Hafizi për zgjedhjet: Ndryshimi është i mirë, qëndrimi i tepërt sjell… Blater

15 Janar 2018, 12:50Sport TEMA

Ish-trajneri i përfaqësueses shqiptare, Astrit Hafizi, mendon se figurat e futbollit vazhdojnë të mbeten larg garës për postet drejtuese në FSHF pasi nuk i mbështet askush. I ftuar në “Zona Gol”, Hafizi nuk ka ngurruar të theksojë se figurat e sportit nuk marrin mbështetjen siç marrin ato të politikës apo biznesit kur afrohen pranë sportit.

Megjithatë, ai është i mendimit se një ndryshim në FSHF do të ishte pozitiv sepse zgjatja e tepërt në një detyrë mund të sillte një fund jo edhe aq të lumtur, duke dhënë shembujt e Blater e Platini.

“Unë këtë shoqatën e trajnerëve nuk e di. Nuk kam qenë asnjëherë pjesë e saj. Duhej ta kisha ditur në fakt si ish-trajner i Kombëtares por nuk kam parë asnjëherë gjë, nuk e di kush është aty, nuk kam votuar ndonjëherë në të.

Dukën dhe Finon i njoh të dy personalisht, nga afër. Finon e njoh nga periudha kur ishte kryeministër dhe unë isha trajner i Kombëtares. Kam pasur kontakte të shkurtra se ishte periudha e tillë, nuk kishim kohë të shihnim familjet tona, jo më të shohnim kryemnistrin në atë periudhë. Kam drejtuar në të dy sisteme, edhe para, edhe pas vitit ’90. Kam drejtuar në dy krahet, edhe kur ishte PS në fuqi, apo edhe PD. Ruaj respektin dhe vlerësimin për të gjithë ata persona që mbështetën ekipin komëbtar dhe kam qenë unë dëshmitar okular. Por nuk mund të them kush është më i fortë ose i dobët.

Për mendimin tim, një mbyllje shumë dinjitoze për Dukën do të ishte moskanadidmi, për atë që ka arritur këto 16 vjet. Me të vërtetë ka disa gjëra të cilat vijnë një herë, nuk vijnë shpesh, sidomos e fundit që është pjesëmarrja në Kampionatin Europian. Emri i tij do të mbetet i shkruar kudo ashtu si i futbollistëve dhe trajnerit që kanë qenë pjesëtarë. Qëndrimet e tepërta gjithmonë të çojnë në disa angazhime apo lëndime të një pjese të madhe të komunitetit të futbollit. Eksperienca e ka treguar edhe në institucione si UEFA e FIFA, ato që kanë qenë shumë vite janë larguar në fund me largime jo të mira. As Johanson nuk bëri mirë, as Blater nuk bëri mirë dhe përfundoi aty ku përfundoi.

Gjithmonë ndryshimi është për mirë. Unë kam vënë një tullë, vjen ti nesër i vë një tullë tjetër. Kjo çon në zhvillimin e asaj pse kemi arritur këtu, mungojnë shumë gjëra dhe vjen dikush tjetër e bën diçka më shumë.

Unë jam prap që komuniteti i futbollit nuk afrohet, nuk mbështet në këtë drejtim. Nuk them se komuniteti i futbollit mund të bëjë edhe më mirë, ai mund të bëjë edhe më keq, shihni Platini. Nuk është e thenë, por ne nuk mund të futemi, se nuk na mbështet njeri. Sa shpejt futen nga politika apo nga jeta sociale në futboll. Pse? Vetëm nga një fjalë se e dua futbollin? Pse është kjo shprehja që përdorin ‘unë ndjek futbollin prej 30 vitesh’?

Po të bëj një pyetje unë, a më pranon kush mua në politikë po të futem, e pozicionohem majtas apo djathtas, cila është gjëja e parë që do të thotë ndonjëri nga kampi kundërshtar? ‘Po shiko atë topin që i ke rënë ti, ku di gjë ti nga këto’, do të thonë. Po unë a mund të futem në biznesin e njërit apo tjetrit?

Megjtihatë, mendoj se e para është se këtë radhë Duka ka një kundërshtar. Ka shumë mundësi që të bëhet një garë që nuk është bërë si herë të tjera”, ishin fjalët e Hafizit.

2 komente në “Hafizi për zgjedhjet: Ndryshimi është i mirë, qëndrimi i tepërt sjell… Blater”

  1. Gori says:

    Dëgjoi këto gjëra Duka dhe mos këmbëngul për një mandatë tjetër se e menderose pastaj.

  2. kulmaku says:

    Respekte profesor Astriti ! Ke qene nje futbollist korekt dhe shembullor,,por edhe sot nje njeri i mencur dhe nga specialistet me te mire te futbollit shqiptar.Ai post te takon ty,por ashtu si e the eshte e pamundur ne nje shtet mafioz.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje