Paolo Tramexani, ish-ndihmësi i Xhani De Biazit te Shqipëria, do të kthehet shumë shpejt në pankinë, këtë radhë duke drejtuar në futbollin italian. Mediat italiane raportojnë se Igli Tare ka zgjedhur Tramexanin për të marrë drejtimin e Salernitanës, skuadrës së dytë që ka në pronësi presidenti i Lacios, Klaudio Lotito.
Pas një fillimi të dobët të sezonit në Serinë B, pasi skuadra gjendet në vendin e 11 pas 18 ndeshjesh, Lotito ka vendosur të largojë trajnerin Alberto Bolini dhe dy emrat e parë që mori në shqyrtim ishin ato të Stefano Kolantuonos dhe Paolo Tramexanit.
Me sa duket, Igli Tare, i cili është krahu i djathtë i Lotitos edhe sa i përket menaxhimit të Salernitanës ndonëse jo-zyrtarisht, ka këshilluar për afrimin e Tramexanit, punën e të cilit e njeh mirë falë periudhës kur ai ishte pjesë e stafit kuqezi.
Ky kthim në pankinë do t’i japë mundësinë Tramexanit të tregojë aftësitë e tij edhe në futbollin italian, ku për një periudhë kohe emri i tij qarkulloi edhe si një alternativë e mundshme për stolin e kombëtares së këtij vendi.
Një paraqitje e mirë te Salernitana mund ta ndihmojë atë që në të ardhmen të bëhet pjesë e stafit teknik të Lacios.