Zgjatet edhe me një muaj afati për konsumatorët familjarë për të formalizuar marrëveshjen me ndërmarrjen e ujësjellësit e kanalizimeve.
Kjo u bë e ditur nga ministri Damian Gjiknuri.
Gjiknuri deklaroi se ky afat do i japë më shumë kohë konsumatorëve familjarë të formalizojnë aktmarrëveshjen me ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizimeve.
Ndërkohë më 1 shkurt do të nisë verifikimi derë më derë i subjekteve të biznesit.
Deklarata e Gjiknurit
Jam sot në këtë komunikim publik për të shprehur së pari një falenderim të veçantë për qytetarët shqiptarë të cilët i janë përgjigjur çdo ditë e më shumë apelit për rikthimin e ligjshmërisë në konsumin e ujit të pijshëm.
Natyrisht, kjo sjellje nuk është diçka e papritur. Pak më shumë se tre vite më parë, shqiptarët dhanë një tjetër dëshmi të vullnetit të tyre për ndërtimin e shtetit ligjor dhe respektimin e ligjshmërisë duke mbështetur transformimin e sektorit të energjisë elektrike.
Gjatë dy muajve e gjysmë të fushatës së ndërgjegjësimit rezulton se një numër i konsiderueshëm abonentësh që figuronin në kufijtë e informalitetit janë paraqitur pranë ndërmarrjeve të ujësjellësave për tu legalizuar si konsumatorë.
Janë mbi 9 mijë kontrata të reja të lidhura dhe rreth 4 mijë të tjera në proces. 26 mijë matësa uji të rinj të instaluar dhe mijëra kërkesa tjera në proces trajtimi. Gjithashtu, rezulton të jenë nënshkruar gjatë kësaj periudhe mbi 7500 aktmarrëveshje për shlyerjen me këste të borxheve të mbartura.
Afrimi i datës 1 Shkurt kur dhe skadon afati për vetdisiplinimin pa penalizime ka bërë që sportelet e ndërmarrjeve të ujësjellësave të përballen me një fluks në rritje të qytetarëve.
Në këtë situatë, qeveria gjen rastin tu kërkojë Bashkive dhe ndërmarrjeve të ujësjellësave që të zgjasin edhe me një muaj afatin e vetdisiplinimit të konsumatorëve familjarë duke u dhënë atyre më shumë kohë në dispozicion për të përfituar nga mundësia e rivendosjes vullnetare në kushtet e ligjshmërisë.
Kjo zgjatje e afatit deri në 28 Shkurt vlen në këtë rast vetëm për konsumatorët familjarë. Ndërkaq, ndërmarrjet e ujësjellësave duhet të nisin më 1 Shkurt një verifikim derë më derë në çdo subjekt biznesi. Është përgjegjësia e ujësjellësave që të bëjnë verifikimin në terren duke ndëshkuar çdo subjekt që në kundërshtim me ligjin abuzon me ujin e pijshëm.
Ky proces do të monitorohet ngushtësisht nga qeveria qendrore edhe përmes strukturave të Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve.
zoti minister po per pallatet “AGIMI” do realizohet deri me 28 Shkurt. Jam banor i pallatit “Agimi” shkalla 5.
Zoi Ziu. Pres pergjigje.