Faza vendimtare e sezonit, Tirana “përforcohet” me tifozët

7 Mars 2018, 15:18Sport TEMA

Me Tiranën, për Tiranën. Me sezonin që ka hyrë në momentin kulmor, përpara startit të fazës “play off” që do të vendosë skuadrat të cilat sezonit e ardhshëm do të luajë në elitën e futbollit, grupimi “Tirona Fanatics” vendosi të rikthehet në stadium.

Duke nisur prej trasfertës së radhës me Pogradecin, që do të luhet në fundjavë, ku tifozët bardheblu pritet të jenë të shumtë në numër. Mendohet nga 700 deri në njëmijë mbështetës, që do të udhëtojnë me ekipin.

“Tirona Fanatics” vendosi gjithashtu që përveç mbështetjes për skuadrën, të hedhë pas shpine edhe divergjencat që ekzistonin brenda grupimit, për tu rishfaqur të bashkuar dhe për të dhuruar spektakël në tribuna, ashtu si ka ndodhur gjatë dekadës së fundit.

Në mbledhjen e kryesisë së tifozëve u vendos gjithashtu që fansat të jenë të pranishëm edhe në të gjitha ndeshjet që ekipi do të luajë në shtëpi, madje duke hyrë në stadium edhe nëse forcat e rendit do të vazhdojnë të kërkojnë kartat e identitetit për verifikime.

Rikthimi i “Tirona Fanatics” është padyshim përforcimi më i rëndësishëm i bardhebluve në këtë fazë të sezonit, me synimin për të rigjetur mbështetjen dhe entuziazmin ndaj skuadrës, në rrugën drejt rikthimit mes më të mirëve të futbollit shqiptar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje