FOTOT: 1 vjetori i ndarjes nga jeta e Dritëro Agollit, mbillen 20 selvi tek Liqeni

3 Shkurt 2018, 12:49Sociale TEMA
FOTOT: 1 vjetori i ndarjes nga jeta e Dritëro Agollit, mbillen 20 selvi tek

Nga sot, në Parkun e Liqenit të Tiranës mund të gjeni edhe një kopësht me selvi, kushtuar shkrimtarit të madh shqiptar, Dritëro Agolli, i cili u nda nga jeta pikërisht një vit më parë, në 3 shkurt 2017.

Në përvjetorin e parë të ndarjes së tij nga jeta, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Shoqatën “Devolli”, dega Tiranë dhe të afërm të poetit e shkrimtarit, mbollën 20 selvi, duke shënjuar nisjen e punimeve për kopshtin e letrarit të shquar të kulturës kombëtare shqiptare, një moment kujtese dhe nderimi për kolosin e letrave shqipe.

Në mbjelljen e pemëve të llojit selvi ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili vlerësoi figurën e Dritëroit, si njeriu që arriti të bëjë bashkë dashamirës nga çdo cep i Shqipërisë. “Sot e fillojmë me një gjest simbolik, mbjelljen e 20 selvive në një pjesë të parkut të liqenit që ia kemi kushtuar Dritëroit. Duam që të jetë një vend meditimi, pushimi, një vend paqeje, një vend ku njerëzit të lexojnë libra dhe të kujtojnë veprën e Dritëroit. Ndaj kemi përgatitur që në këtë pjesë memoriale të parkut, ku janë disa prej figurave të shquara, të kemi një vend të posaçëm për të kujtuar Dritëroin. Fuqia e tij duket edhe në faktin që arrin të na mbledhë nga çdo cep i Shqipërisë”, deklaroi Veliaj.

Bashkia e Tiranës parashikon që në këtë pjesë të parkut të vendoset edhe busti i shkrimtarit, që së bashku me pemët e selvisë që u mbollën sot, do të krijojnë kopshtin e Dritëro Agollit. Ndërkohë i pranishëm ishte edhe kryebashkiaku i Devollit Bledjan Nallbati i cili tha se është gati projekti për të filluar punimet për ndërtimin e shtëpisë së poetit në vendlindjen e tij në Menkulas. Edhe deputeti i zonës Hekuran Hoxhalli, tha se do të bëhet ç’është e mundur për ta ndërtuar.

Tajar Agolli, vëllai i shkrimtarit Dritëro Agolli, falenderoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe miqtë, të cilët iu bashkuan kësaj dite të veçantë. “Ju falenderoj të gjithëve për këtë pjesëmarrje në këtë ceremoni. Jemi shumë të kënaqur për të gjithë ata aktivistë që marrin pjesë, miq të Dritëroit. Sigurisht, miqtë e Dritëroit janë në zemrën tonë. Na ka folur direkt për miqtë që ka dhe ka shumë miq”, u shpreh vëllai i shkrimtarit të dashur për të gjithë shqiptarët.

Ndërkohë edhe kryetari i Shoqatës Devolli, dega Tiranë Gëzim Begolli i cili organizoi u shpreh optimist mbi implementimin e projektit. Ai mori premtimin nga kryebashkiaku i Devollit lidhur me ndërtimin e shtëpisë-muze në vendlindje. Begolli e cilësoi këtë si një hap pozitiv për të nderuar ashtu siç duhet veprën e Dritëro Agollit.

“Dritëroi na ka lënë amanet që ne të jemi të bashkuar. Ndjehem mirë kur shoh se tradita vijon dhe ne përmbushim atë mesazh tani që ai nuk është më mes nesh fizikisht. Këtë pjesë të parkut menduam ta propozojmë në Bashki për ta shndërruar një vend për Dritëroin dhe miqtë që la pas. Kjo është faza e parë dhe jam i bindur se do kemi një finalizim të kënaqshëm. Gjithashtu, sot mora nga kryebashkiaku i Devollit projektin dhe premtimin për shtëpinë-muze në Menkulas. Shpresoj dhe besoj që këtë herë institucionet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe t’i japin dritën jeshile,” shprehet Gëzim Begolli, kryetar i shoqatës “Devolli”, dega Tiranë.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje