Luftëtari është shumë pranë realizimit të ëndrrës, pjesëmarrjes për herë të parë në një kompeticion të UEFA-s.
5 javë përpara fundit, gjirokastritët janë të favorizuar jo vetëm nga forma që po kalojnë, por edhe nga kalendari.
Dy javët e fundit bluzinjtë do të përballen me dy skuadrat e skajeve të klasifikimit.
Në javën e 35-të presin Skënderbeun, kundërshtar të cilin e kanë mposhtur në fazën e dytë në shtëpi, ndërsa e mbyllin në transfertën e Lushnjës, me myzeqarët që kanë mbyllur llogaritë matematikore me këtë kampionat.
Sigurisht, nëse përballë ke dy skuadra pa objektiva për të arritur, mund të jetë një avantazh që e sjell dhe lodhja pas një sezoni të gjatë dhe të mundimshëm.
Për këtë arsye, Luftëtari duhet të marrë me seriozitet dy sfidat e ardhshme. Fundjava i rezervon transfertën në Kamëz, ndërsa java e 33-të është më e rëndësishmja, duke qenë se luan me Partizanin, rivalin direkt për vendin e 3-të. Për momentin, diferenca mes tyre është 4 pikë dhe me dy rezultate pozitive radhazi Europa bëhet zyrtare për Luftëtarin.
Shumë prej lojtarëve bluzi kanë përfunduar në axhendën e klubeve jashtë kampionatit, por të gjithë së bashku kanë një ëndërr: ta çojnë Luftëtarin në Europë dhe më pas të vijojnë karrierën e tyre. Forma dhe kalendari janë favorizuese për të arritur objektivin.