Starova rrëfen përplasjen me Trashin: Gaboi rëndë me hedhjen e fanellës, nuk del dot mbi klubin

18 Janar 2018, 18:04Sport TEMA

Do të duhej të ishte njeriu që të rikthente titullin te Partizani pas 24 vitesh, por në fakt është bërë si rrufepritës duke marrë goditje të vazhdueshme. Ndonjëherë nga kundërshtarët, ndonjëherë nga fati dhe, në disa raste, edhe nga brenda “shtëpisë” së tij. Sulejman Starova nuk ka droje të flasë për debatin e ashpër me Trashin dhe ta qortojë atë publikisht se si, në këtë moment delikat të Partizanit, nuk merr pak më shumë përgjegjësi dhe të ndihmojë ekipin në harmoninë e klubit

Por ky është pretendimi i Starovës natyrisht, pasi Trashi, nga ana tjetër, thotë se ka marrë fyerje nga trajneri dhe se ky i ka thënë se nuk është në planet e tij. Këtë të fundit “Bobi” e mohon kategorikisht.

“Pse më dini naiv që, në një moment kur kam skuadrën kaq të limituar, t’i them një lojtari të rëndësishëm si Trashi se nuk e kam në planet e mia? Ç’janë këto përralla?! Po, patëm debat dhe lojtari gaboi rëndë, por për asnjë moment nuk i kam thënë se nuk e kam në plan”, thotë fillimisht Starova për “Panorama Sport”.

Starova, çfarë ndodhi me Trashin?

Patëm një debat dhe kjo edhe mund të ndodhë. Gjithkush mund të bëjë debate në punë…

A keni kërkuar largimin e tij nga Partizani?

Kam kërkuar zëvendësimin e tij në fushë dhe jo largimin nga Partizani. Janë dy gjëra të ndryshme. Por, natyrisht që u zhgënjeva nga sjellja e Trashit. Ai është një lojtar i rëndësishëm, por nuk mund të dalë mbi Partizanin. As ai, as unë dhe as ndonjë tjetër.

Çfarë ndodhi mes jush?

Nisi të ankohej pse u zëvendësua 15 minuta nga fundi në një ndeshje miqësore fare normale. A ka kuptim kjo?! Si mundet të shfryjë një futbollist për një ndeshje miqësore, për të cilat unë them gjithnjë se rezultati vjen në plan të dytë.

Trashi thotë se ju e keni ofenduar?

Në fakt, është e kundërta. Ofendim më të madh për trajnerin dhe për klubin nuk ka se sa të hedhësh fanellën. U ankua për zëvendësimin, dakord, nuk po i kushtojmë rëndësi, por të hedhësh fanellën dhe të grindesh tërë kohën, kjo është e pafalshme!

A ka lidhje kjo situatë me largimin e lojtarëve të tjerë si Vila, Krasniqi dhe Malota?

Jo, nuk ka asnjë lidhje. Ata nuk ishin pjesë e projektit të klubit për të ardhmen, ndërsa kjo me Trashin ishte një përplasje që ndodhi aty dhe kaloi cakun.

Ai thotë se ju e keni nxjerrë jashtë planeve dhe se nuk e doni më në ekip?

Pse kaq naiv më dini, vërtet?! Në një moment të tillë, kur kam skuadrën kaq të limituar, t’i them një lojtari të rëndësishëm si Trashi se nuk e kam në planet e mia? Ç’janë këto përralla?! Po, patëm debat dhe lojtari gaboi rëndë, por për asnjë moment nuk i kam thënë se nuk e kam në plan. Ai do të mbajë përgjegjësi edhe për këto që thotë.

Pse kaq shumë tension në një klub që sot do të duhej të ishte për të luftuar vetëm për titullin kampion?

Ky është një sezon i vështirë për Partizanin dhe ne nuk mund të fshihemi. Për shkak të rrjedhës që morën ngjarjet qysh në fillim u ridimensionua projekti i klubit dhe po përpiqemi që të marrim më të mirën nga potenciali që kemi, por njëkohë- sisht të nisim edhe një fillim të ri për të arritur nivelin që duam të gjithë.

Çfarë do të ndodhë me Trashin tani?

Nuk e di, kjo pjesë u takon drejtuesve të klubit. Ai bëri një gabim dhe për këtë do të mbajë përgjegjësi, por vendimin e marrin drejtuesit.

Çfarë ju irritoi kaq shumë saqë edhe ju nuk u përmbajtët dot?

Nuk ka kuptim që një lojtar, i cili e di se e vlerësoj shumë, të reagojë në atë mënyrë. Për më tepër nisi edhe të më flasë në shumës, pra në emër edhe të të tjerëve. Kjo është e tepërt…

A mendoni se kjo është një manovër e lojtarit për të gjetur një rrugë largimi nga klubi, pasi mund të dojë të shkojë diku tjetër?

Nuk besoj. Nuk më duket kështu. Mos filloni tani që të thurni teori konspiracioni…! A keni folur me drejtuesit për këtë gjë?

Drejtuesit janë të informuar për gjithçka.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje