Ekipi i Luftëtarit ka marrë një barazim dramatik në ndeshjen e sotme, teksa ka barazuar me rezultatin 2-2 ndaj Laçit në transfertë. Miqtë ishin në avantazh të dy golave, por edhe të një futbollisti më shumë, pas daljes së Fangaj në fillimin e takimit, megjithëse nuk mjaftuan për të dalë me 3 pikë nga kjo fushë.
Trjaneri Lika është shprehur për këtë ndeshje, duke ia vënë fajin aspektit mbrojtës.
“Duhet të shënonim golin e dytë më shpejt, pasi kundërshtari nuk u dorëzua. Ne i kishim rastet tona por nuk arritëm t’i shfrytëzonim.
Ne duhet të jemi më të qetë dhe të kujdesshëm. Luftëtari është një ekip që shënon shumë, por duhet të jenë sërish më të qetë përpara portës. Por në një ndeshje si kjo, futbollistët ishin shumë të irrituar.
Nuk ishte vetëvrasje por vetëplagosje se jemi akoma në këmbë. Humbja e rasteve na kushtoi shumë në këtë ndeshje, ashtu siç na kushtuan edhe gabimet. Ky është futbolli dhe rastet e kundërshtarit kanë qenë të pakëta sot, nuk kanë qenë të shumëta. Po nuk shënove, sigurisht që do të pësosh.
Futbollistët besojnë se mund të fitojnë çdo ndeshje dhe këtë e treguan në fushën e lojës. Ne edhe ndeshjen që e fituam në Durrës, ishim shumë pranë barazimit të rezultatit. Nëse vazhdojmë të luajmë mirë në aspektin mbrojtjes, mund të vazhdohet më tej”, është shprehur Lika.
Kurse, tekniki i kurbinasve Gentian Mezani deklaroi:
“Do të thosha se kemi marrë një pikë shumë të mirë në këtë ndeshje, pasi ishim në disavantazh 0-2. Nuk mund ta quaj fitore, sepse kemi ngrënë dy gola për fajin tonë, por është një rezultat i mirë. Lojtarëve u kam kërkuar të jenë të përqendruar që në sekondën e parë. Pësojmë shumë lehtë dhe duhet të jemi të kënaqur me barazimin.
Rexhinaldo është një lojtar shumë i rëndësishëm, preson shumë dhe lëviz mirë. Por kemi gabuar në mbrojtje, Gjoni kundër Shkurtajt dhe kthimi i shpinës në golin e dytë të Luftëtarit. Duhet të punojmë psikologjikisht.
Shkuam shpejt në disavantazh dhe ishte një ndeshje që duhej fituar, sepse luanim në Laç. Nervozizmi erdhi nga goli i pësuar që në fillim.
Xhixha nuk është në gjendjen e duhur dhe vendosja e Shtubinës në mjak të sulmit ishte e detyrueshme. Ka gjithë përvojën e duhur, por nuk mund ta bëjë atë që bën Rexhinaldo. E kërkuam me topa të gjatë dhe kjo lojë nuk i përgjigjet Shtubinës. Pika na kënaq, nëse kemi parasysh si shkoi loja.
Luftëtari ishte më i freskët fizikisht dhe ndoshta kjo ishte arsyeja që ata ishin superiorë ndaj ndesh. Mund të na kishin ndëshkuar.
Presioni në shtëpi? Jo, nuk ka asnjë presion, por ndoshta e krijojmë vetë këtë lloj presioni. Tifozëria duhet të na motivojë dhe ne duhet ta kënaqim me lojën tonë dhe rezultate. Ndeshjet në Laç duhet të jenë më motivuese për ne, pa pasur asnjë lloj presioni”, tha Mezani.