Ndoshta ai dëmtim i rëndë i pësuar dje ndaj Teutës, ku u fut në lojë si zëvendësues, ishte si një “mesazh” që mbrojtësi kosovar të mos largohet nga Skënderbeu. Kuptohet që në Korçë e duan ta kenë gjithmonë aty, por po ashtu të gjithë duan më të mirën për të, që të ketë një karrierë së më të mirë.
Bajram Jashanica i ka trishtuar të gjithë në ekip me atë dëmtim shumë serioz në gju. Fat i keq, në momentin më të mirë, kur lojtari po bëhej gati për hapin e madh, për kalimin nga Skënderbeu në një kampionat të huaj. Jashanica ishte kandidati numër 1 te Skënderbeu për t’u shitur, por ky dëmtim i vështirëson gjërat, edhe pse ëndrra vazhdon.
Jashanica ka nxjerrë gjurin dhe për disa minuta qëndoi pa lëvizur në fushë. Më pas u transportua me autoambulancë në spital. Sipas asaj që kanë pohuar mjekët ortopedë të spitalit rajonal të Korçës, nuk bëhet fjalë për një dëmtim shumë të rëndë. Frika më e madhe ka kaluar, por sigurisht që duhen bërë egzaminime të tjera për të mësuar detajet.
Lojtari duhet të kryejë pas pak ditësh një rezonancë, pasi gjuri të mos jetë më i enjtur. E sigurt është se Jashanicës i duhet më shumë se një muaj për rikuperimin, por kjo është e keqja më e vogël. Një informacion më i plotë për këtë dëmtim do të mund të jepet pas rezonancës.