“ADISA”, Mesi: Ky sportel, një prej rezultateve konkrete të Reformës në Shërbimet Publike

30 Janar 2018, 16:27Politika TEMA

Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) çeli pranë ambienteve të zyrës së saj së pritjes në Tiranë sportelin e shpejtë “ProBiznes”, misioni i së cilit është t’u vijë në ndihmë subjekteve tregtare në lidhje me ofrimin e shërbimeve të dedikuara ndaj biznesit.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Zëvendës Kryeministrja e Republikës së Shqipërisë Senida Mesi, Zëvendës Ministrja e Drejtësisë Teuta Vodo, Drejtoresha Ekzekutive e ADISA Anisa Gjika, Drejtori i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Elion Semanaj, si dhe përfaqësues të bizneseve të ndryshme në vendin tonë.

Në fjalën e saj, Zëvendës Kryeministrja Mesi, duke u ndalur tek Reforma në Shërbimet Publike si një prej prioriteteve kryesore të Qeverisë Shqiptare që prej vitit 2014-të, theksoi se ky është një proces rrënjësor i ri-ndërtimit të mënyrës sesi ofrohen shërbimet për qytetarët me një përqasje gjithë-përfshirëse dhe të qendërzuar tek qytetari. “Reforma në fjalë bazohet tek inovacioni dhe përdorimi i teknologjisë së informacionit për të përmirësuar standardet, procedurat dhe mënyrën sesi organizohet ofrimi i shërbimeve. Nga kjo reformë institucioni kampion është ADISA, Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve të Integruara”, tha Znj. Mesi.

“Shërbimet e shpejta dhe të dedikuara pro-biznesit (apo Fast Line), për të cilët jemi mbledhur sot, janë një ndër rezultatet konkrete të këtij procesi reformues dhe gjithë-përfshirës. Ne po punojmë që t’i shtrijmë këto shërbime edhe në të gjithë rrjetin e ADISA-s si një paketë shërbimesh e dedikuar për biznesin”, deklaroi Zëvendës Kryeministrja Mesi dhe ndër të tjera shtoi: “Nisur nga kompleksiteti dhe rëndësia e këtij ofrimi të shërbimeve publike, ne jemi duke bërë një rishikim të vazhdueshëm dhe kritik të këtij procesi transformues për të adresuar mësimet e nxjerra, si edhe për të lehtësuar dhe përmirësuar përvojën e përditshme të qytetarit dhe bizneseve me shtetin”.

Ndërsa Anisa Gjika, Drejtoreshë Ekzekutive e ADISA, u ndal tek konceptimi dhe hapja e këtij sporteli të ri nisur nga shqetësimi  i subjekteve tregtare në lidhje me kohën e pritjes në sportel dhe zgjatjen e procedurave. “Rezervimi i biletës për të kryer procedura në këtë sportel apo për t’u informuar mbi kartelat e shërbimeve do të bëhet nëpërmjet aplikacionit ADISA Mobile App. Në këtë mënyrë do të reduktohet koha e pritjes së subjekteve tregtare që do të kryejnë aplikime, si dhe numri i personave që presin në radhë për marrjen e shërbimit”, nënvizoi Znj. Gjika.

Me hapjen e sportelit “Pro-Biznes”, po vendoset një standard i ri, inovativ në mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike. ADISA bëri të mundur hapjen e këtij sporteli ku do të procedohet në mënyrë të shpejtë dhe me rezervime të përcaktuara më parë, duke e përshtatur kështu modelin shqiptar të ofrimit të shërbimeve publike me modelet e vendeve të zhvilluara.

Synimi kryesor i ADISA, përveç përmirësimit të ofrimit të shërbimeve publike dhe rritjes së kënaqësisë së qytetarëve, është hapja e sportelit “Pro-Biznes” edhe në qendrat e Integruara të Kavajës, Krujës, Fierit dhe Gjirokastrës duke krijuar kështu lehtësi për të gjitha bizneset dhe qytetarët e qyteteve të tjera.

1 komente në ““ADISA”, Mesi: Ky sportel, një prej rezultateve konkrete të Reformës në Shërbimet Publike”

  1. Bushi says:

    Bravo! Jane tamam masa te mira, madje shume te mira per t’i sherbyer popullit.Mjaft me me ato pritje te lodhsheme neper sportele,ku njerzit hallexhinj qendronin me ore te tera pran sporteleve te administrates.Per keto sherbime kaq te mira,populli eshte mirenjohes se qeverise Rama,e cila po bene nje pune te shkelqyer ne sistemin administrativ ne te gjithe vendin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje