Ylber Ramadani vazhdon të shkëlqejë me performancat e tij në Danimarkë. Pas golit të shënuar me Shpresat e Shqipërisë ndaj Irlandës së Veriut, Ramadani gjen golin e parë edhe me fanellën e Vejles.
Ekipi i Vejles ka shkatërruar në fushën e saj Vendsyselin me rezultatin 4-1. Ekipi udhëtues ka arritur të kalojë i pari në avantazh, derisa Ylber Ramadani riktheu ekulibrat në fushën e lojës në minutën e 14.
Goli i mesfushorit të kombëtares shqiptare i hapi rrugën ekipit të tij, për një fitore të thellë. Vejle nuk do ta diskutonte këtë takim, pasi e mbylli këtë ndeshje praktikisht që në pjesën e parë me rezultatin 3-1 ndërsa shënoi një gol tjetër në pjesën e dytë.
Tashmë Vejle vazhdon të mbajë vendin e parë në kampionat, me tre pikë më shumë sesa vendi i dytë. Objektivi kryesor i këtij ekipi, i cili drejtohet nga ish-tekniku i Partizanit, Sormani, është mbërritja në elitën e futbollit në Danimarkë.