Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, nuk ka preferenca për kundërshtarët e radhës të Kupës. Në “Gol pas Goli”, ai deklaroi se të gjithë ishin kundërshtarë të fortë, ndërsa shpjegoi se pse nuk kishte ndër mend të bënte rotacion në skuadër.
Për gjendjen e dëmtimit ta Jashanicës
“Na erdhi shumë keq, sepse duke qenë që kemi mungesën e Vangjelit po e poziciononim djathtas për Kamzën. Ka një dëmtim të gjurit, pas një rezonance magnetike, shpresojmë të jetë dëmtim sa më i vogël”.
Preferenca për kundërshtarin e Kupës
“Përderisa janë në gjysmëfinale, të gjithë e kanë merituar se kanë bërë rrugëtim deri këtu. Nuk kemi preferencë, do të vazhdojmë për të arritur objektivin e dytë të klubit. Çdo ekip në gjysmëfinale do ta vlerësojmë maksimalisht për të vazhduar më tej. Të tre janë kundërshtarë të denjë, kanë karakteristika të ndryshme, nuk kemi preferencë, se çdo lloj emri që do të përmendja, është kundërshtar që duhet vlerësuar maksimalisht”.
Për synimet te të dy turnetë
“Unë mendoj që deri tani kemi bërë mirë, edhe në kampionat edhe në Kupë. Kemi një potencial lojtarësh që mund t’i synojnë të dyja. Por duhet të jemi me këmbë në tokë, se pavarësisht një rezultati pozitiv në ndeshjen e parë, nuk duhej të shpreheshim në atë mënryë, pasi një ekip si Skënderbeu duhej të ishet në ekuilibër”.
Për aktivizimin e titullarëve të zakonshëm
“Mendoj se lojtarët që janë me eksperiencë dhe njëfarë moshe në karrierë, arrijnë formën më të mirë nëpërmjet ndeshjeve. E kam biseduar edhe me lojtarët e ashtëquajtur të rinj që deri në momentin para këtij turi, i kemi dhënë hapësira të gjithëve. Kemi menduar se kush duhet të vëshe fanellën e titullarit, duhet ta meritojë, jo t’i japim ne hapësira. Kanë stërvitjet për të treguar se jam edhe unë aty, edhe me mbiemër Daja nëse do të jetë, për t’iu afruar 11-shes bazë të formacionit”.
Sakrifica në Kupë për kampionatin
“E kam trajtuar këtë javë edhe rrugëtimin në Europë, u kam thënë që ato katër ture nuk janë kaluar rastësisht, por falë fazës së katërt të vjetshme. Nëse duam të vazhdojmë me të njëtjat ritme, nuk duhet të tolerojmë asgjë. Kështu respektojmë kundërshtarët, kampionatin, këtë qytet që është për futbollin e pastër dhe korrekt”.