Michael Phelps rrëfen përvojën me depresionin: Jam i lumtur që nuk shkova deri te vetëvrasja

22 Janar 2018, 09:10Sport TEMA

Michael Phelps ka ndarë me adhuruesit e tij përvojën e depresionit. Gjatë një konference për shëndetin mendor që u mbajt në Çikago, kampioni i notit rrëfeu sesi e ka parë veten në prag të vetëvrasjes.

Fituesi i 28 medaljeve olimpike rrëfeu betejën e tij me depresionin në një diskutim 20-minutësh në Kennedy Forum.

32-vjeçari Phelps tha se të qenit kampion është rezultat i një pune të madhe, dedikimi dhe përkushtimit për të mos hequr dorë. Ai tregoi zhgënjimin që pësoi në vitin 2000 në Lojërat Olimpike të Sidnejt, kur e humbi garën për vetëm një gjysmë sekonde. “Doja të kthehesha në shtëpi me medalje”, tha ai duke pranuar se kjo gjë e motivoi për më shumë punë, e cila e shpërbleu me medalje të artë në vitin 2004.

“Isha gjithmonë i uritur për fitore, gjithmonë e më shumë. Doja ta shtyja veten në maksimum”, tha ai.

Por siç rezultoi më pas, kjo nxitje përtej kufijve e pati një çmim. “Pas olimpiadave bija gjithnjë në depresion. Ai i 2004-s ishte rasti i parë”, thotë Phelps.

Një foto e vitit 2008 ku ai shfaqej duke thithur marijuanë nga një pipë shkaktoi zhurmë në media. Ai kërkoi falje më pas për këtë.

“Droga u bë një mënyrë për t’u ikur gjërave që doja t’u ikja. Ajo u kthye në “mjekimin” që unë i bëja vetes çdo ditë”, rrëfeu ai.

Për fituesin e disa medaljeve,  momenti më i vështirë ishte ai pas Lojërave Olimpike të vitit 2012. “Nuk doja më të isha në sport, nuk doja të jetoja më”, tha Phelps, duke shtuar se javët që pasuan rrinte 3-5 ditë në shtrat pa ngrënë, pa fjetur dhe pa dëshirë për të jetuar.

Kampioni i notit rrëfeu momentin kur kërkoi ndihmën e specialistëve për herë të parë. “Jeta u bë më e lehtë. I thashë vetes shumë herë: Pse nuk e kam bërë këtë 10 vjet më parë. Por ndoshta nuk kisha qenë gati”, tregoi ai.

Për shkak të kësaj përvoje, Phelps e ka implementuar sot menaxhimin e stresit në programet që ofron fondacioni me emrin e tij.

Ai thotë se vendosi ta ndajë këtë përvojë me njerëzit, në mënyrë që të ndihmojë për të shpëtuar jetë.

“Momentet kur e munda depresionin janë më të vlefshme për mua se fitorja e medaljeve të arit. Jam i lumtur që shpëtova veten nga vetëvrasja”, përfundoi ai.(CNN-TEMA TV)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje