Majko: Kur flasim për Diasporën, flasim për një cilësi kombëtare

26 Shkurt 2018, 17:03Politika TEMA
Majko: Kur flasim për Diasporën, flasim për një cilësi

Intervistoi Mimoza Kelmendi

U deshën 27 vjet që më në fund ne shqiptarët jashtë Shqipërisë të kemi ministrin tonë. Vonë, por më mirë vonë se kurrë, thotë populli. Zoti Majko, a mendoni se kjo vonesë ka koston e saj dhe cilat janë hapat që keni ndërmmarë tashmë për organizimin e Diasporës?

Në këndvështrimin e organizimit të Diasporës asnjëherë nuk mund të thuhet se jemi vonuar. Sigurisht mund të ketë një vlerësim të kohës së kaluar si kohë e humbur, por nuk mendoj se jemi vonë. Bëhet fjalë edhe për faktin që jemi duke mësuar nga gabimet tona dhe shpesh në historinë tonë ne si komb kemi mësuar nga gabimet më shumë se sa të kopjojmë nga modelet e kombeve të tjera. Në fushën e organizimit të Diasporës mendoj se jemi duke bërë një punë mjaft të mirë qysh në hapat e para. Së pari kemi shmangur një lloj keqtrajtimi që mund të ndodhte nëse Shqipëria dhe Kosova; por edhe Maqedonia do ti trajtonim komunitetet shqiptare në mënyrë të ndarë. Për fat të mirë kjo është tejkaluar falë edhe marrëveshjes që kanë bërë dy qeveritë e Prishtinës dhe e Tiranës dhe komunitetet shqiptare do të trajtohen si të plota. Kjo do të thotë që ne nuk do të krijojmë asnjë lloj ndarje në drejtim të organizimit të tyre.

Pyetje: Nëse të gjithë shqiptarët jashtë duhet të trajtohen të pandarë atëherë duhet gjetur mënyra se si mund të dirigjohet nga poshtë kjo strategji. Mos ndoshta duhet vetëm një ministri më e madhe apo institucione të tjera më praktike?

Jemi duke menduar për ndërtimin e një politike shtetërore që të mos jetë e fokusuar tek emri ministri, pasi në thelb ka një histori deri diku kontraverse lidhur me faktin nëse është efektive apo përgjigjja më e mirë për organizimin e Diasporës krijimi vetëm i një ministrie. Në thelb Diaspora nuk është një çështje politike. Por krijimi i politikës shtetërore padiskutim për Diasporën është një çështje politike. Dhe parë nga ky këndvështrim ne kemi filluar një reformë të mirëfilltë legjislative. Kur them legjislative, flas për një strukturë ligjore që nuk do të ketë mundësi të shkrihet por të ringrihet me ndryshimin e çdo qeverie të rradhës. Pasi Diaspora nuk ka kohë të presë fillimin apo rifillimin e punës në marrëdhënie me të nga qeveria e rradhës.

Ajo që duam të nxisim në këtë moment është organizimi i Diasporës brënda vetes duke u këshilluar dhe jo duke u imponuar, pasi riorganizimi është një çështje shumë delikate, e cila ka të bëjë me krijimin apo kalimin nga faza e organizatave, në fazën e komunitetit. Për këtë, ne duhet të themi që jemi shumë të kënaqur në nivelin e parë të organizatave që janë nëpër shtete të ndryshme, nëpër krahina të ndryshme, por si koncept komunitar, komuniteti i shqiptarëve në nivel shtetëror ka probleme.

Pikërishtë këtu ne jemi fokusuar por, po e përsëris edhe një herë, jo duke u imponuar, por duke qenë në krah të iniciativave që kanë të bëjnë me riorganizimin e Diasporës. Një organizim ky që ka më tepër efekte koordinuese se sa efekte të përzgjedhjes të individëve me interesa politike të caktuara. Në krahun tjetër i kemi vënë një rëndësi shumë të madhe çështjes së bizneseve të Diasporës për ti lidhur ato më fort me vendlindjen dhe po ashtu të regjistrimit të kapacitetve intelektuale që kemi në Diasporë.

Për fat të keq, qoftë Shqipëria, qoftë Kosova ende nuk kanë një njohje të plotë të kapaciteteve intelektuale që ata kanë në Diasporë. Ndaj ne shpesh për të dhënë opinione për projekte të ndryshme, flas më shumë për Shqipërinë, jemi të orientuar që të marrim ekspertë të huaj, ndërkohë që kemi ekspertë shqiptarë, të cilët kanë shkëlqyer me plot kuptimin e fjalës në vendet ku ata kanë vajtur. Një tjetër moment shumë delikat është problemi i arsimit dhe identitetit. Jemi thelbësisht vonë.

Në këtë këndvështrim, dua ta them pa as më të voglin kompliment se mësuesit tanë janë heronjtë e Diasporës. Gjithashtu është për tu nënvizuar fakti se një pjesë e problematikës që ka të bëjë me arsimin nuk vjen nga mësuesit që punojnë shpesh edhe vullnetarisht, por vjen nga mënyra e koordinimit të institucioneve të Kosovës dhe të Shqipërisë lidhur me këtë çështje.

Jemi duke punuar shumë në këtë drejtim, madje sapo është bërë një tavolinë e rrumbullakët në Tiranë me ministrat e Diasporës dhe ministrat e arsimit dhe shpresoj që të kemi një konluzion sa më të shpejtë në këtë drejtim pasi rrezikojmë që në dhjetë vitete e ardhëshme nëse nuk merremi seriozisht me çështjen e arsimimit ne do të humbasim rreth 200 mijë shqiptarë, të cilët do të asimilohen dhe nuk do të pranojnë që janë shqiptarë në të ardhmen e afërt. Pra pa bërë asnjë luftë, kombi shqiptar do të humbasë 200 mijë vetë. Kjo që them është e dhimbshme, por duhet pohuar si e tillë.

Ju përmendët gabimet e së kaluarës në drejtim të angazhimit për Diasporën. Por cila është më e prekshme sipas jush që ka vend për të punuar dhe përmirësuar që këto gabime të mos përsëriten sipas jush? Mos harrojmë që sot Diaspora shqiptare përbën edhe një petencial të madh financiar dhe cilësor.

Mendoj mungesa e përgatitjes nga ana e jonë. Ne kemi një administratë, e cila mendon se është krijuar për t’ju shërbyer vetëm njerëzve që jetojnë në Shqipëri dhe jo atyre që kanë lënë vendin. Largimin nga vendi, administrata shqiptare e ka konceptuar si një problem personal dhe jo si një problem që ka të bëjë me konceptin e kombbërjes dhe kur flas për administratën nuk kam parasysh vetëm administratën që paguhet si e tillë, por kam parasysh edhe politikën që çështjen e Diasporës e ka trajtuar si një element të barasvlefshëm me një NGO.

Ne vonë e kuptuam që ajo që konsiderohej matematikë, është kthyer nga sasi në cilësi. Prandaj kur flasim për Diasporën, flasim për një cilësi kombëtare të shqiptarëve. Aktualisht gjysma e popullsisë është në Diapsorë, e cila mund të shumëfishojë përpjekjet e Shqipërisë qoftë për integrimin në Perëndim qoftë për sjelljen e investimeve të huaja. Pra kemi kapitale të fjetura, qoftë intelektuale, qoftë financiare në Diasporë, të cilat si rezultat qoftë si madhësi apo të krijimit të mekanizmave të dobishme në këtë drejtim, ato flenë në distancë, ndërkohë që ne trokasim në dyert e Brukselit apo Uashingtoni për të kërkuar ndihma të natyrave të ndryshme, por që fare mirë mund ti gjejmë në Diasporën tonë.

 Megjithatë zoti Majko është pak vështirë ti bësh bashkë shqiptarët, edhe pse nuk mungojnë kapacitetet intelektuale. Ju keni menduar si ministri për këtë fenomen, sepse ne jemi edhe nje kartëvizitë e Shqipërisë, sidomos artistët?

Përgjigje: Po përgjigjem duke ia nisur nga gjërat e thjeshta. Aktualisht shqiptarët në çdo shtet ku jetojnë mblidhen bashkë në dy data: Për ditën e flamurit në nëntor dhe për pavarësisnë e Kosovës në shkurt. Këto janë dy data që mblidhen vërtet shqiptarët. Ndërkohë ne po përpiqemi që të krijojmë data të tjera, si data që ka të bëjë me panair librash, data që kanë të bëjnë me aktivitete artistike, data që kanë të bëjnë me mbledhjet vjetore të mësuesve sipas shteteve apo të intelektualëve që për arsye shumë të thjeshta nuk aktivizohen në sistemin aktual të organizatave që ekzistojnë tek shqiptarët.

Këto dhe arsye të tjera besoj janë të mjaftueshme për të kuptuar që ne jemi shumë afër një suksesi të madh, por mund të jemi edhe shumë afër edhe një stanjacioni në vazhdim. Kështu që unë nuk dua të flas në këtë intervistë me ju thjesht me gjuhën e suksesitt apo të optimizmit. Dua të jem i qartë që jemi duke ecur në tehun e thikës në drejtim të një suksesi të madh, apo të një ridështimi të madh. Pra situata është shumë serioze, është sfiduese dhe ne jemi të shpërndarë në thuajse gjithë shtetet kryesore të botës.

Të mos harrojmë që shpesh ne jemi të suprizuar nga numri i shqiptarëve që ndodhen jashtë vendit. Jemi të suprizuar nga kapacitetet intelektuale që Shqipëria ka humbur duke shkuar në vende të ndryshme të botës, duke filluar që nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Bashkimi Europian deri në Australinë e largët.

Ajo që dua të veçoj është që ndërtimi i politikës së re shtetërore nuk është thjesht një marrëdhënie kontrolluese midis shtetit shqiptar apo shtetit të Kosovës me Diasporën. Në thelb është sfida reale se si ne do të rikonstruktojmë mënyrën e të kuptuarit të kombit në një marrëdhënie të re me veten dhe me atë që po na vjen si e ardhme.

Mos harrojmë po ashtu që jetojmë në kohën e globalizimit ku brënda ditës mund të udhëtosh në cepin më të largët të botës ku interneti të sfidon me informacione dhe ku ti duhet të gjesh një përgjigje dhe këtë përgjigjë më të mirë mund ta gjesh jo nga të huajtë por nga bashkëkombasit e tu.

Duhet të kuptojmë konceptin e ri të diplomacisë dhe të marrëdhënieve me kombet dhe ta kuptojmë se nuk është vetëm ambasadori bashkë me ambasadën, por është një komunitet shqiptarësh, i cili po të dijë të aktivizohet apo riorganizohet, bën punën e njëmijë ambasadave apo njëmijë ambasadorëve.

Ndërkohë ka nisur regjistrimi dhe po punohet edhe për mundësinë e votimit të shqiptarëve jashtë vendit. A mendoni zoti Majko se ka ardhur koha që Diaspora të ketë përfaqësues edhe në Parlament?

Diskutimi për këtë sapo ka filluar. Për fat të mirë është një diskutim që ka sjellë pohimin e gjithë faktorit politik të skenës politike shqiptare dhe ka qenë një pohim i fortë që të gjithë janë të gatshëm për votën e shtetasve shqiptarë jashtë vendit. Unë kam depozituar një dokument në Komisionin e Reformave të masave zgjedhore dhe me kënaqësi e them që gjithë palët e kanë mirëpritur dhe shpresoj që ajo të jetë një bazë për diskutim.

Për këtë temë në bëmë më 24 janar një konferencë me OSBE-në ku kishim ftuar përg´faqësuesit më me zë të gjitha komisioneve zgjedhore të zgjedhjeve të mëparshme pasi në fund fare janë Komisionet qëndrore zgjedhore janë ato që kanë memorizuar edhe gabimet që kemi bërë në të kaluarën në sistemet zgjedhore të mëparshme, por e rëndësishme është që të thuhet që për herë të parë OSBE-ja, ODIHR-i apo përfaqësuesit më në zë të shoqërisë civile ku sëbashku me ta kemi diskutuar në një tryezë të rrumbullakët përballë publikut për të drejtën e votës se shtetasve tanë jashtë vendit.

Nëse do të arrijmë një kompromis për këtë çështje, mendoj se do të jetë një risi, jo vetëm për shoqërinë shqiptare por edhe për skenën politike shqiptare. Shtetasit tanë në Diasporë janë njerëz që as shiten dhe as blihen. Ata kanë vetëm një qëllim dhe një interes në marrëdhënie me vendin e tyre: Ta shohin atë më mirë, më të zhvilluar dhe me një qeverisje sa më cilësore dhe të lidhur me Perëndimin.

Meqë bisedën po e bëjmë në Dyseldorf zoti Majko, si e vlerësoni Diasporën në Gjermani, roli e këtij vendi në angazhimin e Diasporës për të qenë Urë bashkëpunimi me Shqipërinë dhe Kosovën?

Gjermania po ridimensonohet. Gjermania nuk është vetëm një shtet i fuqishëm, por është një cilësi europiane. Pa diskutim Diaspora shqiptare në Gjermani është një nga Diasporat më të rëndësishme në Bashkimin Europian. Jo vetëm nga pamja matematikore, por edhe nga ana cilësore. Sidomos vitet e fundit ku një pjesë e madhe e njerëzve që imigrojnë nga Shqipëria i janë drejtuar Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe.

Por dua ta nënvizoj që nga institucionet gjermane kemi gjetur përkrahje goxha pozitive dhe besoj që bashkëpunimi në këtë drejtim do të jetë shumë efikas. Ne kemi nevojë që në këtë drejtim të marrim atë që është më e mira nga gjermanët. Në këtë kontekst mendoj se bashkepunimi me Gjermaninë kalon nga e nevojshmja tek e domosdoshmja. Kështu që edhe për këtë arsye bashkëpunimi me Gjermaninë nuk do të jetë retorik, por i lidhur me hapa praktik.

Një nga pikat mjaft me interes në kuadër të reformave për Diasporën është edhe krijimi i një gazete elektronike apo mundësia e hapjes së një televizioni. Në ç’fazë jeni aktualisht?

Kemi filluar nga disa hapa. Një nga këto është hapja e një kanali televiziv TVSH 3 i televizionit publik që është vetëm për Diasporën, pra ky do të jetë Televizioni i Diasporës. Por duhet të themi se vetë shoqëria njerëzore sot ka kaluar nga një shoqëri e televizionit tek shoqëria e internetit, e lidhjeve online. Këto koncpete e bëjnë të detyrueshme edhe një mënyrë veprimi në këtë drejtim.

Jemi duke diskutuar edhe disa projekte dhe ajo që ne e konsiderojmë shumë të rëndësishme është krijimi e Network-ve, të cilët do të lidhin njerëzit me profesione të njëjta jo vetëm brënda një shteti por edhe midis shteteve. Nëse e realizojmë këtë, ky besoj do të jetë suksesi më i madh në ndërtimin e një politike shtetërore për Diasporën.

Në momentin që një mjek, një inxhinjer do të fillojë të komunikojë me kolegët e vetë, me grupet e organizuara të të njëjtit profesion jo vetëm në Gjermani , Britani, Kanada apo SHBA, kjo do të jetë një mënyrë e funskionimit të shqiptarëve në një botë, e cila do të bëhet më e vogël, më e kontrollueshme duke u ndjerë edhe individualisht ashtu siç janë, në shtëpinë e tyre.

Së fundi, zoti Majko, çfarë risish na presin në Samitin e Diasporës në fund të vitit?

Besoj se në këtë Samit do të ketë gjëra më praktike, sepse emigrantët dhe Diaspora në përgjithësi nuk është e prirur të dëgjojë fjalë. Fjalët i merr era, thotë populli. Kështu që jemi duke menduar për gjëra më të matshme, më të kuptueshme dhe mbi të gjitha ky Samit të krijojë një rrugëtim, ku secili të kutojë që është pjesë e tij dhe se çfarë mund të bëhet më mirë.

6 komente në “Majko: Kur flasim për Diasporën, flasim për një cilësi kombëtare”

  1. Lili says:

    Abcja eshte qe ju ministrat deputetetetj kur shetitni neper bote te kerkoni ta takoni diasporen tuaj.jemi i vetmi vend ne bote ku ambasadat nuk therrasin njerezet e tyre me ndikim po hallabaket,ku ministrat shkojne neper butikat e luksit po kur jo tek shqiptaret,qofte tek butikat e restorantet e shqiptareveb po mbasi nuk e dini ku keni diaspore,ma kollaj takoni dacicin e vucicin se shqiptaret..Ndonjehere,i takoni shqiptaret edhe ne institucionet e botes,pa e ditur hiç ju se jeni to biseduar me shqiptar,e kjo eshte turpi i juaj.me kuntohet nje rast kur President shqiptar kishte ardhur incognito kishe,dmth pa e ditur shqiptaret e Shqiperise,po kujdestari i Sigurimit te vendit ishte ate dite nje shqiptare…

  2. ceni boston says:

    Po cfare do ti besh ti diaspores mor aman, po njerezit kane nga 20 vjet qe jane stabilizuar dhe inkuadruar ne jeten e vendeve ku jetojne! Po ik ore Pandeli rregullo shtepine tende pa lere diasporen!

  3. nje nga te diaspores says:

    Eshte mire qe ato fonde qe keni dhe ato leke qe harxhoni per administrate, zyra dhe udhetime poshte e perpjete ti vendosni per ndonje shkolle, spital apo ata te semure qe kane nevoje per asistence sociale dhe mos u merni me budallalleqe me Diaspore! Diaspora e ka kap veten dhe mos ja qani hallin. Shikoni me mire ndihmoni ate popull te vuajtur aty se ne si Diaspore as qe jau kemi nevojen, se edhe po tja u kishim juve si qeveri hajdute nuk keni se me cfare na ndihmoni.Lerine keto genjeshtra o Majko bashke me ate Ed 20%.

  4. abdyli says:

    Pandi, fjalet i ke te mira po deshtimin e ke te sigurte.Fjale imzot fjale , me tepr ske se cfare ben.

  5. O says:

    Shqiptarët din çështë mirë për ta. Dikush me sport, disa me studime (dege te ndryshme), stupéfiants, ndërtime

  6. americani says:

    sa turp Flisni ne shqiperi per diasporen. million dollare per te finacuar grupet komuniste ne Amerike. 5 milioad ero te gtranferuara nga Shqiperia ne Amerike. Mijra dollare per gazeta Tv dhe portale ne kurriz te diaspores. Bravo osmali!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje