Drafti i ri, familjarët e deputetëve nuk lejohen të marrin tendera. Sot votimi...

5 Prill 2018, 08:22Politika TEMA

Asnjë deputet i Kuvendit të Shqipërisë nuk do përfitojë më para publike, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, përmes kompanive të regjistruar në emër të familjarëve.

Fëmijët, bashkëshorti, bashkëshortja, bashkëjetuesit dhe prindërit e deputetit, aksionerë në kompani të ndryshme, nuk mund të marrin më pjesë në tendera. Kështu parashikon drafti i rishikuar dhe i dakordësuar për Kodin e Sjelljes së Deputetëve.

Në Kuvendin e Shqipërisë ka disa deputetë biznesmenë, të cilët për të mos djegur mandatin e deputetit, i kanë kaluar kompanitë në emër të familjarëve, ndërsa vijojnë si më parë të fitojnë tendera dhe të marrin para publike.

Në këto kushte, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, në draftin e dakordësuar, kanë vendosur ndalimin e deputetit për të aplikuar në tendera publikë, me anë të shoqërisë tregtare, edhe nëse ai është larguar për shkak të fillimit të mandatit të deputetit.

Palët kanë ndryshuar nenin 7 të drafti të parë. Konkretisht, neni 17 i dakordësuar, i cili më parë ishte neni 7, në pikën dy parashikon që kufizimi përfshin edhe ndalimin për të aplikuar dhe/ose fituar të ardhura direkte ose indirekte nga procedurat e tenderimit të autoriteteve prokuruese publike nga shoqëria tregtare, e zotëruar në mënyrë aktive nga deputeti qoftë edhe pjesërisht, dhe prej të cilës ai është larguar për shkak të fillimit të mandatit të deputetit. Për ta bërë edhe më të qartë kufizimin dhe ndalimin e ligjvënësit për të përfituar para publike, palët kanë shtuar një pikë tjetër.

Pika 6 e nenit 17 parashikon që nëse aksionet ose pjesët e kapitalit regjistrohen në emër të një të afërmi, që do të thotë bashkëshortit/bashkëjetuesit, fëmijët e rritur, prindërit e deputetit, ato konsiderohen të njëjtë sikur të ishin të regjistruar në emër të vetë deputetit dhe, të drejtat për pronën e të afërmve kufizohen në të njëjtën masë dhe mënyrë si në rastin e vetë deputetit. Varianti i parë ishte më i përgjithshëm dhe nuk mundësonte ndalimin e parashikon në variantin e fundit. Ky variant i Kodit të Sjelljes është parashikuar për t’u miratuar në seancën e sotme plenare.

Drafti i dakordësuar ka ndryshuar edhe parashikimet sa i takon dhuratave. Neni 23 i draftit parashikon që deputeti nuk mund të kërkojë ose të marrë, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë dhurata me vlerë mbi 10 mijë lekë, favore, premtime ose trajtime preferenciale, të cilat i jepen për shkak të pozicionit të tij, nga një individ, person fizik ose juridik privat.

Deputeti, të cilit i janë ofruar dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale, duhet t’i refuzojë ato dhe, në rast se ofrimi është kryer pa dijeninë e tij ose paraprakisht, t’ia kthejë mbrapsht ofruesit ose, në pamundësi, t’i dorëzojë zyrtarisht pranë shërbimit përgjegjës në Kuvend për administrimin e objekteve me vlerë, të cilat më pas përdoren për qëllime të veprimtarisë së institucionit; b) në rast se ofrimi ose dhënia e të mirave të sipërpërmendura lidhen me kryerjen e një vepre penale, deputeti bën kallëzim pranë organit të ndjekjes penale. Dhuratat, që kanë vlera artistike, muzeale ose historike administrohen në institucion dhe ekspozohen. Dhuratat dhe përfitimet e ngjashme sipas këtij neni, të refuzuara ose të pranuara nga deputeti, deklarohen brenda 5 ditëve dhe regjistrohen në një regjistër të posaçëm të Kuvendit.

Varianti i dakordësuar mes PD-PS-LSI

Neni 17, ishte neni 7

Kufizime gjatë ushtrimit të mandatit

1. Gjatë ushtrimit të mandatit, deputetit nuk i lejohet:

a) të ushtrojë detyrë tjetër shtetërore, përveç asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave;

b) të kryejë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojë pasuri të këtyre;

c) të jetë drejtues ose anëtar i organeve drejtuese të organizatave fitimprurëse;

ç) të ushtrojë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme, profesione të lira të avokatisë, të noterisë, ekspertit të licencuar, si dhe të konsulentit, agjentit a përfaqësuesit të organizatave të përcaktuara në shkronjën “a” të këtij neni dhe nuk mund të jetë i punësuar, me kohë të plotë, në një detyrë tjetër;

d) të zotërojë, në mënyrë aktive, asnjë aksion ose pjesë në kapital të një shoqërie tregtare, nëse ajo rezulton me pozitë dominuese në treg.

2. Kufizimi i përcaktuar në pikën 1 shkronja “b” përfshin edhe ndalimin për të aplikuar dhe/ose fituar të ardhura direkte ose indirekte nga procedurat e tenderimit të autoriteteve prokuruese publike nga shoqëria tregtare, e zotëruar në mënyrë aktive nga deputeti qoftë edhe pjesërisht, dhe prej të cilës ai është larguar për shkak të fillimit të mandatit të deputetit.

3. Pronësia aktive nënkupton ushtrimin e plotë të të gjitha të drejtave që rrjedhin nga pronësia, aksionet ose pjesë të kapitalit.

4. Pozita dominuese në treg vlerësohet nga autoriteti përgjegjës për konkurrencën sipas legjislacionit për mbrojtjen e konkurrencës.

5. Kuvendi mund të kërkojë nga autoriteti përgjegjës për konkurrencën të kryejë vlerësime për një kompani në të cilën një deputet ka aksione ose kapital për të vlerësuar nëse ka pozitë dominuese në treg.

6. Nëse aksionet ose pjesët e kapitalit regjistrohen në emër të një të afërmi, që do të thotë bashkëshortit/bashkëjetuesit, fëmijët e rritur, prindërit e deputetit, ato konsiderohen të njëjtë sikur të ishin të regjistruar në emër të vetë deputetit dhe, të drejtat për pronën e të afërmve kufizohen në të njëjtën masë dhe mënyrë si në rastin e vetë deputetit.

Neni 7 i draftit të parë

Kufizime gjatë ushtrimit të mandatit

Gjatë ushtrimit të mandatit, deputetit nuk i lejohet:

a) të jetë drejtues ose anëtar i organeve drejtuese të organizatave fitimprurëse;

b) të ushtrojë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme, profesione të lira të avokatisë, të noterisë, ekspertit të licencuar, si dhe të konsulentit, agjentit a përfaqësuesit të organizatave të përcaktuara në shkronjën “a” të këtij neni dhe nuk mund të jetë i punësuar, me kohë të plotë, në një detyrë tjetër;

c) të zotërojë, në mënyrë aktive, asnjë aksion ose pjesë në kapital të një shoqërie tregtare, nëse ajo rezulton me pozitë dominuese në treg./Shqiptarja.com

3 komente në “Drafti i ri, familjarët e deputetëve nuk lejohen të marrin tendera. Sot votimi…”

  1. ABC says:

    Prandaj po duan ta shtyjne seancen keta?

  2. e verteta e hidhur says:

    Po te kete qene vellai i deputetit me ballin,atehere cfare do behet me deputetin?A do t’ja heqin mandatin?Tej shakase.Me kete projekt- ligj,a nuk po vijme perseri tek biografite?Kur nje deputet e ka shitur vertet aktivitetin dhe vellai i deputetit e ka blere vertet,perse vellai (gruaja ,bashkejetuesja,motra,kushuriri i pare,kushuriri i dyte,kunati,daja,xhaja etj ) i deputetit duhet te persekutohet duke u perjashtuar nga tenderat?Atehere i bije qe te gjithe te pasurit te mos garojne per deputet,por te shikojne bisneset e tyre!Nga ana tjeter,kur dikush garon per deputet duhet te heq dore nga pasuria e tij (!)Por a mund te zhvillohet bisnesi(pasurija) pa doren e atij qe e ka krijuar?Dhe e fundit. Ne qofte se “tremben” te pasurit per t’u marre me politke,kush do te merret ?Deri me sot ne Shqiperi, shumica e te pasurve jane pasuruar nga politika,ose i kane sherbyer asaj ne kembim te favoreve.A thua kjo gje do te ndryshoje?Po kur nje i pasur financon fushaten e nje deputeti dhe ky i fundit zgjidhet deputet,a nuk do ta shperbleje ky deputet ate qe e ka financuar me anen e favordeve?Kemi hyre ne Demokraci,e cila do te thote TE PASURIT TE BEJNE LIGJIN DHE TE FITOJNE TE VARFERIT TE PUNOJNE.Kur ne 1990-ten bertisnin Liri-Demokraci,fjala ishte per LIRINE E TE PASURVE DHE TE PASURIMIT,jo per lirine e te varferve.Atehere i bie se Lirine deri atehere kishin te varferit,dhe ata qe bertisnin bertisnin per te pasurit dhe ishin kunder lirise se te varferve.Te jene lodra fjalesh keto qe them une?

  3. vito says:

    KOPSITI gjerat me ligj , mos i ler shteg uzurpatorve dhe hajdutve ,bei ligjet qe edhe po abuzuan te jen zbuluar para tij , se do vi nje dit dhe tek ne nje duerte per kta mostra antishqiptar dhe llumin e kti vendi , qe ti fusi ne rresht kta plera ,kopsitja me ligje çdo gje , saliu te la borxhe kur la pushtetin dhe xhdo gje te degraduar , ti lerja te kopsitur me ligje qe nga do qe te rrotullohen po abuzuan te shkelin ligjin , qe nje dit te pergjigjen.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje