Laçi-Kamza/ Mezani: Jemi akoma larg lojës së dy fazave të para; Ndreu: Jam i kënaqur nga skuadra

18 Mars 2018, 16:37Sport TEMA

Trajneri i skuadrës së Laçit, Gentian Mezani, foli pas fitores së arritur kundër Kamzës.

Tekniku i kurbinasve u tregua shumë modest dhe shprehet se ende nuk është ajo skuadra e dy fazave të para të kampionatit.

“Ishte një ndeshje jashtëzakonisht e vështirë, sepse Kamza është skuadër e fortë, mbrohet me shumë forca. Në pjesën e dytë jemi futur të bindur dhe ia kemi arritur qëllimit të fitojmë.

Sa më lart të shkojmë, aq më e vështirë bëhet për ne. Duhet të bëjmë më mirë në vazhdim, që të mos zhgënjejmë tifozërinë, që sot ishte e shumë në stadium, presidentin dhe gjithë të tjerët.

Dua një rezultat që na favorizon nga ndeshja e Kukësit, por kuptohet që është mirë të shohim ndeshjet tona, sepse jemi akoma larg lojës së dy fazave të para.

Po kërkonim në mënyrën e gabuar golin, pasi kundërshtari mbeti me 10 vetë. Duhej ta qarkullonim më mirë topin dhe të godisnim nga krahët, kështu erdhi edhe goli i parë. Nuk e kemi menduar këtë pozicion, por thjesht duhet të jemi me këmbë në tokë. Nëse luajmë si në fazën e dytë, do të jemi një skuadër e fortë për t’u mundur.  Nuk shohim as vendin e dytë dhe asgjë tjetër”, u shpreh Mezani.

Kurse, trajneri i Kamzës, Ramadan Ndreu, tha:

Normalisht protesta jonë ishte shumë e shkurtër dhe e vogël se nuk mund të braktisësh fushën, do të shoh ndeshjen edhe një herë para se të dal me një gjykim. Nuk mund të them gjë për rastet pa e parë edhe një herë të gjithë ndeshjen.

Nuk mund të kapësh fragmente të ndeshjes, nuk mund të thuash se u vendos nga mosmarrëveshje. Në momentet kur del me të kuq një lojtar dhe luan jashtë fushe, është kundërshtari në favor. Këto janë episodet, në ndeshjen me Flamurtarin ishte 2-1 për ne dhe nuk e di se ku i kishte sytë anësori, pozicion jashtë loje dhe penallti.

Sot menduam t’i jepnim mundësinë Avdylit, është më i mirë me topat e lartë në zonë. Por në vendin ku morrëm masat, aty gabuam. Por ndodhi goli dhe nuk ke çfarë të thuash.

Mendoj se jemi shumë të qetë, në katër ndeshjet e fundit nuk kemi treguar shenjë nervozimi. Ka momente kur skuadra tensionohet, por mendoj se jemi shumë të qetë.

Kampionati është i ashpër por e rëndësishme është që skuadra po luan më mirë, që në ndeshjen me Vllazninë, në Vlorë dhe sot. Duhet të ndajmë nervozimin me luftën e fortë sportive. Më kënaq skuadra që vrapon, punon dhe jep maksimumin në fushë. Kemi bërë ndeshje shumë të mira pavarësisht se rezultatet nuk kanë ardhur”, përfundoi Ndreu.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje