Skënderbeu-Flamurtari/ Duro: Do firmosja që në fillim për fitimin e Kupës; Daja: Do qëndroj dhe pas dënimit

4 Prill 2018, 19:17Sport TEMA

Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, ka folur pas fitores së arritur sot në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë ndaj Skënderbeut.

Duro u shpreh se do të ishte më mirë që ky sezon të mbyllet me trofe se sa një vend që të dërgon në Europë.

“Sigurisht, skuadra ka qenë shumë e ngarkuar, prej rezultateve. Ka bërë disa gabime, por ka funksionuar në tërësi. Nëse do ishim më të qetë, do shkonte akoma më mirë.

Patjetër që u kënaqa që shënoi, pasi kishte kohë pa shënuar. Bravo për golin me kokë. Ne jemi kompletuar në ndeshjen me Kukësin, pavarësisht asaj disfate, ishte një ndeshje shumë e mirë. Sot, përqendrimi kryesor ishte mbulimi i lojtarëve të Skënderbeut. Kishin disa mungesa, por edhe ne kemi nga 6-7 mungesa prej 1 muaji e gjysmë. Edhe sot, nga mungonte Bushiç dhe Zhufo.

Jo, e kam thënë edhe më parë. Ky sezon nëse do mbarojë me fitimin e Kupës, do e firmosja që në fillim. Më mirë se një trofe, se sa Europa nga vendi i dytë apo vendi i tretë.

Me Kukësin e meritonim fitoren, por ndodhi ajo që ndodhi. Patjetër, të fitosh me skuadrën më të mirë të kampionatit në transfertë, është një rezultat pozitiv. Për vetë formatin e Kupës, gjithçka është ende e hapur. Duhet të jemi të përqendruar edhe në ndeshjen e kthimit.

Me thënë të drejtën nuk e kam parë, m’u duk sikur e dha shumë lehtësisht. Djemtë më thanë në pushim se nuk e kuptuam si e dha atë penallti. Fati na ndihmoi, gjithsesi. Doja të dija për faleminderit të gjithë arbitrave, të më jepnin një penallti.

Kamara ka luajtur 5 ndeshjet e fundit në pozicionin e qendër sulmuesit. Është futbollist që pavarësisht se luan në krah, ka më shumë rendiment në qendër. Në krah është konfuz, ndërsa në qendër punon shumë mirë me kokë”, deklaroi Duro.

Kurse trajneri i Skënderbeut Ilir Daja, u shpreh:

“Penalltia? Është i vetmi element që ne nuk e përcaktojmë dhe nuk mendojmë ndonjëherë që do të marrim penallti. Penalltinë nuk kishim vendosur se kush do ta godasë dhe kjo ishte pjesë e mosmarrëveshjes së Muazakës me Gavazajn.

Kemi bërë një lojë me dy fytyra dhe një qetësi më jep kjo ndeshje pas asaj performance që kemi bërë në Shkodër. Në pjesën e dytë kemi prishur gjithçka dhe mund të them se ekipi ende nuk është ulur me këmbë në tokë. Kemi bërë një hap fals në shtëpi por nuk jemi dorëzuar dhe them se në ndeshjen e ardhshme do të kemi një ndeshje të fortë.

Dënimi? Unë jam trajner i Skënderbeut dhe ndihem i respektuar që drejtoj këtë ekip dhe them është hera e parë që Shqipëria kalon 4 ture dhe shkon në Europë. Ka vetëm ndeshje të dyshuara dhe nuk ka asgjë të vërtetuar. Është një Skënderbe që kohën e fundit ka qenë ekipi më i mirë shqiptar qoftë në Fair Play apo kudo dhe nuk mund të prishet kjo vetëm nga dyshime. Unë do vazhdoj të jem trajner i Skënderbeut sepse ndihem mirë në këtë qytet dhe me këtë ekip.

Çdo lojtar të kundërshtarit e vlerësoj për atë që jep në kampionat por mua më dalin dhe më teprojnë futbollistët e ekipit tim. Ne duhet të përshtatemi me këtë vendim që është marrë në UEFA dhe duhet t’ia lëmë kompetentëve të merren me këtë vendim ndërsa ne duhet të merremi vetëm me futboll. Sot na munguan disa titullar dhe me rikthimin e tyre do të kemi më shumë mundësi për të kaluar këtë shok që kemi”, përfundoi Daja.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje