Kamza nuk arriti të kthehet te fitorja në ndeshjen me Vllazninë, pasi nuk mundi të shënonte. Pas barazimit pa gola, ndihëmstrajneri Eldorian Topi, i cili ka zëvendësuar Ramadan Ndreun të pezulluar nga Disiplina, ka theksuar se skuadra e tij zhvilloi një pjesë të parë shumë të mirë, ishte më lart se kundërshtari dhe meritoi të fitonte:
“Duke ditur që vinim nga dy rezultate negative, por me lojë më të mirë ndaj Luftëtarit në Gjirokastër, kishim garanci se ekipi do të reagonte. Pjesa e parë ishte gati perfekte për ne sot, me grintë loje dhe me ritëm, kurse në pjesën e dytë u ndje lodhja fizike. Vllaznia kishte ardhur për barazim, u pa qartë, kurse ne nuk na bënte punë barazimi.
Jemi në ndeshjet, që tani quhen finale dhe duhet të bëjmë sa më pak gabime. Gjykimi ka qenë korrekt në Gjirokastër, por edhe sot ndaj Vllaznisë. Ndeshja u luftua nga të dyja skuadrat, ne ishim më lart dhe mendoj se e meritonim ta fitonim ndeshjen”, tha Topi.
Ndërsa trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka, deklaroi:
“Edhe frika është pjesë e lojës dhe luajtëm kundër një ekipi shumë të mirë. Ne kemi mënyrat tona të lojës. E rëndësishme është që nuk humbëm dhe e menaxhuam mirë edhe situatën. Është një pikë që mund të na vlejë shumë në fund të sezonit. Ka shumë skuadra që në momentin e humbjes dëmtohen shumë dhe për këtë arsye nuk duhet të marrim disfata. Për këtë arsye duhet që të mos humbnim.
Kundërshtari i kishte marrë masat për Sukaj. Por edhe rastet nuk munguan. Me pak qetësi dhe gjakftohtësi ndoshta do bënte që ne të shënonim një gol. Humbja e Teutës na qetëson ? Edhe po edhe jo mund të them.
Kjo sepse kampionati është i paparashikueshëm dhe nuk dihet se çfarë mund të ndodhë. Qetësia vjen duke marrë sukesese të njëpasnjëshme. Të kap Partizanin ? Nuk më intereson fare ajo pjesë sepse thjesht nuk dua që të kthej kokën prapa”, u shpreh Gjoka.