Qendra shëndetësore në Labinotit Mal, e cila është amortizuar tërësisht do të rikonstruktohet brenda vitit.
Lajmin e bëri të ditur Kryetari i Grupit Parlamentarë të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili ishte sot në Labinot Mal për t’u komunikuar banorëve dhe personelit shëndetësor se kjo qendër shëndetësore do të rikonstruktohet totalisht brenda vitit.
“Kjo është një qendër shëndetësore që ofron shërbim për rreth 300-350 pacientë në muaj, pra përafërsisht në vit këtu marrin shërbim 4000-4500 persona. Hera e fundit kur është vënë dorë në këtë qendër shëndetësore është para 20 vitesh.
Kjo qendër shëndetësore do të përfshihet në projektin e rikonstruksionit të 100 qendrave shëndetësore këtë vit, pjesë e projektit të madh të rikonstruksionit të 300 qendrave shëndetësore që do të rikonstruktohen në 4 vitet e ardhshme”, tha Balla.
Në këtë qendër shëndetësore nuk është vënë dorë prej 20 vitesh dhe ndërtesa është shkatërruar e përfshirë nga lagështira dhe nuk plotëson as kushtet minimale për të ofruar shërbim shëndetësor.
Ndërsa spas mjekut Rexhep Kaçuli, ndërhyrjet e pjesshme që i janë bërë godinës nuk kanë mundur të zgjidhin problemin, ndaj dhe rikonstruksioni total paraqitet emergjent.