Flamurtari është duke zhvilluar përgatitjet e fundit në Turqi. Testi i fundit për kuqezinjtë do të jetë ndaj skuadrës polake, Pogon. Ndërkohë që menjëherë pasi këtij momenti fokusi i ekipit do të jetë i gjithi për kampionatin.
Klubi vlonjat do ta rinisë Superioren nga vendi i dytë në rendijte dhe sigurisht misioni është i qartë për në javët në vazhdim, të mbrohet zona europiane. Një fakt të tillë e vërteton dhe merkato që është fokusuar më së shumti me elementë sulmues sic janë Nedjelkovic, Muarem Muaremi dhe Argjent Gafuri.
Ndërkohë për mbrojtjen është parë si një alternativë e mirë ardhja e Fisnik Zukës. Kur kanë mbetur dhe tre ditë nga fundi i minifazës përgatitore, tekniku Shpëtim Duro është duke u kujdesur dhe për detajet e fundit, në mënyrë që ekipi të jetë gati dhe asgjë të mos i lihet rastësisë. Kalendari e vë Flamurtarin përballë disa testeve të vështira.
Kampionati për kuqezinjtë do të nisë me sfidën ndaj Partizanit, më pas sërish ndaj të Kuqve, por këtë herë në kupë. Takimet do të luhen në datat 27 dhe 31 Janar. Në Kupën e Shqipërisë, klubi vlonjat do të kërkojë të shkojë deri në fund, prandaj për të dy ndeshjet vëmëndja do të jetë maksimale, por nuk mbaron më kaq. Pas Partizanit, Flamurtari udhëton në transfertën ndaj Kukësit.
Verilindorët të paktën me atë çfarë kanë arritur të tregojnë deri më tani në minifazën përgatitore të dimrit dhe në ndeshjet miqësore të zhvilluara, duken një skuadër e rilindur nën drejtimin e Peter Pakult. Sërish në transfertë përballë kryesuesve të kampionatit, Skëndërbeut. Në radhët e Flamurtarit e gjithë vëmëndja është për këto katër duele të vështira, dule ku kuqezinjve do t’u duhet të tregojnë forcën e vërtetë.