Kjo që u mbyll nuk ishte java e “bomberave” shqiptarë. Përveç garës së ethshme të skuadrave për Europën e mbijetesën, ka dhe një rivalitet të ndezur për titullin e kryegolashënuesit dhe raundi i 32-të i Superiores foli pak shqip për luftën në klasifikimin e veçantë të “bomberave”. Në Laçi – Skënderbeu fitojnë terren afrikanët.
Dygolësh për Ali Sowe, nuk shënonte që nga dita e Shën Valentinit në kampionat sulmuesi nga Gambia, që shkon në kuotën 16 finalizimeve, duke mos lejuar shkëputjen e Sindrit Gurit, Rexhinaldo, në krahun tjetër, vazhdon të bëjë fatin e Laëit, dygolësh edhe nga mozambikasi, që, duke lënë mënjanë Kupën, në kampionat nuk shënonte që nga mesi i marsit.
Tani ndodhet në kuotën e 14 golave dhe qëndron i treti në listë dhe në 4 javët e mbetura mund të tentojë lavdinë edhe në aspektin personal.
Mungonin Sebino Plaku dhe Kristal Abazaj në Kamza – Luftëtari, ndoshta me ta në fushë mund të kishte patur një rezultat tjetër nga ai barazim i bardhë 0-0, por të paktën Sindrit Guri ka ditur që edhe në një tjetër raund të mbajë gjallë marrëdhënien e shkëlqyer me rrjetat kundërshtare.
Falë atij finalizimi në Kukësi – Lushnja, ia del të mbajë kryesimin në listën e golashënuesve në kuotën e 17 finalizimeve, në 4 javët e mbetura duket se i takon atij të mbajë lart flamurin e “bomberave Made in Albania” në garën për Këpucën e Artë në Kategorinë Superiore.