Mungesa e rezultateve është kthyer në një problem për skuadrën e Flamurtarit. Por trajneri Shpëtim Duro ia ka faturuar një pjesë të fajit mungesave që ka pasur në radhët e skuadrës së tij këto javë, për shkak dëmtimesh apo kartonash.
Këtë javë, para sfidës delikate përballë Laçit, Duro mund të marrë fyrmë i qetë, pasi disa nga telashet e tij zgjidhen si rrjedhojë e kthimit të tre lojtarëve të rëndësishëm në mbrojtje dhe mesfushë.
Ditmar Bicaj do të jetë i gatshëm për duelin ndaj kurbinasve dhe Duro as nuk e diskuton praninë e tij në fushë në qendër të prapavijës. Ndërkohë, trajneri do të mund të aktivizojë edhe dyshen Usieni-Sidibe në mesfushë, lojtarë të cilët kanë qenë të rregullt në radhët e ekipit dhe mungesa e të cilëve është ndjerë shumë, sidomios në Shkodër ku ky repart shfaqi vështirësi të dukshme të hënën.
Flamurtari nuk ka më luksin të bëjë hapa fals përballë skuadrave rivale në renditje, pasi në këtë situatë rrezikon të humbasë edhe vendin e tretë në kalsifikim që garanton pjesëmarrjen në Europë, objektivi kryesor i vlonjatëve në këtë edicion.