Një shtet i përjetshëm aksionistësh

15 Janar 2018, 07:46Blog TEMA

Nga Skënder Minxhozi

Jo shtet aksionerësh, por aksionistësh. Të dyja do të ishin nocione të dyshimta e të dëmshme për vendin e shqiptarëve. Dhe nuk është fare e thënë që të mos jemi duke jetuar edhe nocionin e parë, atë të aksionerëve, padyshim më hileqar e të rrezikshëm se të dytin. Gjithsesi, prej kohësh që s’mbahen mend, është në modë që qeveritë dhe zyrtarët të flasin për aksione e nisma, të cilat në fakt mund të përkthehen brenda gjuhës shqipe, me fjalën mëse normale e të zakonshme “punë”.

Kemi pra qeveri që nuk punojnë, por që bëjnë aksione. Si dikur, kur ndërtonim hekurudhat, rrugët, plantacionet me aksione. Por ajo ishte një kohë tjetër, me të tjera standarte dhe kritere. Thënë ndryshe, sot nuk kemi qeveri që rrinë në krye të detyrës gjithë vitin, gjithë mandatin apo gjatë gjithë kohës së njohur botërisht si “orar pune”, por me hope, me fushata. Pikërisht, me aksione!

Një aksion për ujin, një tjetër për mbledhjen e taksave të prapambetura, një tjetër për faturat e papaguara të energjisë, për verifikimin  e cilësisë së karburanteve, ndërtimeve, ujit të pijshëm, ajrit. Me një fjalë, një nismë e kufizuar në kohë, gjatë të cilës shteti na premton se do të bëjë atë që do të duhet ta bënte çdo ditë: qeverisjen e vendit.

Kjo logjikë prodhon ca situata vërtet të habitshme, disa herë komike. Kështu, në rast se je një biznes që nuk u jep faturat tatimore klientëve, kij kujdes se qeveria ka njoftuar se nga data “x”, inspektorët e saj do të dalin në terren dhe do të bëjnë namin. Me fjalën “nam” duhet të kuptojmë se shteti do të kryejë funksionin e tij bazë: të imponojë respektimin e ligjit. Qeverisja pra, shihet si përjashtim, si gjë e jashtëzakonshme, që vjen e shkon me dallgë, jo si normalitet dhe përditshmëri.

Në rast se për dreq je një evazor taksash, apo një privat që ke vjedhur me tel energji në shtyllën pranë shtëpuisë, apo ke ngulur një tub të improvizuar në tubacionin që i jep ujë gjithë qytetit – nëse jeni në një nga këto situata, duhet të bëni kujdes se për secilën nga këto shkelje do të ketë një ditë një aksion të qeverisë. E po ju kapi lapsi, ka shumë gjasa që të përfundoni në ndonjë kronikë lajmesh, duke u detyruar të tregoni faturën e gjobës, apo (larg qoftë!), prangat që sapo t’i ka vënë polici, i cili sheh plot krenari drejt objektivit të kameras.

Sipas kësaj mënyre të të bërit shtet, në sytë e një shtetari shqiptar vendi duhet qeverisur me faza. Ka një fazë qetësie, kur shumëçka është e lejueshme, ku uji nuk paguhet, ku faturat tatimore fshihen nën banaqe, ku energjia shihet si malli i askujt, ku zyrtarët qëndrorë apo lokalë marrin lek nën dorë, në vend që të imponojnë ligjin dhe rregullin. Ka pastaj një fazë tjetër, që është ajo e “aksionit”, ku shteti turret me gjithë taboret që ka në dispozicion, për të bërë atë që nuk bëri një, dy apo tre vjet të shkuara.

Ky koncept është mjaft i përhapur mes politikanëve shqiptarë. Dhe hileja qëndron jo vetëm tek fakti i mosdëshirës/mosdijes për punë, apo i abuzimit me detyrën duke mbyllur një sy para shkeljes së ligjit. Hileja qëndron gjithashtu edhe tek imazhi publik që një qeverisje krijon tek qytetarët e saj kur vepron në këtë mënyrë: një fushatë e shpallur me gërma të mëdha, transmetime direkte televizive, me fjalë të mëdha e me përbetime se do të bëhet nami, krijon më shumë impakt tek njeriu i thjeshtë. Tek teleshikuesi apo tek frekuentuesi i rrjeteve sociale, më saktë, i cili sheh kryeministrin dhe ministrat që betohen se do të bëjnë namin, e thotë me vete “shiko sa mirë, këta punojnë, jo llafe”!

Koncepti i aksioneve është një veçori klasike e tranzicionit shqiptar. Qeveri të dobëta, me autoritet dhe shtrirje të dyshimtë në territor, kapen pas kësaj hileje, për të treguar muskujt në një periudhë të shkurtër kohore. E mundësisht, për të korrur duartrokitjet e publikut të pamësuar me respektimin e ligjit dhe të rregullave.

Ka ardhur koha që shteti të pushojë se qeni një gjenerator që prodhon energji me raste, e që më pas e le gjithë pallatin pa drita për javë të tëra. Aksionet për ujin, taksat apo manipulatorët e gjithçkaje që shitet e blihet, duhet të kenë frikë jo vetëm nga data “x” në datën “y”. Shteti i aksioneve është një shtet i përkohshëm. Dhe i si i tillë, i rrejshëm dhe i paefektshëm.

2 komente në “Një shtet i përjetshëm aksionistësh”

  1. "BOHOTINA" says:

    Shume bukur. Domethenes. Duhet çdo dite nga pak dhe jo nje dite e per lume. Kur traineri i Kombetares tone ishte Hans Peter Brigel e thirren tatimoret ne Gjermani. “Ke shitur lojtarin Sforca- i than tek ekipi Kajzerslautern- dhe nuk ke paguar tatim fitimin. Ose paguaje sot ose do besh burg”. E pagoi urgjent. Ky eshte shtet.

  2. Flutura says:

    Mire e ke ti Skender. Por ti me mire se ne e di qe gjithecka vidhej tek ne, qe nga thesari i shtetit dhe deri tek keto me te “voglat”. Dhe qe te beheshin te gjitha menjehere do te duhej nje revolucion i vertete komunist, gje e pamundur. Keshtu kjo qeveri ka gjetur si me te arsyeshme vendosjen e zbatimin e ligjit me aksion e per gjera me te rendesishme, qe njerzit ta kuptojne se ligji e shteti ligjor po vendosen. Ndryshe 80% e popullit qe me dashje dhe padashje kane shkelur ligjet, do te duhet te ishin ne burg. Kjo nuk mund te ndodhte. Prandaj me duket me drejte rruga e zgjedhur nga kjo qeveri. A nuk eshte aksion dhe bile nderkombetar edhe reforma ne drejtesi? Pra ne perfundim te te gjithe aksioneve kryesore, do te jete vendosur edhe shteti ligjor dhe qeveria ďo te jete vetem ne orar zyrtar dhe jo ne aksion. Kjo meqe thua qe qeveria nuk eshte gjithe kohen ne pune por i ben punet me aksion.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje