizja e njeriut e deri sot gëzimin e dashurisë. Dhe, në këtë rast, vjeshta është mizore, por është mizore si një oksimoron, pra si një figurë me dy të vërteta të kundërta. Në vjeshtë, thotë Sherifi, hahet më shumë buka, pihet më shumë rakia, pëlcet më shumë bubullima, ëmbëlsohet më shumë kripa, kripet më shumë sheqeri (figura brilante e oksimoronit), zbukurohen më shumë çupat. Por mbi të gjitha, vjeshta është stina e nuseve, stina e dasmave. Ajo ka martuar shumicën e njerëzimit, thotë ai. Dhe pastaj vjen konstatimi dramatik që mund të tregohet vetëm në poezi. Nga ana tjetër, duke martuar disa, ajo ka lënë beqarë disa të tjerë. Ua ka marrë të dashurat, ua ka dhënë të tjerëve, siç ka thënë gjeniu Kadare tek “Hëna përmbi plepa”:
Hëna përmbi plepa
Pllanga-pllanga qe
Plepin ti e preve,
Por hënën e le.
Vajzën ti e more,
nuse e çove larg.
Ajo shkoi, por zemrën
La aty përqark
Kadareja e kishte përkthyer Pushkinin, thotë më lart Sherifi, ndërsa këtu shkruan se Pushkini ende nuk e ka përkthyer Kadarenë.
Dhe vijnë pesë reshtat e fundit të kësaj grimce të hyrjes dhe Sherifi, ashtu i kursyer dhe eliptik siç është, përmend në fund se vjeshta te ne nuk ishte vetëm kjo, pra kjo vjeshtë e jetës paralele të poetit, ishte ndërkohë dhe një vjeshtë tjetër. “Në Shqipëri prapa vjeshtës tradicionale ishte një vjeshtë tjetër. Vjeshta e Partisë. Muajt e vitit nuk fillonin në datën 1, por në datën 8. (Kur kish lindur kjo vjeshtë!)” habitet ai. Kaq, me elegancë dhe pa asnjë retorikë ai tregon se vjeshta e tij ishte e shenjuar dhe nga një tjetër vjeshtë.
“Lekët që nuk qarkullonin” titullohet grimca tjetër autobiografike. Këtu marrim vesh se vëllimi “Vjeshta është mizore” është libri i tretë i trilogjisë poetike “Lekë që nuk qarkullojnë”. “Ai që ha njerëz” është nëntitulli i grimcës që vjen më pas. Këtu ai i ka lejuar vetes që të flasë edhe për anën e tij shoqërore. “Unë vij nga ajo shtresë e shoqërisë, -shkruan ai,-që në diktaturë quhej kulak. A e dini kush është kulaku? Ai që mbajti me bukë fukaranë. Aq më shumë luftën. Se me se e mbajtën frymën ata 70 mijë partizanë që dolën malit? Me propogandë ? Pastaj e hipën në gomar, i varën në qafë një këmborë e në shpinë një tabelë ku shkruhej «KULAKU: AI QË HA NJERËZ» dhe e shetisnin pazar më pazar për ta pështyrë e qëlluar me gurë turmat entuziaste (Ato turma që sot bëjnë mazhorancat)». Kaq shkruan Sherifi për të shkuarën e tij dhe nuk përmend asnjë detaj nga përjashtimi shoqëror që vuajti ai dhe familja e tij. Ah! Harrova! Për ta kaluar këtë situatë të sikletshme, në fund ai ka nevojë për një aspirinë. Po, po aspirinë se kështu titullohet grimca e fundit që mbyll me ironi hyrjen e librit të Sherifit. Autori tregon se po udhëtonte një ditë të vitit 1984 apo ’85 me tren dhe aty në krah të tij një plak rri i brengosur. Një djalë i gjatë, «një dybojësh», siç thotë Sherifi, e pyet se përse rri ashtu. Ai thotë se më ka ikur vajza me një «jevg». Po mirë, nuk ka asnjë gjë të keqe, i thotë ai, mjaft që duhen. Ore, ia pret më vonë ai, thuaj shyqyr që nuk të ka ikur me ndonjë djalë kulaku se pastaj do të kishe gjetur belanë. Mos, thotë me vete Sherifi dhe bota fillon t’i vijë verdallë. Çfarë ke, i thotë dybojëshi? Hiç, më dhëmb pak koka. Do një aspirinë, i thotë ai. Po ma jep, i thotë poeti. Dhe në fund, në epilog ai shkruan “Ka mbi 18 vjet që kampet e politikës Blu-Rozë hahen se kur është çliruar Shqipëria, 28, 29 … A vërtet e kini o burra? Shqipëria nuk është çliruar asnjëherë. As më 28, as më 29. Nëse u çlirua nga një pushtues fizik, u pushtua nga një tjetër më i tmerrshëm: ai ideologjik. Po ju s’e kini pirë atë kokrrën e aspirinës që piva unë në trenin e linjës Vlorë-Tiranë. Po ta kishit pirë, mbase do ta kishit shkruar ju librin “Vjeshta është mizore”. (Jo unë)”. E diel 5 korrik 2009.
Këtu mbyllet hyrja e librit që unë e analizova dhe e rrëfeva me imtësi, sepse ashtu në mënyrë eliptike Sherif Bali ka treguar jetën e tij si poet, jo si qytetari Sherif Bali që jetoi për më shumë se 30 vjet si biri i kulakut që nuk mund të botonte poezi, që ishte i dënuar të jetonte vetëm i mbështjellë me vjeshtë. Po le të shohim poezitë tani.
Po të shohësh tabelën e lëndës, në fund, vëllimi ka 37 poezi, ndërsa po ta shfletosh atë, do të dalin më shumë, sepse dy të tilla që mbajnë titujt “Tirana” dhe “Tirona” janë konceptuar si rrëfime me kapituj. E para ka mbi 30 kapituj dhe e dyta më shumë. Tani ti lexues duhet të përgatitesh që nëpër ato vjersha do të ndeshesh më një djalë që ashtu i shpenguar vuan nga një përgjigje që nuk i vjen dot, nga një dashuri e munguar, por ai e rrëfen të gjithën këtë si një lojë, si një aventurë me veten. Nëse i thotë të dashurës MENDOHU, këtë e bën se dashuria lidh dy brigje ashtu si një urë dhe ndaj ai i thotë të lidhemi dhe ne, ndaj i thotë : Mendohu – pres përgjigje. Ndërsa në vjershën PO, përgjigjja ka ardhur, por ajo nuk e ka entuziazmuar si një djalë të papjekur, përkundrazi, pas kësaj përgjigjeje ai bën ironi :
Nga goja jote më së fundi
Dhe po-ja ja tek doli
Sa mirë : s’do të rri beqar
Porsi Imzot Fan Noli.
Te Sherif Bali nënshtresa kulturore dhe jeta me të vdekurit e tij të mëdhenj janë shenjuese të vijueshme dhe ai është gjithnjë mes tyre. Sapo e lë imazhin e Imzot Nolit si beqar, i fanitet Brehti me Marian A. Pastaj, mesa duket është duke kaluar anës shtëpisë së asaj që do dhe e sheh që po luan dhe nis LOJA
Unë :
Ç’të hyjnë guralecët e lumit në punë ?
Nëse do të lozësh me guralecë,
Sytë e mi
E të siguroj – nuk humb asnjëherë.
Pastaj pranë një klubi fshati dhe jehona gazmore që vjen prej andej e bën edhe atë të shpenguar e duket se në mendje i mbetet porosia e famshme teke apo dopio. Ai vë buzën në gaz dhe e titullon poezinë për puthjen TEKE
E bukura ime
E futur
Teke apo dopio të puthurën e do ?
Dopion e lëmë më vonë, pasdreke.
Për lojën me shkronjat, si O apo A do të flas më vonë, por që këtu dua të nënvizoj se Sherfi Bali është i magjepsur me fjalën dhe është ndër të rrallët poetë që shkronjat i animizon dhe i vesh me imazh apo me narrativë. Forma e jashtme e tyre përcakton për Sherifin edhe historinë e atij që e mbart atë shkronjë. Me O mesa duket fillon emri i së dashurës në poezinë e mësipërme. Loja vazhdon dhe tani pranëvihen dy imazhe, një shegë që çahet, «bën skopio», siç thotë poeti dhe dy buzët e së dashurës. Cilat të zgjedh unë, thotë ai. Është një emër që shenjon gjithë të dashurat e poetit, Teuta. Atë e urdhëron të vijë në takim në orën pesë, por ajo i përgjigjet se do të vijë kur hëna të shënojë një bulkth e shtatë minuta. Emri poshtë- Teuta. Ashtu si i dehur ai endet në një botë që nuk ka përmasa. Diku vështron hamulloret që digjen dhe ai me të dashurën ikin e fshihen tek një E.
Hamulloret dogjën në Darsi gjithë ditën.
Flaka u hap tutje
Gjer në horizonte.
Asnjë çift në fushë s’u duk për be sonte,
Sigurisht as ne.
Shkuam e u fshehëm të dy tek një E.
Ç’është kjo E ku shkojnë e fshihen ata të dy ? Kjo përftesë stilistike është unike te Sherifi dhe karakterizon stilin e tij që mbështetet te animizmi dhe elipsa. Fjalët për të janë si shenja që mbajnë magji. Madje vetë gërmat, me format e tyre janë si strehëza ose si heshta ose edhe si lëndina. Nevoja për të përmbledhur vetëm në një fjalë, vetëm në një gërmë gjithë emocionin e dashurisë apo ironinë e ndarjes, e ka bërë poezinë e tij që fjalët dhe shkronjat të lëvizin si personazhe të gjalla. Dhe nuk mbaron te E-ja. U titullohet poezia tjetër :
Flakën hamulloreve dhe në fushë u vunë
Sa në qiell dhe hënës
iu dogj korseja
Dhe na detyruan të dalim nga E-ja
Po ku shkuam, ku ?
tek shoqja e saj pak më tej: në U !
Mbaron loja me gërmat dhe të duket se fantazia e poetit është ndezur sa nuk ka asnjë arsyetim të ftohtë që mund ta fikë. Edhe kur nis e numëron ditët e javës, poeti ka një kuptim tjetër për to. Ashtu si gërmat, edhe ditët e javës shpirtëzohen dhe marrin forma nga më të çuditshmet. E hëna është ujë : mund të mbushësh me të një kotruve, e marta është degë, është brinjë, e mërkura është kosh, është re, e mërkura është Serembe dhe këtu ai me një lehtësi të magjishme rikujton udhëtimin e famshëm të poetit në Brazil tek Roza, e enjtja është zarf, e premtja është mëllenjë, e shtuna është grurë, e diela është shkrepëse, tym, drekë. Ndërsa Elyari dhe Nushi i duken si dy mollë në një degë që dekorin mbushin. Por vetëm kaq se këtu mbaron endja nëpër imazhe si në ëndërr. Vendin e tyre e zë pritja për Teutën që nuk vjen. Pritja është si rruga Lushnje-Berat. Ashtu duke pritur edhe shega çahet dhe poetit i duket se njëra është ai- Lushnja dhe tjetra gjysmë e shegës ajo- Berati
Për ne shega u ça
E u bë gati
Gjysma e çarë Lushnja
Gjysma: Berati
përsipër kokës sime
Ajo hap flatrat
Lushnjë-Berat së bashku
Me gjithë fshatrat.
Po ti nuk vjen dhe unë
S’e mposht inatin
Marr ha jo vetëm Lushnjën.
Por edhe Beratin.
Kjo dozë ironie është vazhdimisht e pranishme te Sherifi dhe herë pas herë turbullohet nga emri i Teutës që ai e vendos në cep pas erës, bubullimës, lejlekëve
Tani duhet të bëhemi gati që të ndjekim udhën e poetit në disa kapituj që ai i bashkon me emrin TIRANA.
Ky cikël me kapituj organizohet si rrëfim për rrugën Lushnje-Hysgjokaj. Në këtë rrugë ka kaluar Sherif Bali përreth 30 e më shumë vjet. Gjithë jeta, kujtimet, mbresat, emocionet gjithçka që vjen nga jashtë njeriut, te Sherifi ka ardhur nga kjo rrugë. Pastaj bota tjetër, ajo që ai nuk e ka parë kurrë, vjen përmes librave që ai lexon. Në kapitullin e parë ai është «me ylberin në triko/si një arën me vija», dhe çfarë ndodhte:
E një vajzë, Resmija
Si në skena seriali
U thosh shoqeve me mburrje
Po kalon Sherif Bali
Njëherë tjetër rruga i zgjon mallin në deje « Për Meritën e bukur me lëkurë Myzeqeje ». Dhe një varg patash që fluturojnë tutje i duken si një V korrigjimi apo si një « mirë » mësuesi. Pastaj rruga Lushnje-Hysgjokaj i kujton se « pesë hëna m’u fikën/ Ja mësues Bibli Cami/ prapa xhamit po ikën ». Dhe pas këtyre kujtimeve të shpejta ai nuk duron më dhe shpërthen:
Rrugë e dhimbshme, moj rrugë,
Që s’e njeh epitetin
Po Darsin e lidh
Pa problem me qytetin
S’të mungon metafora
S’të mungon krahasimi
As dhe vargu i patave
me shkrim dore (Si imi !)
Sidomos, sidomos
s’të mungon antiteza :
Shtergu yt. (Me të bardha)
Korbi im. (Me të zeza)
Rrugë e dhimbshme, moj rrugë,
Që vërtet po më çmend
Ti akoma vazhdon
Dhe kur thua: THE END
Vijojnë kapitujt dhe secili prej tyrë është një copëz jete që poeti e ka jetuar në ëndërr, në përfytyrim. Nëse rruga ishte mall, tani bëhet brengë, pastaj bëhet skena ku njëherë tjetër, kur poeti nga shkolla kthehej si kashta e kumtrit me yje, atje si rastësisht, sikur gjoja, Zana H aty gjendej, aty pari kur unë kaloja, thotë ai. I mbytur nga kujtimet poeti, lodhet dhe:
Kisha shumë për të thënë
Për atë e të tjera
Por u lodha dhe pena
Po më dridhet. (Fryn era!)
Ndaj kapitullin e tetë
po e lë bosh, i mjeri
ku përshtypjet e veta
Le të hedhë ndonjëri
Dhe vjen kapitulli tjetër i këtij romani të rrugës. Tani në atë rrugë nuk duket më as Resmija, as Merita, por dhe poeti tani nuk është më i ndezur dhe ngjan sikur hëna e ka goditur si me tjegull. Kohët ndryshojnë dhe Merita është në arë me të shoqin dhe sytë e zinj kanë mbetur si të vetmet shenja që e plagosin ende. Në kapitullin e gjashtëmbëdhjetë ai ka një kushtim për poetin e dashur të tij Maku Pone. Nisin tani gjashtëmbëdhjetë kapituj të tjerë me një tetërrokësh trokaik. Këto ngjajnë si këngë dhe aty poeti ka vizatuar emocione që vijnë gjithmonë nga vjeshta. Fryn erë që hyn nëpër dekolte dhe flokët e së bukurës mbushen me ca fryrje që duken aq bukur te sfondi sa:
Më i mirë prej tyre
bëhet vagabondi
Diku tjetër është një dasmë në vjeshtë dhe sazexhiu defin e ndërron me hënën. Mirëpo, për një çast, ajo i shter tingujt, por sazexhiu jo. Vazhdojnë dasmat dhe aty pari kalon një lepur që plagën e ka si harta e Jaltës. Tani lexuesi duhet të përgatitet se në çdo cep është i rrethuar me magjinë e vjeshtës. Në breg është gjysma e hënës si një thelpi arre që e la për mua, -thotë poeti, -ajo që bën marre. Është e pamundur të tregohen të gjitha imazhet që mbushin këtë botë të Sherif Balit me vajza e shegë, me hënë e ylber, me yje e qiell, me re e diell. Vijmë në fund te poezia që mban titullin kapitulli i tridhjetë e shtatë dhe aty kuptojmë pse vjeshta është mizore sipas Sherif Balit
Vjeshtë me ylberin
Si oxhak tek reja,
Tek ty u ngroh Lesbia,
U ngroh Shaganeja
Po pastaj të tëra
Ti ato i more
e më s’na i ktheve,
Qenke mjaft mizore
-Poet, si s’e dije,
Ka dy anë medalja,
Ndaj ti fajet vjeshtës :
Falja-falja-falja !
Në ciklin tjetër me titull « Tirona » Sherif Bali vizaton një hero tjetër. Nuk është më ai djali i shpenguar me ylberin në triko. Ka ardhur në metropol dhe aty ndeshet herë më Lumen Ç, me atë që i ka marrë hënën dhe ai sapo e sheh i lutet që të paktën hënën ta fshehë, ta fusë nën shall. Tani fjalori mbushet me termat e qytetit të zhurmshëm, me semaforë e urbanë. Por edhe këtu përzihen imazhet e rrugës Hysgjokaj-Lushnje me Dajtin. Dhe një aksident, dhe një emër Xhemile:
Ja dhe gjysma e hënës
Si një takë e ngrënë
Që dikujt – mos Xhemiles ?
Mbi asfalt i ka rënë.
Edhe këtu përzihen botët dhe emocionet. Një re ndez elektrikun e dorës që të shohë bukuroshen, gushti u plak dhe i doli një rrudhë vetëtime në faqe. Vjen shtatori dhe na hyn në këmisha, pastaj tetori del.
Po rëndë në majë molla e Safos rri
Po si kështu
dhe këtë vit s’e arriti njeri ?
Shalqini
Venat pret si Sergej Esenini
Dhe vijnë poezitë e fundit. Duket se vjeshta ka ikur megjithëse ajo për Sherifin ka katër muaj. Megjithëse poezia ka emrin KINA, atë e lidh me këtë shenjueshmëri vetëm përmasa e thellë dhe e gjerë e dhimbjes dhe e ndarjes. Është vështirë të kuptohet se cilës dhimbje i këndon poeti dhe për cilën ndarje mban zi.
Një javë zi për ty unë mbajta
Si Kina për Mao ce Dunin
E për ca kohë edhe tim eti
I mora madje dhe bastunin
Por koha ikën dhe lë pas
Veç emrat nëpër gurë varreze.
Ja Pablo Pikaso. (Spanjoll)
Dhe Eva, mikja e tij. (Franceze)
Dhe ne një ditë do të ikim
Ku guri ynë na pret tek skuta
Po pranë emrit tim : Sherif
S’do shkruhet emri yt : Teuta.
E mbylla më në fund trishtimin
Në një katror sinqeriteti
Edhe bastunin që ia mora
Ia ktheva më në fund tim eti.
E kishte kot Kina që mbajti
Një javë zi për Mao ce Dunin
Se më e mirë tani po bëhet
Pa të. (Si unë pa bastunin)
E nëse kjo vjershë ka brenda gjithë trishtimin dhe mallin për atë që ikën e nuk e kthejmë dot, për rrugën, për diejt që digjen, për dashuritë e humbura, për gjithçka që një poet e ka të shenjtë dhe e ruan me ngatërrime metaforash dhe konstelacione rimash e ritmesh, poezia tjetër JANINA është një epitaf i mrekullueshëm për Sherif Balin që nuk e kuptoi askush. I vetmuar, ai ngjan me Janinën që dikur fliste shqip. Është shuar hëna, është fikur dielli, vjeshta ka mërguar dhe dasmat bëhen rrallë.
JANINA
Dikur unë isha si Janina
Shqip flisnin rrugët e të dielat
Kurse tani pas ikjes tënde
Një qytet grek. (Shiko tabelat !)
Dhe molla kur e fus në gojë,
Më ngjan e hidhët nga trishtia,
Aq sa nuk mund ta ëmbëlsojë,
As Safo vetë, jo më sozia.
Me zor i shtyj përpara ditët
Nëpër dekorin pa njeri,
Ku mes përmes vrapon një kalë,
Që i kujt është, nuk e di.
Do mundem vallë ndonjë ditë
Ta ndaloj unë atë kalë,
T’i hipi lart e nga dekori
Një orë e më parë të dal ?
Po rëndë unë jam si Janina :
Në kafene, kur janë të dielat,
Nga fshatrat pranë vijnë fshatarët
E flitet shqip. (Mos shih tabelat !)
Mund të vazhdoja të shkruaja e të rrëfeja ende më shumë për Sherif Balin dhe poezitë e tij të mrekullueshme, por po ndalem këtu dhe vetëm tani e kuptoj se poezia me të vërtetë nuk vdes kurrë. Por sa vështirë është që të lindet një poet. Sherif Bali është shembulli se poezia nuk mund të mësohet, ajo është një formë që endet në ajër dhe shkon e futet në një shpirt që askush nuk e di. Më ka mahnitur jeta e këtij njeriu. Si ka mundësi, kam pyetur veten, që Sherif Bali është shfaqur vetëm si poet? Si ka mundësi që ky njeri e ka sfiduar diktaturën, meskinitetin, të gjitha të zezat e kësaj bote vetëm me magjinë e fjalës? Kur e lexon atë, është e pamundur të mendosh se ky njeri ka qenë në diktaturë i përjashtuar nga jeta shoqërore, i dënuar të jetojë në fshat, në Balaj dhe gjithë pasuria e tij jetësore është vetëm një rrugë: Hysgjokaj-Lushnje. Vendoset në qytet vetëm në vitin 2002. Dhe, mesa duket, jeta e gjymtuar atje në atë rrugë i ka mjaftuar për ta jetuar si një poet i klasit të parë. Vetëm me Sherif Balin ka kuptim thënia që poezia është talent dhe talenti sfidon çdo gjë, regjimin, meskinitetin, errësirën, gjithçka. Kjo magji dhe ky talent e kanë bërë Sherif Balin sot një nga poetët më të talentuar dhe poezitë e tij më të bukurat e që mund të vendosen lirisht në të gjitha antologjitë europiane.
Sherif, po e mbyll këtu sepse vjeshta po bëhet mizore edhe me mua.