Vllaznia, Gjoka: Arritëm objektivin ndaj Flamurtarit, e pësuam në fund për shkak të panikut

5 Maj 2018, 21:45Sport TEMA

Vllaznia ka barazuar ndaj Flamurtarit me rezultatin 1-1, në një takim dramatik në Vlorë ku ka pasur edhe shumë kontestime dhe polemika. Sino ka akorduar një penallti të dyshimtë në favor të shkodranëve dhe ka larguar nga stoli trajnerin e Flamurtarit, Beharin.

Megjithatë, në një intervistë për “Supersport”, Gjoka është shprehur se objektivi i Vllaznisë në këtë takim është arritur, pavarësisht se ndiej paksa i zhgënjyer pasi ekipi i tij mund të dilte edhe me 3 pikë nga kjo transfertë.

“Mund të them se ndiej keqardhje pasi kemi sakrifikuar shumë ndaj Flamurtarit, por kështu është futbolli dhe duhet ta pranojmë këtë verdikt. Unë e kisha thënë edhe më parë se ishte e rëndësishme që të dilnim me pikë në Vlorë. Tashmë duhet të mbledhim forcat dhe të përgatitemi për takimin e radhës.

Në mungesë të Sukajt, janë Gocaj dhe Vucaj alternativat për të goditur nga pika e bardhë. Ne ishim për 92 minuta vigjilentë dhe të përqendruar, por treguam panik në momentet e fundit. Këto janë momente delikate dhe të shpejta ku bëhen gabime. Megjithatë duhet të marrim përgjegjësitë e skuadrës përsipër edhe në këto momente të vështira”, është shprehur Gjoka.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje