Gjatë vizitës së tij në Kili, Papa Françesku kërkoi falje për abuzimet me fëmijët të kryera nga priftërinjtë e kishës katolike.
“Nuk mundem të mos shpreh dhimbjen dhe turpin që ndiej para një dëmi të paiparueshëm që u është shkaktuar fëmijëve nga përfaqësues të kishës”, ka thënë ai gjatë një fjalimi para zyrtarëve të shtetit dhe shoqërisë civile.
“Dua t’u bashkohem vëllezërve të mi peshkopë, sepse e konsideroj të drejtë të kërkojmë falje dhe të mbështesim viktimat me të gjithë forcën, ndërkohë që duhet të impenjohemi që një gjë e tillë të mos ndodhë më”, ka shtuar Papa.
Duke iu drejtuar klerit kilian, Papa tha se ndien “dhimbje për dëmet dhe vuajtjen e viktimave dhe familjeve të tyre, që kanë parë të tradhtohet besimi që u kishin dhënë njerëzve të kishës. Dhimbje edhe për vuajtjen tuaj vëllezër, që përtej përkushtimit dhe lodhjes, keni ndier në lëkurë dëmin e provokuar nga dyshimi dhe vënia në diskutim e punës tuaj”.(TemA TV)