Nga Hekuran Vladi*
Termi “pastrim parash” është një term shumë përgjithësues. Përkufizimi më i shkurtër i këtij termi është: “Procesi i maskimit të të ardhurave të paligjshme, për t’i bërë ato të duken si të ligjshme”.
Burimet e të ardhurave të paligjshme në Shqipëri janë disa. Të ardhurat nga kontrabanda dhe evazioni fiskal, korrupsioni zyrtar dhe ato nga krimi i organizuar, janë 3 shtyllat kryesore të të ardhurave të paligjshme.
Ku shkojnë këto të ardhura?
Një pjesë e të ardhurave të paligjshme, të përmendura më sipër, shkojnë për shpenzime luksi të përfituesve dhe të familjarëve të tyre. Shtëpi dhe apartamente të mëdha e të mobiluara shumë rëndë, makina shumë të shtrenjta, pushime në resortet luksoze nëpër botë, dreka e darka luksoze, bizhuteri dhe veshje të shtrenjta, konsum i drogave, bixhoz, etj. Janë krejt të zakonshme fotot e adoleshentëve në rrjetet sociale facebook e Instagram, ku paraqiten me makina, ora të shtrenjta, jahte e gjëra të tjera si këto.
Ajo që është tipike në rastin shqiptar, është se gjysma e këtyre adoleshentëve janë ose fëmijë të biznesmenëve të akcizës (para të kontrabandës), ose fëmijë zyrtarësh të lartë (para të korrupsionit). Gjysma tjetër janë të rinj të përfshirë në veprat kriminale të krimit të organizuar, si droga, trafiqet e qenieve njerëzore, etj, që nuk bën ndonjë dallim me rastin e vendeve të tjera të Europës.
Pjesa më e madhe e të ardhurave të paligjshme të shqiptarëve shkojnë në blerje të pasurive të patundshme. Shtëpi, apartamente, toka bujqësore, troje. Zakonisht, këto pasuri regjistrohen në emër të personave të afërt, jo në emrin e zotëruesve të vërtetë të tyre.
Një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të paligjshme shqiptarët i dërgojnë edhe në parajsat fiskale. Rasti shqiptar në këtë pikë është sërish pak tipik, pasi këto para kthehen sërish në vend në formën e investimeve nga firma fantazëm në koncensione, apo blerje të pasurive kombëtare.
Duke shfrytëzuar ambientin konfuz fiskal, lehtësinë e përdorimit të ryshfetit dhe korrupsionin zyrtar, një nga destinacionet e të ardhurave të paligjshme është edhe investimi në biznese të ligjshme, si ndërtim, tregti e mallrave të akcizës, arsim privat, mjekësi private dhe futboll. Në dy rastet e para, investimet bëhen në emër të biznesmenëve të ligjshëm, të cilët kanë kompanitë e tyre, por kanë nevojë për likuiditete. Shumë subjekte të arsimit dhe të shëndetësisë private janë ngritur kryesisht mbi kapitale të pajustifikuara ligjërisht e të regjistruara nën emra të maskuar, gjithashtu.
Në rastin e futbollit, kjo bëhet pothuajse haptazi.
Këtu do ndalemi sot, te futbolli. Ekipet e futbollit funksionojnë si shoqëri aksionere. Në shumicën e rasteve, këto shoqëri janë në pronësi të bashkive, ku këto klube futbolli janë ngritur e në disa raste edhe me bashkëpronësi. Zyrtarisht klubet administrohen nga drejtorët e klubeve, të cilët emërohen nga aksionerët, pra përgjithësisht bashkitë. Klubet zgjedhin edhe Presidentin e klubit, i cili është donator kryesor i klubit. Kjo është pak a shumë pamja zyrtare.
Ekspertë të fushës, prej kohësh, kanë ngritur zërin për të detyruar qeverinë të rregullojë ligjin për funksionimin e klubeve të futbollit. Megjithatë, sot e kësaj dite, ata thonë që aktiviteti i klubeve të futbollit është një nga gropat më të zeza të legjislacionit shqiptar.
Si funksionon, praktisht, menaxhimi i aktivitetit të klubeve të futbollit?
Presidentët e klubeve, në shumicën e rasteve “të ashtuquajtur” si të tillë, pasi zyrtarisht mund të jenë edhe vetëm drejtorë të klubeve, janë tashmë të njohur publikisht si “pronarë” të klubeve të futbollit. Ata dalin nëpër intervista e debate mediatike, ata emërojnë stafin e klubit, ata bëjnë merkaton e futbollistëve, ata emërojnë dhe shkarkojnë trajnerin, ata bëjnë pagesat. Pra, kontrollojnë gjithçka. Dhe këtë e bëjnë publikisht. Ajo që nuk bëjnë publikisht është transparenca e fondeve të përdorura për aktivitetin e klubeve.
Nuk ka asnjë transparencë publike për shpenzimet e klubeve. Në fakt, nuk ka as mekanizëm ligjor të mirëfilltë, që rregullon aktivitetin ekonomik të klubeve të futbollit. Të asnjë sporti, por këtu po flasim vetëm për futbollin.
Cilat shpenzime janë të fshehura? Kontratat me futbollistët janë në krye të listës, për shkak të vlerës së madhe që zënë në totalin e shpenzimeve. Ato janë ca kontrata, nganjëherë edhe noteriale, ku paga e futbollistëve figuron në vlera qesharake, në krahasim me pagën, që në të vërtetë marrin futbollistët. Së dyti, vijnë shpenzimet për trajtimin e futbollistëve, si ushqimi, hoteli, transporti, etj. Të gjitha këto shpenzime nuk kanë as minimumin e transparencës.
Fundja, nuk iua kërkon asnjë autoritet shtetëror. Dhe, siç e thamë më sipër, nuk është thjesht çështje e cilësisë së qeverisë së tanishme, apo e asaj që ishte, por është shumë më rëndë. Një kaos total e mungesë e theksuar e ligjit e kuadrit rregullativ të aktivitetit ekonomik të klubeve të futbollit. Pikërisht për këtë, ka një lehtësi “përrallore” për injektimin e parave të pista në klubet e futbollit.
Por, pse është e leverdisshme për aktorët e fushës? Të ardhurat nga bonuset, apo çmimet kombëtare e ndërkombëtare, nuk është se zënë ndonjë vend të konsiderueshëm në totalin e të ardhurave, zakonisht. Të ardhurat më të mëdha janë nga manipulimet e rezultateve, trukimet e ndeshjeve dhe loja me skedinat, e cila zë pjesën më të madhe. Kryesorja është, që klubeve u rritet vlera dhe bëhen të tregëtueshëm dhe influentë në treg. Pra, praktikisht, paratë e pista ndërrojnë “çati” dhe riciklohen.
Kush pastron para me klubet e futbollit, ose një epilog i shkurtër.
Në një investigim, të cilin po e punoj me disa miq, dashamirës dhe ekspertë të futbollit, do të paraqesim informacione dhe argumenta për klubet e futbollit shqiptar, në të cilat NUK pastrohen para. Mund të tingëllojë si shaka, por është rruga më e shkurtër, pasi janë shumë pak.
*Ekspert në luftën e pastrimit të parave
Domethene ju akuzoni Duken si krye pastruesi i parave te mafies?