Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla inspektoi sot punimet e një projekti prej 3 milionë euro, i cili pritet t’i garantojë 24 orë ujë të pijshëm 4 mijë familjeve në qytetin e Elbasanit.
Balla theksoi se Elbasani ka nevojë për ujin e pijshëm dhe jo për sharjet dhe fyerjet e opozitës.
“Vazhdoj të them me bindje se buxheti i vitit 2018 është buxheti më i përgjegjshëm i gjithë këtyre viteve të fundit.
Ky buxhet garantoi që në vitin 2018 në Elbasan të nisë loti i dytë i punimeve për furnizimin 24h me ujë, një investim më i madh se i pari, ku përfitues do të jenë më shumë qytetarë. Në këtë mënyrë Elbasani do të jetë një nga qytetet e para në vend ku do të garantohet ujë pa ndërprerje.
Gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të vitit 2015, së bashku me z. Sejdini premtuam 24 orë ujë të pijshëm. Premtimi ynë gjeti mbështetjen e kryeministrit dhe sot ne mbajtëm fjalën, sepse motoja jonë është t’u shërbejmë qytetarëve, jo të merremi me fjalë”, deklaroi ai.