A do ta përfshijë Gjykata Speciale edhe Shqipërinë?

26 Dhjetor 2017, 19:16Blog TEMA

Nga Ben Andoni

Kosova ka bërë një përpjekje të pasuksesshme pak ditë më parë që të shfuqizojë të ashtuquajturën Gjykatë Speciale, e cila do të merret me krimet e shqiptarëve në Luftën e madhe në rajon. Kur të tre funksionarët e parë të shtetit në Kosovë u përfytyruan se e zgjidhën ose më mirë menduan se e përfunduan procesin e kalimit në parlament ata dështuan. Nuk u arrit kuorumi dhe ky mund të quhet një kthjellim i momentit të fundit. Në fakt, ka ende hapësirë brenda pjesës ligjore, që të mundësohet një seancë parlamentare ku të merret në shqyrtim kërkesa e disa deputetëve për shfuqizimin e tij. Anipse ka pak fare gjasa, që kjo të ndodhë.

Ndërkohë që Kosova po zien për këtë veprim, paçka se janë shpallur pushimet dimërore të parlamentit, Shqipëria e ka marrë me shumë sportivitet dhe madje më shumë indiferencë. Aq e theksuar është kjo indiferencë për Kosovë saqë nga Tirana zyrtare nuk pati as edhe kundërshtimin apo reagimin më të vogël protokollar sepse flamuri i Kosovës nuk ishte në vazhdën e flamujve të shteteve, përfaqësuesit e të cilëve znj. Mogherini kish ftuar pak ditë më parë në Bruksel.

Shqipëria ka qenë shumë e përfshirë në këtë luftë me të gjitha asetet e saj. Por në këtë rast, aseti më i çmuar do jetë aseti human. Ka shumë individë shqiptarë të luftës, që arritën deri në hierarkinë më të lartë të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përveçse edhe një pjesë shumë të madhe të infrastrukturës kombëtare që u vu në mbrojtje të kësaj lufte. Nuk mbaron këtu. Dick Marty ka ngritur disa padi edhe për strehimoret shqiptare, që serbët i kanë quajtur kampe, për transplantet e organeve etj. Kuptohet se me atë infrastrukturë mjekësore që kish Shqipëria në ato vite, këto hipoteza janë fashitur, por nuk mund të thuhet se janë mbyllur. Sikur të mos mjaftojë kjo, ka një vazhdë të re dëshmitarësh, që janë gati për të dëshmuar dhe që mund të zbulojnë realitete të tjera. Nga ato, që zakonisht ndodhin në luftëra të tilla.

Në momentet kur flasim, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të njohura si Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, janë aktive sepse kanë marrë miratimin e Kuvendit të Kosovës në vitin 2015. Që do të thotë përkundrejt kinse naivitetit të madh të deputetëve kosovarë që iu mor firma dhe pastaj kumtuan se nuk e dinin për çfarë, frikës së arsyeshme VIP-ave pushtetarë të Prishtinës se do arrestohen, por edhe amullinë që e pret Kosovën, kjo Gjykatë do veprojë. Të mjaftonte të shikoje angazhimin e ambasadorit amerikan Delaëie dhe ambasadorit britanik O’Connell, atë mesnatë kur u tha se u përgatit kërkesa, të kuptosh sesa rëndësi ka funksionimi i Gjykatës, por edhe faktit se janë investuar shumë para për këtë strukturë që duhet të japë përgjigje për disa gjëra të mbetura pezull.

Ndërkohë që Shqipëria në të gjithë këtë proçes jo vetëm ka qenë e distancuar dhe përsërit frazat protokollare të ekzistencës së saj porse më shumë se kaq është krejt indiferente për njerëzit e saj. Megjithë nderimin që kanë marrë militantët shqiptarë në Luftën e Kosovës prej Prishtinës dhe bashkëluftëtarëve për solidaritetin dhe përkushtimin e tyre, duket se nga qeveritë e Tiranës nuk është se ka ndonjë lloj nderimi të veçantë për ta. Kjo do të thotë se luftëtarët shqiptarë janë krejt të pambrojtur në rast të ngritjes së akt-akuzave ndaj tyre, por edhe të hallakatur përballë një realiteti krejt të vështirë ligjor. Dhe, kur mendon se Shqipëria ndihmoi pa asnjë kusht, edhe përmes përfshirjes direkt në luftë, të vjen keq për ata që mund të përballen. Më e mira është të urojmë që të mos ketë asnjë akuzë për ata, sepse me keqardhje mund të konkludojmë po të jetë për vendin e tyre: ata janë të harruar ashtu edhe si janë në të vërtetë. (Javaneës)

2 komente në “A do ta përfshijë Gjykata Speciale edhe Shqipërinë?”

  1. Komandat Gjiza says:

    Dicka di ky miu rrjepur ,nuk flet kot per nje rast qe nuk ja kerkon njeri mendimin,kush ka luftuar do futur ne burg sepse perben rrezik per sistemin e sotem.

  2. Kapit Tupalla says:

    Kundërshtimet vijnë tepër vonë !
    Do duhej dëgjuar VETVENDOSJE! në vitin 2015

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje