Çështja e titullit kampion të Superligës për sezonin 2015-2016 do të vendoset më datë 22 janar.
Klubi i Skënderbeut dhe FSHF janë në gjyq mes tyre, pasi klubi korçar e ka çuar çështjen në CAS, për shkak të heqjes së titullit kampion nga ana e Komitetit të Etikës.
RTSH, përmes një njoftimi në faqen e “Rubrika Sportive” në Facebook ka publikuar e-mail-in që CAS i ka dërguar redaksisë së departametit të sportit, ku shkruhet se çështja mes Skënderbeut dhe FSHF-së, në lidhje me titullin kampion të sezonit 2015-2016, hequr nga Komisioni i Etikës, do të shqyrtohet më 22 janar.
Tashmë mbetet për t’u parë se çfarë vendimi do të marrë CAS, pra, nëse do t’i japë të drejtë FSHF-së apo Skënderbeut. Nëse ndodh e para, atëherë FSHF do të duhet të shqyrtojë mundësinë për t’ia dhënë titullin kampion skuadrës që u rendit e dyta në sezonin 2015-2016, ose të “anulojë” këtë veprim, duke i rënë shkurt e duke e lënë “anonim” këtë trofe.
Nëse ndodh që CAS do t’i japë të drejtë Skënderbeut, atëherë titulli kampion i Superligës për sezonin 2015-2016 do t’iu kthehet korçarëve.