Java e 33-të e Kategorisë Superiore do të luhet gjatë ditës së mërkurë, ku në fushë do të zbresin të gjitha ekipet. Në Durrës, luhet një ndeshje vendimtare që mund të përcaktojë ecurinë e skuadrave për pjesën e mbetur të sezonit.
Verilindorët të motivuar pas fitores së radhës ndaj Lushnjes, do të tentojnë që në Durrës të sigurojnë matematikisht vendin e dytë, pasi një fitore do të bënte që Kukësi të luajë në Ligën e Kampionëve sezonin tjetër, gjithmonë nëse KAS-i lë në fuqi dënimin për Skënderbeun.
Me një fitore të Kukësit, me shumë mundësi do të qartësohej pak çështja për skuadrën e dytë që bie nga Kategoria, pasi aktualisht Teuta ndodhet në zonën e ftohtë, me pikë të barabarta me Vllazninë, ndërkohë që Kamza numëron vetëm 2 pikë më pak.
Nga ana tjetër, Teuta vjen më e motivuar se kurrë pas fitores në transfertë ndaj Partizanit me rezultatin 1-3, rezultat ky që ka rikthyer buzëqeshjen në kampin durrsak.
Barazimi, ndoshta nuk i shërben askujt, me Kukësin që del pak më shumë i përfituar pasi vendi i tretë është 10 pikë larg, ndërkohë që Teuta mund të humbasë më shumë terren në renditje, nëse Vllaznia fiton ndaj Kamzës.
Ardhja e Pakultit në krye të Kukësit, ka ndryshuar shumë fytyrën e kampionëve në fuqi, pasi në 13 ndeshjet e fundit, verilindorët numërojnë 10 fitore, 1 humbje dhe 2 barazime, duke qenë skuadra me më shumë pikë për sa i përket vitit 2018, ndërkohë që për Teutën nuk mund të themi të njëjtën gjë, pasi gjatë ndeshjeve të fundit ka pasur shumë ulje-ngritje.